Durrës, porti mbushet me sekserë ministrash dhe deputetësh

558
Sigal

Varjon nga 2000 deri në 2500 euro gjoba, që sekserët u vendosin tregtarëve

 Porti  i Durrësit çdo ditë të surprizon me haberet e tij, që lidhen me afera korruptive dhe ndryshime, të cilat po e përkeqësojnë imazhin e tij si porta kryesore hyrëse  dhe tranzitore e vendit drejt lindjes e perëndimit. Plot 2000 deri 2500 euro, për të futur anijen me mallra në kalatë, porti më i madh i vendit, pasqyra e shteti për çdo shqiptar apo të huaj kur shkel në vendin e shqiponjave, është mbushur me sekserë, të cilët identifikohen si “njerëz të deputetëve dhe qeveritarëve”. Është e njëjta situatë, e njëjta histori, si para 23 Qershorit, ku sekseri hyn në lidhje me tregtarët, grosistët dhe vendos gjobën sipas porosive të “shefit”, e cila shkon nga 2000 deri 2500 euro. Kjo pasi anijet me mallra që vijnë në Portin e Durrësit, në të gjitha rastet, kur kalatat janë plot, paguajnë një taksëditore, e cila shkon nga 500 deri 1500 euro. Për t’ i shpëtuar kësaj takse, e cila mbetet e pandryshueshme, për sa ditë anija qëndron në radhë. Kjo taksë është vendosur qysh në vitin 2009, dhe e vjel APD dhe Kapiteneria e Porteve, e cila merret me sistemimin e anijeve në kalata. Por  APD, nga ana e saj ka detyrimin ligjor të kryejë procesin e ngarkim-shkarkimit brenda afateve ligjore, ndërkohë që, ka ndodhur që me një anije 500 tonëshe, vonesat kanë qenë përtej kufirit të lejuar.  Burimet portuale i thanë gazetës “Telegraf”,  se “sekserët do t’i takosh tek portat hyrëse të portit, në korridoret e administratës, në zyrat e drejtuesve dhe kalatat e mbushura me anije  që presin shkarkimin. Grosistët që kryejnë import-eksportin e mallrave, duke nisur nga ato ushqimore e deri  tek  ato industriale  dhe minerare, janë të detyruar  t’ i telefonojnë dhe të takojnë sekserin (mikun, e deputetit apo  politikanit)  dhe pasi bëjnë pazaret, sigurojnë futjen e anijes nga rada drejt kalatës. Sekserë janë bërë edhe përfituesit e parave nga fondi marketingut  të APD, madje ata gjejnë  shpesh “klientin” dhe e lidhin me sekserët, të cilët  do t’ i takosh në kalatat e portit deri  pas mesnate. Sekserët do ti shikosh gjatë ditës edhe nën shoqërinë e grupit të Anti-kontrabandës, të atashuar në hyrje-daljet e sheshit të tragetit. Kjo “krushqi” e tyre, padyshim ka të njëjtin qëllim, të nxjerrin para nga lidhjet dhe aferat e pista. Madje sekserët shpesh sigurojnë jo vetëm kalatat e lira, por ata sigurojnë edhe transportin e mallrave deri në daljen e portit. Këto praktika antiligjore dhe korruptive, kanë pushtuar portin e Durrësit, duke e rikthyer atë në të njëjtën situatë të para 1 viti. Veprime  të tilla, duke u shoqëruar me heshtjen dhe tolerancën e kupolës drejtuese të APD, shumë shpejt do ta kthejnë portën hyrëse të vendit, në terrenin  ku korrupsioni, kontrabanda dhe trafiqet, kanë sigurinë e tyre maksimale, pasi kanë edhe mburojë politike. Këto fenomene negative dhe të turpshme, po shoqërohen nga largimet masive nga puna duke nisur nga administrata, rojet e sigurisë portuale, e deri tek punëtorët e krahut, duke i zëvendësuar ata me inefiçentë dhe njerëz që asgjë nuk i ka lidhur dhe nuk i lidh me portin detar të Durrësit. Futja e sekserëve edhe në territoret portuale, padyshim është një shenjë e keqe për imazhin e vendit, progresin dhe të ardhmen e bizneseve që operojnë përmes rrugëve detare. Në Portin e Durrësit,  thuhet tashmë, një batutë “ikën sekserët e PD, erdhën të PS dhe LSI, po këta të fundit qenkan lubi, duan gjithçka për vete”.

 Artur AJAZI