Kryebashkiaku Vangjush Dako merr pjesë në promovimin e librit fotografik: “La memoria del Vento” (Kujtesa e erës) e fotoreporterit të njohur italian, Luka Turi

915
Sigal

50 vjet të Shqipërisë në histori fotografike titullohet ekspozita fotografike “La memoria del Vento” (Kujtesa e erës) e fotoreporterit Italian Luca Turi, një nga fotografët që ka fiksuar me aparatin e tij dramën e eksodit të parë të shqiptarëve drejt Italisë. Fotoreporteri i njohur Italian i cili bashkëpunon me “La Gazzeta del Mezzogiorno” si dhe me Rai e Mediaset ka zgjedhur të promovojë librin dhe ekspozitën me foto në bordin e tragetit “Rigel III “nën moderimin e gazetares italiane Karmela Formikola. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kreu i bashkisë së Barit Antonio Decaro, ministri i turizmit Blendi Klosi, deputetë dhe të ftuar të tjerë. Autori i ekspozitës është shprehur, se ndihet mirë që këtë ekspozitë e promovon në Durrës, njëkohësisht edhe që sheh ndryshime rrënjësore të vendit tonë. Luca Turi deklaroi gjithashtu se tashmë ai është i angazhuar për të promovuar jashtë Shqipërisë të gjitha resurset dhe atë çka ofron Durrësi dhe vendi ynë.  Dy kryebashkiakët e Durrësit dhe Barit kanë ndarë të njëjtat mendime se bashkëpunime të tilla kulturore dhe artistike forcojnë më shumë lidhjen midis dy vendeve dhe sidomos mes dy qyteteve bregdetare të Adriatikut. Në bordin e tragetit janë ekspozuar 150 fotografi, të cilat fiksojnë momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë ku një fokus i veçantë është anija “Vlora” që mbërriti në Bari në 1991 me rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, mjediset e stadiumit në Bari ku qëndruan disa ditë një pjesë e tyre si dhe aspekte të tjera të jetës së përditshme shqiptare të asaj kohe. Pikërisht këto momente janë kujtuar edhe nga kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili në fjalën e tij shtoi: “Janë shenja të forta në kujtesën e një njeriu ditët e atij marsi kur porta dalëse e qytetit tim drejt perëndimit të ëndërruar e lakmuar, pra Porti i tij, do të zgjohej i tejmbushur me njerëz. Durrësi ka parë ditë të mira e ditë të vështira. Por ajo ikje masive që përshkruhet në këtë libër është një nga momentet më të vështira dhe të trishta. Shikoje kudo njerëz të dëshpëruar që kërkonin të largoheshin drejt shpresës e megjithatë, edhe pse linin Shqipërinë ata ikën me kokën pas. Ata ishin dhimbja dhe u bënë shpresa e këtij vendi ndaj u takojnë nderimet maksimale. Tashmë pas kaq shumë vitesh Durrësi dhe i gjithë vendi ynë kanë ndryshuar rrënjësisht. Vendi dhe shoqëria jonë janë zhvilluar shumë këto 28 vjet dhe në këtë zhvillim një ndihmesë të veçantë ka dhënë Italia e sidomos rajoni i Pulias. Ky libër nuk është thjesht një memorie, por do t’i vlejë brezit të ri për të njohur të shkuarën, sepse pa njohur mirë të shkuarën nuk mund të ndërtojmë të ardhmen.”