Zvarritja e vettingut në polici, Fishta: Duhej shtyrë afati, jo ndryshim në ligj

331
Sigal

Sindikata e punonjësve të policisë shprehet se zvarritja e procesit të vettingut në radhët e policisë është bërë për shkak të ndryshimit të ligjit por dhe prej ndërhyrjeve të jashtme. Sadetin Fishta shprehet se ndryshimi ligjit për herë të 3 e dobëson procesin, pasi SHÇBA është e detyruar të vlerësojë efektivët dhe pa nisur procesi i vettingut. 

Vettingu në radhët e policisë është pezulluar prej një muaji, ku pas propozimit për ndryshimin e ligjit, seancat janë anuluar.

Me ndryshimet e reja krahas komisionit të jashtëm të vlerësimit, efektivët do filtrohen dhe nga SHÇBA, një strukturë ekzistuese prej disa vitesh.

Zvarritja e këtij procesi sipas sindikatës së policisë është bërë për shkak të ndërhyrjeve të jashtëm, por dhe mungesës së personelit, dhe burimeve njerëzore të kualifikuara.

Fishta: Për shkaqe tëndërhyrjeve që mendojmë ne janë jashtëzakonisht të mëdha në atë komision. Edhe për shkaqe të mungesës së personelit të kualifikuar për këtë detyrë.

Sipas kreut të sindikatës, Sadetin Fishta, ndryshimet në ligj duhet të shmangeshin, pasi mjaftonte që të shtyhej afati për vlerësimin e drejtuesve të lartë, pasi ndryshimet e shpeshta në ligj e dobësojnë procesin.

Fishta: Të vetmen gjë që mnund të kemi qenë dakord ka qenë shtyrja e afatit të vettingut jo ndryshimi thelbësor i ligjit nga varianti i parë pasi do t’i bjerë vlera me kalimin e kohës dhe do të zhvlerësohet. 

Kreu i sindikatës gjithashtu shprehet se zvarritja e procesit është barrë e rëndë për efektivët, që mund të ndikojë në punën e përditshme të tyre.

Fishta: Dashje padashje kjo reflekton dhe në detyrën dhe performancën që ka çdo punonjës policie në realizimin e detyrave që ka. 

Filtrimi i punonjësve të policisë ka nisur rreth një vit më parë, ndërsa deri në fund të qershorit duhej të vlerësoheshin 300 drejtues të lartë.

Deri më tani kanë kaluar në sitë vetëm 20 prej tyre. Mospërmbushja në kohë e objektivave detyroi ministrinë të ndryshojë ligjin.