“Mbusha 76 vjeç, jam plakur, por vende-vende”!…

593
Sigal

INTERVISTA/ Flet “Artisti i Popullit”, Albert Vërria, personazhi i shumë personazheve

Më 3 shtator “Artisti i Popullit” Albert Verria, mbushi 76 vjeç. Pasi e kishin uruar miqtë dhe festuar në familje, artisti dha një intervistë për “Telegraf”, duke përcjellë mesazhin se njeriu duhet të punojë dhe të mos jepet, të bëjë gjëra të dobishme për shoqërinë, sido që vitet bëjnë të tyren dhe “vende-vende”, sipas tij nuk mund të jesh ai që ke qenë më parë. Në këtë 76- vjetor të jetës së tij Albert Verria, vjen me librin e tij.

Si u ndjetë sot, që festuat 76- vjetorin e lindjes. Në të vërtetë nuk të jepni përshtypjen, dukeni i ri, ndonjë gabim në regjistrimin në gjendjes civile?

Sot jam 76 vjeç, nuk ka asnjë gabim. Ju them se kam lindur më 3 shtator të 1936-s. Madje dua të them se kam lindur duke zbardhur dita dhe jam shkëputur nga nëna, teksa po lindte dielli.

Cili është kuptimi i mbiemrit tuaj, Vërria. Mos ka të bëjë me tokën djerrë. Ka tokë në pronësi Albert Verria?

Kam dëgjuar që Vërria është tokë, por besoj se prejardhja e mbiemrit ka ardhur nga ndonjë emër qyteti. Unë pronar toke? Kish lënë im atë ca brezare, por mbeta gjyqeve.

Ju kanë uruar?

Sigurisht dhe unë i falënderoj të gjithë dashamirësit e mi, kudo ndodhen, që shprehen konsiderata me superlative. Dikush më preku kur më telefonoi: Urime për ditëlindjen, por ti Albert Verria do të mbetesh në kujtesën e brezave. Dikush tjetër më thërriste nga ana tjetër e rrugës: Kapedan, je i pavdekshëm, pse e tillë është karriera jote, personazhet e tu, që i ndjekim vazhdimisht. Një artdashës, që kish dëgjuar në TV se kisha ditëlindjen, më ndaloi e tha: Qëndro fort, Kapedan dhe mos harro gratë. Duke dëgjuar këto urime të drejtpërdrejta dhe shaka, natyrisht më vjen mirë se vlerësimi që të bën populli yt, është çmimi më i lartë për një krijues.

Çfarë ka ndryshuar nga 3 shtatori i një viti më parë?

Njësoj si në 75- vjetorin, asgjë nuk ka ndryshuar. Jam njësoj, energjik, i kudo ndodhur, veçse në këtë shtator kam sjellë një gjë të veçantë. Librin tim, “Rrëfim Paradoksal”. Gjithashtu, po punoj për një monodramë “Pa maska”, ku demaskoj pafytyrësinë e njerëzve, makutërinë e tyre. Monodrama mbyllet me thirrjen: O njerëz, hiqeni maskën dhe dilni me fytyrën tuaj të pastër, për të mirën tuaj, të vendit ku jetoni.

Kujtoni se kur keni filluar t’i festoni ditëlindjet dhe cila prej tyre ka lënë gjurmë në jetën tuaj?

Në të vërtetë ditëlindjet e mia, kanë kaluar në punë e sipër dhe nuk mund të them se sa herë e kam festuar, por ajo që dua të theksoj është përkujdesja e familjes, për të kujtuar datën e lindjes sime, duke më bërë edhe surpriza. Unë kujtoj festimin e 75- vjetorit, një vit si sot, pasi mbylla kapitullin e karrierës sime, qoftë në teatër apo edhe në kinematografi, por vazhdoj aktivitetin tim tashmë në krijimtari.

Karriera juaj në teatrin “Petro Marko”, sa role keni interpretuar?

Nuk e di saktë, por mbi 90 role janë në skenë dhe 40 në kinematografi, por kam një brengë rreth kësaj që po diskutojmë. Më vjen keq që nuk janë regjistruar dhe shumë role të spikatura, kanë mbetur thjeshtë në memorien e artdashësve. Sigurisht, kjo brengë është për të gjithë artistët që kanë interpretuar në atë periudhë.

Po në kinematografi?

Fatmirësisht të gjitha rolet që kam interpretuar janë në celuloid, që nga roli i parë, që është një personazh i dehur, që shkonte pas një bashkëpunëtori shkencor, me një skenar të Kadaresë, por që nuk e kujtoj emrin. Vijoj me një rol të vogël, por pikant tek “I teti në Bronz ” dhe më pas erdhi roli i Kapedanit, Xha Sulos.

Sa role keni interpretuar në skenën e Teatrit të Vlorës dhe ju ka rënë rasti t’u ndjekin udhëheqësit e kohës?

Të gjitha rolet në këtë skenë janë interpretuar. Po kam rastisur që të jap para Enver Hoxhës një numër estrade, titulluar “Zëri i gruas”, ku unë isha personazhi kryesor. Sapo kish dalë problemi i emancipimit të gruas. Enveri kish ardhur me pushime dhe pa këtë shfaqje në sallën e Teatrit të Vlorës. Sikurse na tha sekretari i parë i partisë, Enveri ishte prekur dhe falënderon për interpretimin. Ka ndodhur edhe njëherë tjetër në “Teatrin Popullor”, në një pjesë të Milian Stefës, ku unë isha regjisor, shfaqjen e pa Mehmet Shehu dhe kur mbaroi shfaqja, na mbledh drejtori i Teatrit, Riza Hajro dhe na thotë: Kryeministri Mehmet Shehu u shpreh, duke m’u drejtuar mua, se “nuk keni vetëm ju të Teatrit Popullor teatër, por ka edhe Vlora”. Ky ishte një vlerësim i madh për ne.

 Cilat janë planet krijuese për vitet e ardhshme?

Kam në dorë një monodramë tjetër, titulluar “Skena e vdekjes”. Në përmbajtjen e saj, evidentoj etjen për pushtet, është një përmbledhje e tragjedive që nga antikiteti greko-romak dhe deri në mesjetë, por që është aq aktual edhe në ditët e sotme. Apeli është: Ndal krimit, o njerëz! Ndërsa përsa u përket personazheve, ato janë brenda meje, janë disa dhe të gjithë do të dalin e do të bëhen pjesë diskutimi për shikuesit, për të mbetur në kujtesën e tyre.