Ergus Alushi: Një qytetërim i lashtë ndodhet në vendin ku do ndërtohet landfilli i Vlorës.

592
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ditën e enjte projektligji për ndërtimin e landifillit të Vlorës. Dy deputetët e Vlorës, Fatmir Toçi dhe Eduard Leka, kanë relatuar në lidhje me projektligjin, duke i bërë thirrje deputetëve që ta votojnë ndërtimin e landfillit të Vlorës. Ata kanë folur për anët pozitive të landfillit, I cili sipas tyre do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë Vlorën e rrethinat e saj nga mbeturinat dhe dëmet që shkaktohen prej tyre. Asnjë prej të dyve nuk ka thënë asnjë fjalë për zonën në të cilën do të ndërtohet landfilli, që është në Sherrishtë, 8 kilometra larg qytetit të Vlorës.
Ndërtimi i landfillit
Landfilli do të ketë një kapacitet përpunues prej 350 mijë ton mbetjesh, për të arritur deri në 1 milion ton. Qeveria gjermane ka akorduar një hua prej 12 milionë eurosh për ngritjen e infrastrukturës, si dhe 2 fonde në formë granti në vlerat e 7.5 dhe 1.3 milionë eurove. Sipas marrëveshjes së arritur, 20.8 milionë euro janë për ndërtimin e të gjithë infrastrukturës, që nga mbledhja e ndarja e mbetjeve në burim, transportim dhe trajtim në landfill i mbetjeve. Landfilli do të ndërtohet në zonën e Sherrishtës dhe do të sigurojë lëndën e parë për industrinë e riciklimit, pas ndarjes së mbetjeve në burim. Impianti do të ketë teknologji moderne, pasi parashikon ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, redukton çlirimin e gazrave dhe ka një kapacitet të lartë për përpunimin e mbetjeve të riciklueshme dhe të kompostuar, deri në 350 mijë tonë.

Në Sherrishtë
Ndërsa dy deputetët e Vlorës ishin duke folur në Kuvend për ndërtimin e landfillit dhe të mirat e tij, në vendin e caktuar për ndërtimin e Landfill, arkeologu i vjetër dhe i njohur I qytetit, Novruz Barjamaj, u tregonte gazetarëve për zbulimin e rëndësishëm arkeologjik, pikërisht në këtë vend.

Sipas arkeologut, historianit e muzeologut Barjamaj, u desh caktimi për ndërtimin e landfillit në këtë zonë, për të zbuluar ndoshta një vendbanim shumë të lashtë prehistorik. Zona, e njohur me emrin Frashër, për shkak të pemëve me të njëjtin emër që janë rritur aty, është një pllajë e madhe që shtrihet poshtë kalasë së Kaninës dhe fshatit Drashovicë. Zoti Barjamaj tregon se në vitin 2015, drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës së Vlorës i kishte dërguar një shkresë zyrtare këshillit të qarkut, ku i kërkonte ardhjen në vend të ekspeditave të mirëfillta arkeologjike, pasi sipas specialistëve të kësaj drejtorie, në zonë kishte fragmente qeramike dhe ashkla stralli. Gjetjet arkeologjike gjenden mbi tokë, shihen me sy të lirë, duke qenë tregues të faktit, se ato janë me shumicë në këtë zonë. Për arkeologun, objektet e gjetura janë vegla pune të përgatitura nga njeriu para 50 mijë vjetësh, duke pretenduar se ndoshta bëhet fjalë për një qytetërim të lashtë të hapur, shumë herë më të lashtë se Kanina, Vlora e rrethina të tjera.

Me shumicë në zonën janë edhe nukleuset, gurë nga i cili janë përgatitur veglat e punës prej guri, qeramika e djegur dhe qeramikat e kohës së Mesjetës, çka dëshmon për një qytetërim që ka jetuar gati në të gjitha etapat e qytetërimeve. Nëse do të ndërtonim një hartë arkeologjike të zonës, vendi ku do të ndërtohet landfilli ndodhet pikërisht në mes të kësaj harte. Interesant është fakti, se zona është e rrethuar nga objekte e vende të lashta, si kalaja e Kaninës, shpella e eremitëve, manastiri, gurorja e vjetër e Drashovicës dhe Shashicës, fabrika më e madhe e perandorisë osmane për përgatitjen e saçmeve që ndodhet në fshatin e vjetër të Drashovixës dhe vende të tjera.

Arkeologu Barjamaj i bën thirrje Ministrisë së kulturës dhe ASHA-s, që të dërgojnë ekspedita të mirëfillta arkeologjike në zonë, pasi është i bindur, se poshtë tokës ndodhet gjurmët e një qytetërimi nga më të lashtët të zbuluar ndonjëherë në Shqipëri. Ai shprehet se nuk është kundër ndërtimit të landfilleve, por nëse zbulohet qyteti poshtë tokës, ai mund të ndërtohet në tjetër vend.

Reagime
Banorët e zonës përreth, duke filluar që nga Kanina, Sherrishta, Qishbardha e deri në Drashovicë, janë shprehur kundër ndërtimit të landfillit në Frashër, pasi sipas tyre, tymrat që do të çlirohen prej djegies së mbeturinave do të ndotin zonën dhe rrezikojnë jetën e tyre. Sipas shkencëtarëve është i njohur dëmi që shkakton sidomos për mushkëritë, tymrat dhe avujt që çlirohen nga djegia e mbeturinave, duke shkaktuar sëmundjen e pashërueshme që njihet ndryshe, kancer. Bariu i zonës F. Z. Shprehet, se pllaja ku është caktuar të ndërtohet landfilli është një kullotë e mirë për zonën, është një nga vendet më të bukura të krahinës dhe, nëse aty vijnë mbeturinat e Vlorës dhe rrethinat, zona do të vdesë. I të njëjtit mendim është edhe banori i fshatit aty pranë, D. L., i cili shton se banorët e fshatrave nuk duhet të lejojnë që në mes të tyre të ndërtohet një landfill që do të sjellë përditë me tonelata mbeturina.
Sigal