“Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, RENEA arreston 40 vjeçarin në Lezhë

541
Sigal

Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar është arrestuar mëngjesin e ditës së sotme në fshatin Godull, të Lezhës.

Në këtë operacion të koduar “Godull 2020” janë angazhuar DVP Lezhë, Komisariati i Policisë Kurbin, Forcat Speciale “Renea” dhe Interpol Tirana.

Policia njofton se ka rrethuar sot banesën e shtetasit A. J. alias A. Zh., 40 vjeç, duke bërë të mundur prangosjen e tij.

I arrestuari ishte person i shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës Parë Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grabitja me armë”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Njoftimi i plotë:

Kapet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit dhe të vjedhjes me armë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “GODULL 2020”.

Operacioni, nga DVP Lezhë, Komisariati i Policisë Kurbin, Forcat Speciale “Renea” dhe Interpol Tirana.

Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit maksimal në përmbushje të detyrave për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në këtë kuadër, në bazë të informacioneve të marra nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin, për vendndodhjen e një shtetasi shumë të kërkuar, në bashkëpunim me Forcat Speciale “Renea” dhe Interpol Tirana, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “GODULL 2020”.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në kushte të larta sigurie, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Godull, forcat e Policisë kanë rrethuar banesën e shtetasit A. J. alias A. Zh., 40 vjeç, duke bërë të mundur prangosjen e tij.

Shtetasi i lartpërmendur ishte person i shpallur në kërkim kombëtar nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi Gjykata e Shkallës Parë Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grabitja me armë ”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 20 vjet burg.

Materialet i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.