Fatos Ribaj: Arti, e vetmja gjuhë që bashkon të gjithë popujt

992
Sigal

Intervistë me piktorin kallaratas në Itali, Fatos Çaush Ribaj: VLERA E VËRTETË E NJË VEPRE ARTI ËSHTË, SA AJO I REZISTON KOHËS

-ARTI ËSHTË E VETMJA GJUHË E PËRBASHKËT QË LIDH E I BASHKON TË GJITHË POPUJT E BOTËS

Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ

Piktori, Fatos Çaush Ribaj,me origjinë nga Kallarati, u lind në Vlorë më 25 shkurt 1969, dhe aktualisht prej gati 30 -vjetësh, si shumë shqiptarë, jeton në Itali. Fëmijërinë dhe periudhën e adoleshencës i kaloi në Berat, pasi i ati ishte ushtarak. Pasioni ndaj pikturës bëri që të kryejë shkollën e mesme në Liceun Artistik në Berat dhe mandej Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, dega Pikturë, të cilën për shkak të lëvizjes demokratike të studentëve në vitet 90-të nuk e përfundoi, por emigroi në Itali, jo për arsye ekonomike, por siç shprehet vetë Fatosi, “Për të vetmin motiv që ishte dëshira e lirisë dhe e demokracisë e idealeve që në atë kohë mungonin”.  Edhe pse familjarisht i vendosur në Itali, Fatosi nuk e harron kurrë, Kallaratin, Vlorën dhe Beratin dhe është i gatshëm të kontribuojë, qoftë me hapjen e një ekspozite personale në Tiranë dhe Vlorë, ndërsa për Kallaratin, vendlindjen e të atit, pikësynimi i tij është të pikturojë ”Fshatin e Djegur”, siç ka qenë para djegies nga andardët grekë më 1914, me shtepitë e tij karakteristike e të bukura, të ndërtuara në pllajë, rrëzë Bogonicës.

Si u lindi dëshira për t’u bërë piktor dhe cilat ishin shtysat për këtë zgjedhje?

Dëshira për t’u bërë piktor më tepër ka qenënjë prirje nga rethanat që mëjanë krijuar që në vegjëli, jo se kam trashëguar diçka në këtë drejtim nga prindërit ose të afërmit.Natyra e bukur dhe e ashpër kur shkoja me pushime nëvendlindjen e babit në Kallarat, ka ndikuar jo pak, por që u përforcua akoma më shumënë qytetin e Beratit, ku kalova vitet e vegjëlisë dhe të adoleshencës, nëqytetin e “njëmijë dritareve” siç quhet. Aty u frymëzova edhe më shumë dhe fillova të bëj vizatimet e para, ashtu thjesht në letër ose më saktë në fletoren e vizatimit të asaj kohe. Vizatimet e para në letër ndikuan pastaj që unë të konkuroja për në shkollën e mesme në Liceun Artistik të Beratit, të cilën e përfundova 1987. Më vonë vijova shkollën e lartë në Institutin e Arteve në Tiranë, dega  Pikturë, të cilën edhe pse nuk e përfundova, për shkak të lëvizjeve demokratike të viteve 90-të, mora një formim më të plotë profesional, se të bëhesh piktor e ta meritosh këtë emër nga publiku, duhet një punë më e gjatë.

Cilën konsideron si pikturën e parë të daljes tuaj në publik dhe si e zgjodhët? 

Dalja e parë në publik, flas për ekspoziatat e para që organizoheshin në shkollë ka qenë një portret i gjyshes time, Pajame Ribaj, një grua labe, një nënë dhe gjyshe shumë e veçantë për mua. Kur ajo vinte te ne në Berat, duke qenë ulur në kolltuk, i bëja shumë vizatime. Gjyshja ishte nje nga modelet e mia të preferuara, se ajo rrinte kohë të gjatë e ulur ne kolltuk, duke folur me ato fjalët e ngrohta e tepër tëëmbla me pjesëtarët e familjes time dhe unë gjeja mundësinë për ta pikturuar duke skicuar në letër portretin e saj që me të drejtë do ta quaja portreti i “Nënës Labe”. Portreti i saj u vlerësua si një pikturë e veçantë dhe me nivel të lartë, ajo ishte një pikturë me stil impresionist dhe jo realist. Edhe sot që kanë kaluar shumë vite ndihem shumë i lumtur që realizimi i portretit të gjyshes më dha nxitjen që pasionin tim për pikturë ta vazhdoj më tej. Si gjithmonë gjyshet për nipërit dhe mbesat mbeten idhuj në jetë.

A mundët në Shqipëri të ushtronit profesionin e piktorit?

Nga Shqipëria kam ikur shpejt, aty nga viti 1991, dhe nuk pata kohë dhe mundësi reale për të ushtruar profesionin e piktorit. Në Liceun Artistik të Beratit dhe në auditoret e Institutit të Lartë të Arteve, unë mora bazat e para të pikturës, të cilat me vajtjen në Itali më ndihmuan jashtëzakonisht që të ushtroj me shumë qejf e pasion profesionin e bukur të piktorit.

Si përfunduat në Itali, shkuat si emigrant për arsye ekonomike për të punuar ku mundet, apo si një mundësi për të ushtruar profesionin e piktorit?

Vitet 90-të më gjetën në auditoret e Institutit të Arteve. Ishte koha kur lëvizja studentore dhe mbarë kombëtare ishte ngritur në këmbë ndaj sistemit komunist. Proceset demokratike sollën mundësinë për tëlëvizuar edhe jashtë kufijve të vendit, e cila më parë ishte e pamundur. Ashtu si shumë të rinj shqiptarë edhe unë u nisa drejtë Italisë, jo për arsye ekonomike, por për të vetmin motiv, që ishte dëshira e lirisë dhe e demokracisë, e idealeve që në atë kohë mungonin osé mësaktë sa kishin filluar të shfaqeshin në vendin tonë. Flitet për kohën kur bëheshin ndryshimet e mëdha politike dhe shoqërore, kur diktatura po zëvendësohej me demokracinë, ishte viti 1991. Nuk kisha probleme ekonomike, ishte një moment epokal për gjithë vendin tonë.

Si u krijuan për ju mundësitë e ushtrimit të profesionit të piktorit në Itali?

Në Itali kur erdha gjeta një realitet krejt tjeter. Për një emigrant nuk ishte e lehtë. Në fillim u detyrova të bëja punët më të rënda, që nuk më kishin shkuar kurrë ndërmend, por isha i detyruar për të përballur jetesën. Gradualisht me ambientimin me vendin, me rregullat në komunitet, arrita të njihem me artistë dhe njerëz të artit dhe të kulturës italiane, ku fillova të frekuentoja edhe vajtjen në veprimtari të ndryshme në shoqata artistësh. Kjo gjë më ndihmoi që më vonë të më krijohen hapësira të ushtroj profesionin e piktorit për të cilën ëndërroja.

Kë lloj pikture pëlqeni më shumë dhe pse?

Për artistin, arti nuk njeh kufi për të vetmin motiv, dëshirën për t’u shprehur nëpërmjet tij. Por kam kaluar disa etapa të ndryshme të stileve tëpikturës. Më ka pëlqyer shumë portreti, peisazhi dhe kompozicioni. Në Itali fillova të pikturoja peisazhe të ndryshme nga natyra e vendeve ku kalova dhe pjesën më të madhe të jetës time, por këto peizazhe i bëja me një frymë nga vinte prejardhja ime, pra Shqipëria dhe mbresat e kujtimet që më kishin ngelur në mendje e zemër i transmetoja në këto peisazhe. Kohët e fundit po esperimentoj pikturën abstrakte, duke mos lenë mënjanë dhe peisazhin. Janë faza që piktori kalon në veprimtarinë e tij artistike, për të gjetur vetveten dhe për të krijuar origjinalitetin e tij në fushën e artit.

Duke qenë se aplikoni më shumë pikturën abstrakte, çfarë është piktura abstrakte, cilat janë tiparet kryesore të saj?

Piktura abstrakte është një shprehje artistike si gjithë të tjerat, por me të vetmin ndryshim që ka të bëjë me ndjenjat e brendëshme të autorit. Ajo është një improvizim i momentit dhe nëpërmjet saj piktori kërkon të komunikojë me shikuesin pa një ide të qartë vizive, por shumë domethënse nga ana mendore.

Ç’përfaqëson rryma e Abstraksionizmit dhe si konsiderohej ajo në Shqipëri para viteve 90-të dhe sot?

Arti modern abstrakt është një rebelim ndaj artit të mëparshëm figurativ, hedh poshtë të gjitha regullat akademike të krijuara gjatë gjithë historisë mijravjeçare të tij dhe për këtë motiv bëhet akoma dhe më tërheqës. Në Shqipëri arti abstrakt ka qenë i panjohur dhe për më tepër i ndaluar. Para viteve 90-të, arti abstrakt konsiderohej si një frymë borgjeze dhe kapitaliste, kurse sot do të thoja që ka hyrë dhe interpretohet nga shumë artistë të njohur shqiptarë si brenda dhe jashtë vendit.

Kush janë përfaqësuesit botërorë më në zë të kësaj rryme në të kaluarën dhe sot?

Arti abstrakt ka filluar të shfaqet që në fillim të shekullit 19-të dhe autorët e parë kanë qenë: Vasili Kandisky dhe Zhak Delaunay, të cilët hapën rrugën e pikturës moderne abstrakte.

 

A ke marrë pjesë në ndonjë ekspozitë në Itali, apo qoftë edhe vend tjetër? Po ndonjë çmim a ke fituar?

Po kam marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në shumë vende të Italisë, Francës dhe Austrisë. Në këto ekspozita kam marrë edhe shumë çmime me emrat e piktorëve të mëdhenj italianë si: “Raffaello Sazio” në Firence, “GiorgioVassari” në Grosseto, “Michelangelo Buonarroti” në Romë, “Cristoforo Colombo” në Genova e shumë çmime të tjera.  Pikturat e mia sot ndodhen në galeritë më të njohura të Italisë si: galeria “Orler”, në Venezia, galeria “Malinpensa” në Torino dhe galeria “Meringi” në Genova dhe disa prej tyre dhe në Amerikë.

Përveç kënaqësisë profesionale të marrurit me art, pikturë, a të jep fitim financiar?

Në radhë të parë piktura dhe arti në përgjithësi të jep kënaqësinë shpirtërore, që nuk ta japin eurot dhe dollarët sado shumë qofshin ato. Por megjithatë si çdo punë e profesion tjetër edhe profesioni i piktorit ka të ardhurat e veta financiare, që janë të nevojshme për të jetuar vetë dhe familja. Por do të thoja se, për një artist që trajton tema jo komerciale, për një artist që dëshiron të pasqyrojë vetveten në art, rruga e artit për të është më e vështirë se sa e dikujt që bën panorama osé që kopjon artistë të tjerë.