Një tjetër krim mjedisor po ndodh në lumin Fan, pas ndotjes alarmante në lumin Vjosa. Mësohet se fabrika e përpunimit të bakrit ‘Ber Alb’ po shkarkon mbetjet e saj industriale në lumin Fan, pa asnjë filtrim apo kontroll. Ndotja nis që në digën e fabrikës, ku mbetjet sterile të bakrit lëshohen në rrjedhën e lumit. Uji që del nga fabrika bashkohet me lumin e pastër, duke transformuar krejtësisht rrjedhën natyrore dhe duke përçuar ndotjen në disa fshatra të Njësisë Administrative Gjegjan. Një nga banorët e zonës tregon se ndotja ka prekur rëndë parcelat bujqësore që ujiten me ujin e lumit. Ai i bën thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë urgjentisht. Uji dhe shtrati i lumit kanë marrë një ngjyrë të errët, tipike për ndotjen nga metale të rënda.