Xhaxho Plaku : Qan Golëmi qan me lot, pret djemtë që ti dalin zot!

492
Sigal

I nderuar Kryeministër aktual .
I nderuar Kryeministër i pas 25 Prillit !
Të “nderuar” ministra e pushtetar ! Jam një Golëmas me banim në Sarandë , i lindur dhe rritur në Golëm të Gjirokastrës , jam një taksapagues i rregullt. Mendoj se ka ardhur koha e ora të ktheni sytë e të shikoni edhe pak Golëmin tim, Golëmin e golëmasve, Golëmin e Gjirokastrës, Golëmin e Shqipërisë sepse më duket se po bëni realitet një gjë të pabesueshme.


Po veçoni Golëmin si të ishte një mini Republikë e huaj nga ku shikoni kërcënim dhe dëshironi ta shikoni të rrënuar dhe në gërmadha . Po pse duhet ti hidhni sytë ? A ja vlen të investohet në Golëm ? A ka resurse ku vlera e investimit të justifikohet ? U’a them me bindje PO, por së pari çfarë investimi kërkon Golëmi ? Rrugë, ujë dhe drita . Rruga ka shkuar deri në të dalë të fshatit Kolonjë, ngelen dhe rreth 5.5 km rrugë Kolonjë – Golëm, rrugë në terren malor. Drita …… kërkon një transformator energjie dhe lidhjen e linjës në sistemin unik. Uji …… rrethohemi me ujë e ujë nuk pimë. Po pse të bëhen këto investime ? Po sepse në të gjitha programet tuaja të të gjitha krahëve politike një nga pikat kryesore prioritare është turizmi. E Golëmi për turizëm ju garantoj që është në nivel me Dardhën e Korçës si lartësi mbi nivelin e detit, si klimë dhe si nga reshjet e dëborës. Në Golëm në verë mbarështrohen nga 14 -15 mijë krerë bagëti të imta. Mirëpo këto i ruajnë dhe u shërbejnë njerëz dhe në Golëm, beharit jetojnë rreth 70-80 familje. Po ju nuk i keni parë sepse s’janë votues në Golëm, por janë votues në Gjirokastë , Sarandë , Tepelenë, Vlorë, Fier, Tiranë, Elbasan, Lushnje, Durrës etj, sepse në vitin 1990 Golëmi ka patur 242 shtëpi por janë larguar nga kushtet e vështira e ju mbase investimet i planifikoni me vota. Në Golëm ska dimër që të mos bie dëborë. Të dëgjova z.Kryeministër në një bashkëbisedim me gazetarët në Korçë dhe the mund të investojmë për një pistë të dytë në Dardhë apo në Moravë. Golëmi e ka gati pistën rreth 1.3 km pistë natyrore nga Kalbaqi e në fshat ndaj lekët e pistës së dytë të Korçës, bëji rrugën e Golëmit e kështu bëhesh me dy pista, me dy destinacione turistike, dhe me një rrugë të re. Kështu lidh gjithë Kurveleshin me Himarën. Po çka tjetër Golëmi për destinacion turistik ?


Ta them unë z.Kryeministër, ka një thesar që se ka askush në Shqipëri. Në Golëm është varri i Gjergj Aranit Komenit. Dy, tre studiues e kërkues mund ti azhornosh për këtë gjë. Nga Golëmi që po humbet si fshat është edhe shkencëtari me famë botërore, Bilal Golëmi. Në Golëm bëhet një mjalt që rrallë e gjen në Shqipëri sepse bleta kullot çaj, rigon e trëndelinë. Mënyra e vendosjes së fshatit të befason edhe nga pamja e forma sepse duket si një amfiteatër natyral i krijuar as nga grekët, as nga romakët, as nga Ilirët, por nga dora e zotit.  Golëmin mund ta kthesh rezervat e park kombëtar të kafshëve të egra si (derri, lepuri, thëllëza, sorkadhja , etj) dhe për gjueti të paguar shtrenjtë nga turistët e huaj, z.Kryeministër, sepse më beso italianët e grekët e kanë gjetur Golëmin dhe bëjnë gjueti, si është e mundur që nuk e gjejnë pushtetarët ? Golëmi kufizon tre rrethe me Gjirokastrën të cilët janë: Me Vlorën (kufi me Kuçin), me Sarandën ( kufi me Fterrën) dhe me Tepelenën (kufi me Progonatin). Golëmi ka plot resurse e vepra arti natyrore që nëse bëhet rruga dalin në pah e marrin vlera.


Thonë, z,Kryeministër aktual dhe Ti i pas 25 Prillit, që Golëmasit janë duke bërë një pakt mes vetes për kushtëzimin e votës e pse jo edhe për protesta të organizuara në vende të caktuara. Golëmasit, zotërinj kryeministra, ministra e pushtetarë nuk para pyesin parti para shtëpive të tyre që po u rrënohen, para fëmijëve të tyre që s’dinë origjinën se s’shkojnë dot nga rruga dhe përpara ujit të Kalbaqit që kanë pirë. Ne kemi dhënë prova edhe në sistem më të egër që dimë të bashkohemi . I nderuar, z.Kryeministër aktual dhe Ti i pas 25 Prillit, ju lutem mos na i lini të bien shtëpitë tona, sepse janë gjaku dhe djersa e të parëve tanë. Ju po ndërtoni e riparoni dëme tërmeti e në Golëm s’ka tërmet që i rrëzon nëse nuk keni plan ta shuani si fshat.
Shënim disa të dhëna janë marrë nga disa shkrime të bashkëfshatarëve të tjerë si Abas Goxhaj, Gjergji Bizhga, Adriatik Klleci, etj..