Zyrat e Punës si “0900”-ta

683
Sigal

Konstatohet mashtrimi i Zyrës së Punës ndaj qytetarëve, tallen dhe sorollatin njerëzit në nevojë

Aksioni “rilindës” i mobilimit dhe mbushjes së zyrave ekzistuese të punës me vajza e djemtë “top model” e “profesorë” të ardhur edhe deri nga jashtë kufijve për të “shpëtuar e rilindur Shqipërinë”, u shoqërua me bujën e hapjes së vendeve të punës. Pasi dëgjuan dhe po vazhdojnë të dëgjojnë ministrin Erjon Veliaj, se zyrat e reja të punës janë tejmbushur me vende pune dhe se sipas tij, po presin punëkërkues, shqiptarët e papunë e në varfëri vërshuan drejt tyre, për të gjetur vende pune, domethënë mundësi sigurimi buke. Çfarë po ndodh realisht me zyrat e punës dhe në zyrat e punës? A punësojnë realisht, apo vërdallisin e mashtrojnë qytetarët me këshilla, leksione, propagandë politike, formularë, porosi e heshtje? Çfarë përgjigje të japin subjektet punëdhënëse, që figurojnë se kanë “vende të lira pune”, shpallur në afishet dekorative të zyrave të punës?

 Zyrat e punës të mashtrojnë e sjellin vërdallë si “0900”-ta

 Prej disa ditësh, një qytetar më kërkonte të shkonim në Zyrën e Punës në Tiranë dhe të testonim praktikën, se si mashtroheshin e silleshin rrotull punëkërkuesit hallexhinj. Nisëm “testimin” e një praktike kërkimi vendi pune. Bëmë sikur shikonim afishet ku ishin shpallur “vendet e lira të punës” dhe pas “ritualit”, që e bënin të gjithë hallexhinjtë e dërmuar nga varfëria e të joshur nga propaganda qeveritare për vende pune, u drejtuam tek një prej punonjëseve: – Përshëndetje, kërkojmë punë! – Po, menjëherë. Plotësoni këtë formularin sipas kërkesave. Pasi e plotësuam, e dorëzuam. Punonjësja e lexoi dhe filloi të na merrte “në provim” e të na jepte këshilla për rëndësinë e punësimit dhe të mirat që burojnë prej punës. Nuk e lamë të përfundonte leksionin, brenda të cilit përfshihej dhe kujtesa, se kjo qeveri po bënë “namin” në punësime e i thamë: – Punë, kur do fillojmë?

– Punë do filloni shumë shpejt, kur t’ ju njoftojmë ne me telefon, por praktika jonë ka disa hapa komplementarë komunikimi me subjektin që punëson. Ju do të filloni punë, pasi ne të depërtojmë esencialisht në subkoshiencën e subjektit që ka vendin e lirë të punës që kërkoni ju. Mandej, marrin siguri për punësimin tuaj, pasi të jemi të suksesshëm në sjelljen tonë fleksible në raport me punëdhënësin e për rrjedhojë të definojmë dizajnin bindës me të, duke krijuar tek punëdhënësi bindjen transparente e të qëndrueshme, për nevojën tuaj adekuate e mbi jetike sociale për punësim. Dhe faza e fundit konsiston, në zhbërjen e ngrirjes së mosbesimit të punëdhënësit për punonjësit shqiptarë, duke arritur që subjekti të manifestoj bonsensin e një punëdhënësi serioz e të gatshëm për punësimin tuaj. Këtu nisi faza kur ne do t’ ju japim një përgjigje tepër racionale jashtë ireales, në përputhje me të drejtën tuaj të punësimit. Ishte një përgjigje “leksion” që na lodhi trurin dhe e pyetëm përsëri: – Këto që na thatë i dimë, po punë kur do të fillojmë? – Punë, do të filloni, por edhe ju si palë e interesuar që gjendeni në zgrip të tejzgjatur e shpërfillës të nevojës për punësim, mund të interesoheni në këtë numër telefoni, të shërbimit të zyrës tonë. Ashtu vepruam. Pritem 5 ditë dhe shkuam përsëri tek zyra e punës. Na thanë:

-Prisni telefonatën tonë, po negociohet mbështetshmërisht e virtualisht me subjektin, ne ju sigurojmë se do ndiheni shumë komod në atë subjekt ku do punësoheni, është serioz dhe vlerëson edhe financiarisht kontributin e çdo punonjësi. Pritëm 2 ditë dhe telefonuam. Na doli një zë femre, si në shërbimin “00900”-ta, që na tha:

– Një përgjigje të mundshme, do ta merrni shumë shpejt, lidershipi i subjektit që ka vendin e punës që kërkoni ju, po kalkulon predispozivisht pozicionet e lira të punës, për të krijuar mjedisin e suksesshëm e komod të punës që do të kryeni ju. Suksese!

Pas 3 ditësh telefonuam përsëri. Çuditërisht na u dha e njëjta përgjigje, pothuajse në çdo “rrokje”. Pas 2 ditësh telefonuam përsëri. Na u përgjigjën: – Ju tashmë, gjendeni një hap larg punësimit të shumëpritur, sociologjisht rehabilitues në mirëqenien tuaj, ju konfirmojmë se formulari juaj po trajtohet me përparësi si rast emergjent për punësim.

Telefonuam përsëri pas 2 ditësh. Na dhanë këtë përgjigje: – Kemi arritur me flksibilitet prej partnerësh, depërtimin deri tek bindja prag-pranuese e drejtuesve të kompanisë punëdhënëse. Gjenduni disponibël, për të pritur telefonatën finalizuese të punësimit tuaj, prej kompanisë. Suksese! Pritëm po nuk na u bë asnjë telefonatë. Shkuam përsëri tek zyra e punës për të “finalizuar” mendimin tonë, nëse do fillonim punë apo jo?

Punonjësja, na tha:  – Rasti juaj quhet i ezauruar në kompleksitetin e vet pozitiv të sjelljes së zyrës tonë të punës dhe predispozitës mirëpritëse prej kompanisë për ju si punonjës i nevojshëm për shërbime në atë kompani, pasqyruar në procedurë të plotë e të afërt punësimi punësimi, mund të kontaktoni me kompaninë.

 Përgjigje e kompanisë: Janë tallur me ju, unë kam 3 vjet pa punë për vete

 Pas vërdallisjes dhe lodhjes së trurit me leksione prej zyrës së punës, për ta çuar “testimin” tonë deri në fund, vendosëm të kontaktojmë me kompaninë e cila na u tha se do na punësonte. Shkuam atje. Roja na tha: – Çfarë pune kërkoni ju, kjo kompani ka 3 vjet që është mbyllur, ka vetëm 3 roje dhe 5 mirëmbajtës makinerish e mjedisesh.

– Na dërgoi zyra e punës! – i thamë. Pas pak çastesh bisedë me rojën, mësuam se kompania ishte e falimentuar dhe pa asnjë aktivitet. Komunikuam në telefon, me “bosin” e kompanisë. Ja biseda me të: – – Përshëndetje zoti….. jam një i papunë, kam aplikuar tek zyra e punës dhe më rekomanduan të paraqitem tek ju, mbasi sipas zyrës së punës ju e keni miratuar kërkesën time për vendin e punës në pozicionin “operator kontakti me firmat partnere”. – Çfarë thua o zotëri, ku kam vende pune, unë kam 3 vjet i papunë për vete dhe familjen time, ti kërkon punë tek mua! Unë e kam mbyllur biznesin. Kush qenka tallur me ju…. – Na falni, por kështu na tha zyra e punës. – Mund të them se nuk kam pasur asnjë kontakt në jetën time me zyrat e punës, sepse biznesin e kam pasur me të punësuar familjarë e të afërm. – Zotëri, ne plotësuam formularin, sipas një publikimi vendesh të lira pune që ju keni paraqitur në zyrën e punës dhe ndaj aplikuam. – Ata mund te kenë listat me marrë emrat e kompanive dhe kanë mbushur afishet sa për t’u tallur me ju…

Përparim HALILI