Jakup B. GJOÇA
Prokuroria e Përgjithshme ka paditur KQZ-në për mosrespektimin e ligjit të Dekriminalizimit!
Me doza ironie dhe hipokrizie, kryetari i KQZ-së, pohon publikisht, se nuk di …asgjë për këtë denoncim dhe se informohet nga …media! Kur prokuroria e Përgjithshme padit KQZ-në për mosrespektimin e ligjit të Dekriminalizimit, do të thotë, se KQZ-ja, i institucion kushtetues i pavarur nga Ekzekutivi, nuk zbaton Ligjin e Dekriminalizimit, që të evidentojë të gjitha rekordet kriminale të deputetëve dhe të kryebashkiakëve, si edhe të marrë vendimet përkatëse.
Kryetari I KQZ-së vepron si kamikaz politik i Kryeministrit
Nuk është paaftësi profesionale, që KQZ-ja nuk zbaton, nuk respekton Ligjin e Dekriminalizimit. Dhe, kur Prokuroria e Përgjithshme padit penalisht KQZ-në për mosrespektimin e Ligjit të Dekriminalizimit, përgjegjësia penale bie tërësisht mbi kryetarin e KQZ-së. Mirëpo, siç është procedura e përzgjedhjes së kryetarit të KQZ-së, kryetari aktual i KQZ-së është emëruar nga kryeministri Edi Rama për të kryer misionin politik në shërbim të interesave politike të kryeministrit Edi Rama. Deri tani, kryetari aktual i KQZ-së e kryen më së miri misionin politik që i ka ngarkuar kryeministri Edi Rama, pa u shqetësuar aspak, nëse me veprimet dhe mosveprimet si kryetari i KQZ-së bie ndesh me Ligjin! Mosrespektimi i Ligjit të Dekriminalizimit të KQZ-së, sipas padisë penale të Prokurorisë së Përgjithshme, bëhet me qëllim nga Kryetari I KQZ-së, në shërbim të interesave politike të kryeministrit Edi Rama. Kryeministri Edi Rama është i interesuar që Ligji i Dekriminalizimit të mos respektohet nga KQZ-ja, sepse janë të zgjedhurit e tij, deputetë dhe kryebashkiakë socialistë, që kanë rekorde kriminale, të cilat i kanë fshehur, pavarësisht se kryeministri Rama ka dijeni të plotë! Nëse kryeministri Rama nuk ka dijeni për rekordet kriminale të të zgjedhurve të tij deputetë dhe kryebashkiakë, atëherë sërish përgjegjësia politike e kryeministrit Rama është e madhe!
Kryetari I KQZ-së si dora e stërzgjatur e Kryeministrit në KQZ
Para disa ditësh, kryetari i KQZ-së u mundua të bëjë një atentat kushtetues, duke u munduar të përcaktojë kritere (joligjore) për regjistrimin e partive politike në listën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017. KQZ-ja është institucion Kushtetues për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por kurrsesi KQZ-ja nuk mund të nxjerrë ligje, kritere, urdhëresa që të përcaktojë ligje, kritere për regjistrimin dhe pjesëmarrjen e partive dhe të kandidatëve në zgjedhje elektorale. Kryetari aktual I KQZ-së tentoi që të përcaktonte “kritere” të regjistrimit të partive politike në listën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017, duke përcaktuar që paraprakisht çdo parti politike duhet të sjellë në KQZ një listë emërore me 5.000 firma të anëtarëve dhe simpatizantëve që e mbështetin partinë politike! Kaq flagrant është shkelja e Kushtetutës së Shqipërisë, edhe e Kodit Zgjedhor nga kryetari i KQZ-së, kur u kërkon partive politike listë emërore me 5.000 firma, për t’i regjistruar në listën zgjedhore, saqë ky kryetar i KQZ-së “harron” që Ligji në Shqipëri i kërkon çdo partie politike 300 firma për t’u regjistruar si subjekt politik në Shqipëri. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ-ja mund të mos e regjistrojë një parti politike në zgjedhjet e ardhshme elektorale, në qoftë se kjo parti politike është financuar në zgjedhjet e kaluara elektorale me shumë më të madhe sesa i takon në bazë të ligjit, sipas rezultatit zgjedhor që arriti në zgjedhje dhe, po në bazë të Ligjit, nuk i ka kthyer këto financime të përfituara padrejtësisht! Këtë ligj të Kodit Zgjedhor, kryetari i KQZ-së nuk e merr parasysh, sepse ka parti politike, që ishin në koalicion zgjedhor me PS në 2013 dhe 2015, që përfituan financime elektorale më të mëdha se rezultati zgjedhor, por që nuk i kanë rikthyer. Kryetari I KQZ-së, në kësi rastesh, qëllimisht, nuk e zbaton Kodin Zgjedhor, sepse zbaton interesat politike të kryeministrit Rama, për të “mos e prishur” politikën me partitë politike që janë vagonë të koalicionit elektoral të PS-së, pavarësisht, se kjo është një shkelje e qëllimshme e Kodit Zgjedhor nga KQZ-ja! Ndërkohë, që kryetari i KQZ-së, duke u vënë tërësisht në shërbim politik të Kryeministrit Rama, kërkon të nxjerr vendime të KQZ-së, të atilla, që të bëhet pengesë e regjistrimit si subjekt zgjedhor të partive politike, që dëmtojnë interesat elektorale të PS-së, duke paracaktuar kriter regjistrimi në listën zgjedhore të çdo partie politike. Kështu, kryetari i KQZ-së, kërkonte nga LIBRA, të dorëzonte në KQZ një listë emërore me 5.000 firma për regjistrimin e kësaj partie politike si subjekt zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017, ndërkohë, që ka parti politike që në zgjedhjet e 2013-s, edhe pse nuk morën as 100 vota, kanë përfituar miliona lekë financime elektorale! Kryetari i KQZ-së, kërkon që të mos regjistrojë LIBRA në listën zgjedhore, sipas udhëzimeve politike, që ndoshta ka marrë nga kryeministri Rama, nga frika e kryeministrit Rama se LIBRA do të ketë elektorat në 18 qershor 2017 nga elektorati socialist!!! Këto qëndrime dhe veprime tërësisht partiake të Kryetarit aktual të KQZ-së rrezikojnë transparencën e procesit zgjedhor, por paralajmërojnë se edhe vetë rezultati zgjedhor mund të manipulohet nga vetë KQZ-ja, që është një shtojcë politike e PS-së!!