“Rilindja Urbane” në kohë virusi, 7 mln euro tendera të rinj për fasada

430
Sigal

Qeveria Shqiptare nuk lë rast pa treguar se prioriteti i saj kryesor është fasada dhe propaganda.

Në një situatë tejet të vështirë, kur sistemi shëndetësor dhe ai ekonomik po rrënohen me shpejtësi për shkak të korona-virusit, Edi Rama ka vendosur të shpenzojë jo pak, por plot 7 milionë euro për rikonceptim dhe rikualifikim sheshesh, në atë që konsiderohet si “Rilindja Urbane”.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur së fundmi 4 tendera të rinj, me një vlerë totale për mbi 8 miliardë lekë të vjetra (rreth 7 milionë euro) për përmirësimin e shesheve në Fier, Kamëz, Burrel dhe Kavajë.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, është konstatuar se tenderat e rinj të hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe vlerat përkatëse të tyre janë si më poshtë:

“Rivitalizimi i Rrugës ”Andon Profka” dhe i hapësirave përreth saj, Bashkia Fier”. Fondi i parashikuar për këtë tender është : 123,833,333 lekë (të reja) pa tvsh dhe afati i përmbushjes së kontratës është 6 muaj.

Ndërhyrje e integruar për përmirësimin e konektivitetit dhe rikualifim urban në Bashkinë e Kavajës”. Fondi për këtë tender është parashikuar në vlerën :179,166,666 lekë të reja pa TVSH. Afati i përmbushjes së kontratës është 7 muaj.

Rikualifikimi urban i Bllokut në qendër të Kamzës. Fondi i parashikuar në këtë tender është 385,530,020 lekë të reja pa TVSH dhe afati i përfundimit është 9 muaj.

Rehabilitimi i sheshit “Ahmet Zogu” dhe parkut “Geraldinë” në Qytetin e Burrelit”, me fond 114,388,988 lekë të reja pa tvsh, me afat përfundimi 9 muaj.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është struktura që do të menaxhojë pjesën më të madhe të fondeve të siguruara nga Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve, e organizuar pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019 në Shqipëri.

Ndërkohë që pritet të shpallen fituesi i tenderit gjigand prej 50 milionë euro për rindërtimin e pjesshëm në disa nga zonat e prekura nga lëkundjet sizmike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka menduar të prokurorë edhe rreth 7 milionë euro të tjera për “Rilindjen Urbane”./boldnews