Emergjenca e “lirimit” ose “çlirimit” të bankës, prej bandës “Fullani”

480
Sigal

Domosdoshmëria e lirimit të bankës nga pengmarrja. Gjoni, Milo, Kule, Civici, mbajnë peng drejtimin e bankës për të fshehur krimin

Tashmë, guvernatori Adrian (Ardian) Fullani gjendet brenda “kafazit”, ku futen të gjithë eksponentët, të cilët kur janë të lirë e në poste të larta shtetërore abuzojnë me detyrën dhe në vend të japin llogari për abuzimet dhe krimet që kryejnë, përdhosin ligjin dhe shoqërinë si “letër higjienike”. Këta, në vend të administratave profesionale, krijojnë klika dhe “çeta” drejtuesish e zyrash me familjarë të tyre, të politikanëve e qeveritarëve, me shokë, miq e individë kontingjent krimesh. Këtë zullum bëri edhe guvernatori Fullani, duke e kthyer bankën e shtetit në “mejhane” dhe “han” pa porta, ku punonjësit e drejtues mbushnin edhe brekët me miliona dhe largoheshin sikur të kishin mbledhur lakra. Tashmë, Fullani dhe inspektorja e tij, “fullanesha” Elivar Golemi që gjithë fodullëk i bëri karshillëk Kuvendit, gjenden përballë drejtësisë bashkë me një “çetë” prej 17 zyrtarësh “ushtarë” të bindur të tyre, të cilët me miratim dhe heshtje të lejuar prej Fullanit dhe “fullanëve” të Këshillit Mbikëqyrës, hapën “gropën e zezë” të vjedhjes 713 milionë dollarësh në Thesarin e Shtetit. Arrestimi i Fullanit dhe i “fullaneshës” hundëpërpjetë Golemi, natyrisht që, është starti i shpëtimit të Bankës së Shtetit, por jo shpëtimi i saj i plotë prej “thonjve” të krimit.

 Banda shkarkoi kapobandën, për të shpëtuar “lëkurën” e vet

 Pas vjedhjes kriminale të miliardave të Thesarit të Shtetit, banda “Fullani” e quajtur zyrtarisht “Këshilli Mbikëqyrës”, zhvilloi 3 mbledhje urgjente. Dy mbledhjet e para, të inskenuara nga kapobanda Fullani, ishin “teatër” për të fshehur përgjegjësinë e plotë të kapobandës Fullani dhe bandës (Këshillit Mbikëqyrës) në këtë vjedhje “historike” të bankës së shtetit e, për të shtyrë në harresë krimin e ndodhur, siç ndodh prej 24 vjetësh në Shqipëri, me çdo krim që ka për autor e përgjegjës krerët e lartë dhe familjarë të politikës, shtetit dhe pushtetit. Të dy mbledhjet e para të bandës “Fullani” u organizuan nga Fullani, u drejtuan nga Fullani, foli vetëm Fullani, doli i “pastër” Fullani, u propozua nga Fullani vazhdimësia në detyrë e Fullanit dhe u lexua deklarata nga Fullani, për “pastërtinë” e Fullanit. E vetmja që ishte dhe mbeti e vetme për largimin e Fullanit dhe të bandës “Fullani” nga drejtimi bankës, ishte Ermelinda Meksi. Pas futjes së Fullanit në “kafaz”, banda “Fullani” me emërtesë zyrtare “Këshilli Mbikëqyrës”, u mblodh për herë të tretë pa Fullanin, por e drejtuar nga “fullnesha” Elisabeta Gjoni. Edhe në këtë mbledhje, sipas informacioneve që janë bërë publike tashmë, “ushtarët” e bandës “Fullani” Dhori Kule, Petraq Milo, Adrian Civici e Elisabeta Gjoni, nuk kanë pranuar të shkarkojnë kapobandën e tyre, Fullani, nga posti i Guvernatorit, paçka se ai ishte futur dhe mbeti në “kafazin” e drejtësisë. Ka qenë presioni i Ermelinda Meksit, që ka detyruar bandën “Fullani” të votojë shkarkimin. Veçse, jo në zbatim të ligjit dhe Statutit për krimin e ndodhur si përgjegjësi e Fullanit, por për të shpëtuar “lëkurën” e tyre të regjur me abuzime dhe për të vazhduar të jenë në kupolë-parajsën financiare të Bankës së Shtetit, të cilës prej 10 vitesh i kanë “rrjepur lëkurën” dhe së fundi i zbrazën edhe thes(arin).

 Domosdoshmëria e lirimit të bankës nga pengmarrja

 Nëse do hapen dhe kopsiten mirë “letrat” e veprimtarisë së bankës së shtetit, patjetër që do zbulohet, se aty është bërë batërdi abuzimesh me buxhetin e bankës dhe krim institucional me veprimtarinë e saj transaktive brenda e jashtë vendit. Ai që ka komanduar këtë batërdi është Fullani. Ata që kanë firmosur e përfituar nën komandën e tij të shpërblyer, janë ata që nuk pranonin ta shkarkonin Fullanin, konkretisht “çakejtë” e kupolës së kësaj bankë-bande Gjoni, Kule, Milo, Civici, Golemi. Nëse ata janë ende të lirë ngaqë ende nuk janë “lexuar” gjithë “kartat” e punëve të bankës “Fullani”, kjo nuk do të thotë se janë të “pastër” dhe se nuk do të bëhen “komshi” me “kafazin” e Fullanit, Golemit e Bitrajt. Përpëlitjet e “kuartetit” kryebankar Gjoni, Milo, Kule, Civici për të mbajtur peng drejtimin e bankës së shtetit edhe pa kapobandën e tyre Fullanin, nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për të fshehur krimin. Qëndrimi në drejtimin e bankës, nuk sjell gjë tjetër veçse thellimin e humnerës së destabilitetit të sistemit shtetëror e privat bankar në Shqipëri. Nuk mund të vazhdojnë të jenë në drejtimin e bankës, ata që e shkatërruan si institucion, që e zhvatën, që e përdorën si “lavatriçe” ndërkombëtare, që e vodhën dhe baltosën bankën qendrore të shtetit Shqiptar. Nuk është e tepërt të bëjmë krahasimin, që banda “Fullani” është tipike si bandat “ISIS”, që kanë marrë dhe po mbajnë peng për 10 vjet Bankën e Shtetit, me fund ekzekutimin e saj si pasuri dhe institucion. Në mbledhjen e tretë, bashkë me shkarkimin e kapobandës Fullani, ata duhej të ishin larguar vetë, ta linin të lirë “pengun” bankë. Një sekondë e më parë, ata duhet të lëshojnë bankën nga pengmarrja, ose duhet future në veprim rruga tjetër.

 Emergjencë shtetërore, “çlirimi” i bankës prej bandës “Fullani”

Këshilli Mbikëqyrës i bankës së shtetit, ose siç quhet që prej 24 korrikut 2014 “Banda Fullani”, nuk dha dorëheqje. Anëtarët e kësaj bande, nuk do ta japin dorëheqjen edhe sikur 100 vjet të mos veprohet prej shtetit, për t’i larguar. largimi për ta është “lule”, se në fakt duhet të ishin bashkë me Fullanin, Bitrajn, Golemin dhe “çetën” e bandë-bankës që gjendet në pranga. Ata qëndruan jo se janë të “pastër”, përkundrazi janë më të ndotur se Fullani, Golemi e Bitraj, por nuk u larguan sepse duhet të bëjnë krime të tjera, për të mbuluar krimin e 713 miliardë lekëve e shumë zullumeve të tjera, të bëra me votën, firmën dhe “pazaret’ e tyre me shpërblimet, pagat, blerjet, tenderimit, transaksionet bankare brenda e jashtë Shqipërisë, me miliardat që duheshin asgjësuar dhe mbaheshin në sistemin bankar, ose merreshin e futeshin në “dyshekë”, në llogari bankare jashtë kufijve ose tjetërsoheshin në vila e biznese. Karshillëkun e treguar prej bandës “Fullani” në mbajtjen peng të bankës, duhet ta ndëshkoj shteti me urgjencë. Kryeministri dhe parlamenti duhet të ndërhyjnë urgjent për ta “çliruar” Bankën e Shtetit nga banda “Fullani” që e ka marrë peng dhe nuk e lëshon. Kjo është emergjente për t’u bërë, mbasi nuk bëhet fjalë për të “çliruar” një dhomë konvikti nga një zaptues i pastrehë, por për të shpëtuar bankën nga “kthetrat” e 4-5 “çakejve” të babëzitur, të pajisur me mandat parlamentar, “lukunia” familjare dhe nepotike e të cilëve ka mbushur dhe po përdor privatisht e barbarisht gjithë postet, thesarin, buxhetin dhe shërbimet e kësaj banke.

Arrestimi i Fullanit, Meta: Mbështetje Prokurorisë!

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka thekuar se, mbështet vendimin e Prokurorisë në lidhje me vazhdimin e hetimeve të mëtejshme.  Meta theksoi, se qeveria do të respektojë Kushtetutën. “Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar lidhur me skandalin që ka të bëjë me vjedhjen e Bankën e Shqipërisë. Do të thotë mbështetje Prokurorisë dhe gjyqësorit për të hetuar deri në fund këtë skandal dhe për të vendosur pikat mbi i. Do respektojmë vendimin drejtësisë. Maxhoranca do respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe do punojnë për të konsoliduar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe për të rritur integritetin e saj. Do bashkëpunojë edhe me partnerët ndërkombëtarë si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Komisionin Europian”.

Rama takon Guvernatoren në detyrë  Qeveria do mbështesë pavarësinë e BSH-së

Kryeministri Edi Rama zhvilli dje një takim me Guvernatoren tashmë në detyrë, Elisabeta Gjonin, duke i shprehur asaj mbështetjen e qeverisë ndaj institucionit që ajo do të drejtojë. Rama i ka shprehur asaj qëndrimin e qeverisë e të shumicës qeverisëse në mbështetje të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe të ekipit të teknicienëve të institucionit. Rama ka shprehur po ashtu besimin e tij të plotë se Banka e Shqipërisë do të dalë më e fortë dhe më e sigurt dhe me transparente nga ky proces i vështirë. Më tej Rama ka vlerësuar se, sistemi bankar në tërësi është solid e në rritje të ndjeshme.

Rama takon Nishanin: Të sigurohet qëndrueshmëria në BSH!

 Pas arrestimit të ish-Guvernatorit Ardian Fullanit, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në BSH, Rama ka ndarë me Nishanin pikëpamjet për situatën e re të krijuar në Bankën e Shqipërisë, pas arrestimit të ish-Guvernatorit Ardian Fullani. Sipas informacioneve që përcjell zyra e shtypit në Kryeministri, pikëpamjet e tyre kanë qenë plotësisht konvergjente lidhur me domosdoshmërinë e sigurimit të një vijimi sa më të qëndrueshëm të punës së Bankës së Shqipërisë. “Ndërkohë që, në çdo hap të mëtejshëm drejt normalizimit, duhet mbajtur parasysh, qoftë forcimi i pavarësisë së institucionit, qoftë garantimi i standardeve më të larta të profesionalizmit në drejtimin e Bankës së Shqipërisë”,-thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

 Mijëra euro dëme për ambientet me qira të Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë është akuzuar për shpenzime marramendëse për një mori ndërtesash të kushtueshme që i përdor për zyra. Aktualisht godina qendrore e Bankës së Shqipërisë është në rikonstruksion dhe ka tejkaluar afatet duke shpenzuar miliona lekë plus. Debati më i madh në lidhje me shpenzimet për ambiente zyrash ka qenë për ish-hotel “Dajtin”. Banka e Shqipërisë i’a bleu këtë godinë në qendër të Tiranës, shtetit të atëhershëm në vlerën 30 milionë euro. Në atë kohë, u deklarua se blerja e kësaj ndërtese ishte e domosdoshme, për të shtuar ambientet e Bankës së Shtetit. E megjithatë, pas disa viteve në ish-hotel “Dajtin” nuk ka asnjë ndërhyrje. Aktualisht, stafi i Bankës së Shqipërisë është i vendosur në një godinë në Pazarin e ri, ku paguan mijëra euro qira në muaj. Kjo godinë është marrë me qira në periudhën e nisjes së rikonstruksionit të godinës Qendrore të BSH-së. Por nuk mbarojnë këtu mbledhja e fundit e Këshillit Mbikëqyrës është zhvilluar në ambientet e një kompleksi në Rrugën e Dibrës, ku zv/guvernatorja dhe një pjesë e stafit kanë zyrat. Po ashtu, edhe në këtë kompleks, Banka e Shtetit paguan çmime të kripura për ambientet. Një tjetër objekt në pronësi të Bankës Qendrore është edhe vendi, ku mbahet Thesari, në Linzë. Gjithashtu, edhe për këtë ndërtesë, Banka paguan shuma të mëdha parash. Si ndër institucionet më të rëndësishme në vend, Banka e Shqipërisë ka edhe 5 degë në rrethet: Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Lushnjë si dhe Qendrën e saj Kërkimore në Berat.

Përparim HALILI