Viti 2013, i humbjes dhe vjedhjes së energjisë elektrike

905

Skandal/ Vetëm 28 % e shqiptarëve dhe enteve publike e private paguajnë energjinë elektrike

Prodhimi i energjisë elektrike ka arritur vlerën më të lartë të prodhimit në tre vitet e fundit, veçanërisht, duke u rritur me 47 % krahasuar me një vit më parë, pra në 2012. kjo energji, rezulton të jetë prodhuar 100 % në hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël të vendit tonë, duke shënuar një ecuri pozitive. Kjo gjë është konstatuar nga një hulumtim i bërë nga Open Data Albania, ku ndër të tjera thuhet se, ka si rrjedhojë e rritjes së prodhimit ka çuar dhe në rënien e importit të energjisë, ndërsa është rritur me gati pesëfishin eksporti i saj, kundrejt vendeve fqinje si, Kosovë e Greqi. Open Data Albania ka hulumtuar mbi ecurinë e prodhimit të energjisë elektrike, importin dhe eksportin e saj gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, 2000-2013. Janë konstatuar këto përfundime:

-Në vitin 2013 prodhimi i energjisë elektrike arriti në rreth 7 milionë MËH, duke shënuar edhe vlerën më të lartë të tre viteve të fundit.

-Prodhimi 2013 u rrit 47% kundrejt vitit të mëparshëm, që konfirmon edhe ecurinë pozitive të këtij sektori në vend.

-Energjia është prodhuar 100% nga hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël, ndërkohë që prodhimi nga termocentralet është mbyllur që prej vitit 2008, me mbylljen e TEC-it të Fierit dhe dështimit për të vënë në punë TEC-in e Vlorës.

-Rritja e prodhimit të energjisë nga hidrocentralet vjen si pasojë e shtimit të shpejtë të operatorëve privatë që kanë në koncesion HEC-e të vogla në zona të ndryshme të vendit. Energjia, një nga sektorët më potencialë të ekonomisë kombëtare, ka tërhequr me qindra milionë euro investime në ndërtimin e hidrocentraleve në vend, nga investitorë të brendshëm dhe të huaj.

-Rritja e prodhimit të energjisë ka çuar drejt rënies importet.  Importet u reduktuan 28% kundrejt vitit të mëparshëm, duke zbritur në 2.3 milionë MWH në fund të vitit 2013. Kjo është edhe vlera më e ulët që prej vitit 2010.

-Eksportet nga ana tjetër kulmuan gjatë vitit 2013 në 1.4 milionë MËH, thuajse pesëfishin kundrejt vitit 2012. Duket qartë që, prodhuesit vendas kanë tregtuar një pjesë të mirë të energjisë së gjeneruar jashtë, kryesisht në Rajon si, Kosovë e Greqi. Energjia elektrike konsiderohet sot si një nga produktet më potenciale për eksportet shqiptare drejt tregjeve të huaja.

-Por me gjithë rritjen e eksporteve, bilanci tregtar si diferencë shitje e blerje e energjisë elektrike ka vijuar të mbetet negativ. Ndonëse 3.8 herë më i ulët se në vitin 2012. Në fund të 2013-s bilanci i energjisë elektrike shënoi rreth -900 mijë MWh, vlera më e ulët që prej vitit 2006.

 Vetëm 28 % e shqiptarëve paguajnë energjinë elektrike

Gjithashtu, Open Data ka hulumtuar mbi ecurinë e konsumit dhe humbjet e energjisë elektrike gjatë periudhës 2000-2013. Energjia e konsumuar është sasia që kanë konsumuar konsumatorët familjarë dhe të biznesit. Nga hulumtimet e bëra është dalë në këto përfundime:

-Në fund të vitit 2013 konsumi i energjisë arriti në 4.5 milionë MWH, duke u rritur kundrejt një viti më parë me 4%.

-Konsumi i energjisë elektrike ka ardhur vazhdimisht në rritje, duke mbetur në nivele të larta, duke zënë mbi 65% të totalit të energjisë së prodhuar.

-Shqipëria mbetet ende një vend shumë i varur nga konsumi i energjisë elektrike për qëllime të ndryshme. Familjet e përdorin atë thuajse për të gjitha shërbimet brenda në shtëpi, ndërkohë që përdorimi i burimeve alternative të energjisë mbetet i limituar.

-Në fund të vitit 2013, niveli i humbjeve elektrike arriti sasinë më të madhe të 13 viteve të fundit, duke shënuar 3.3 milionë MWh. Kundrejt një viti më parë humbjet janë rritur 1.7%. Humbjet e energjisë në rrjet është energjia e pafaturuar që konsumohet nga konsumatorët familjarë apo biznesi, e cila gjenerohet nga sistemi vendas i energjisë, për të cilën nuk arkëtohet asnjë e ardhur. Pjesa më e madhe e saj përvetësohet, ndërkohë që një pjesë tjetër humbet gjatë transmetimit dhe shpërndarjes për shkak të infrastrukturës së amortizuar të rrjetit.

-Raporti humbje me konsum është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit duke shënuar 72.6% në fund të vitit 2013. Ky tregues konfirmon rritjen e shpejtë të vjedhjes së energjisë gjatë 2012-2013, duke shënuar edhe nivelin më të lartë që prej vitit 2000.

 

Me rritjen e prodhimit, rritet dhe çmimi i energjisë elektrike

 Pavarësisht rritjes në gati 5 fish të energjisë elektrike krahasuar me vitin 2012 dhe rritjes së fuqisë blerëse, ajo çka ngelet më skandalozë është fakti që, çmimi i energjisë po vjen gjithnjë e më shumë në rritje. Mjafton të rikujtojmë këtu deklaratën e ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili deklaroi heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 kw dhe çmimin e njësuar tashmë në vlerën midis 7.7 kë/orë me 13.7 kë/orë. Kjo automatikisht rrit çmimin për 75 % të popullsisë që e ka konsumin mujor jo më të madh se 300 kw. Nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe rikthimin e fatura aforfe. Ky përbën një skandal, duke patur parasysh faktin që energjia elektrike prodhohet në vendin tonë, mbi të gjitha është energji që prodhohet nga hidrocentralet, që kanë një kosto relativisht të ulët në krahasim me ato të centraleve bërthamore apo energjisë që vjen nga nafta, e cila ka një kosto të lartë. Kjo energji shitet 5 fish më shumë nga kompanitë e dhëna me koncesion, duke patur një përfitim me 500 % nga kompanitë, gjë kjo që rëndon dhe varfëron xhepat e qytetarëve.

Skema e vjedhjes në OST

Energjia elektrike është malli më i kushtueshëm sot për sot në botë, por në Shqipëri vidhet në mënyrën më të paskrupullt dhe më të turpshme. Vetë shteti, megjithëse i ka mundësit dhe mekanizmat për t’i prerë rrugën kësaj marrëzie, nuk preokupohet shumë. Vjedhja e energjisë i intereson strukturave të ministrisë dhe atyre të sistemit elektroenergjetik në vend, duke filluar nga KESH, OST dhe CEZ. Sistemi i prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes funksionojnë në harmoni të plotë dhe se bashkëpunimi i tyre bënë që shumë humbje në transmetim dhe shpërndarje të justifikohen duke mos regjistruar prodhimin në orë të caktuara, dhe në këtë mënyrë treshja (KESH-OST-CEZ shtetëror) mbajnë në treg njeri –tjetrin. Një specialist dhe një personalitet i njohur shpjegonte se, humbjet ne rrjetin e transmetimit të përcaktuara me rregullore  janë standarde, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta. Fjala bie nuk është njëlloj humbja nga ekspozimi i fijeve në temperaturë 15 gradë apo 20 gradë, njëlloj sikur të ishte mbuluar i gjithë vendi me borë dhe temperatura nën 0 gradë. Por në, fakt llogaritjet e humbjes nga përcjellësit (telat) bëhet e njëjtë. Gjithashtu, kur temperaturat në verë e pranverë rriten, humbjet duhet të llogariten 0000. Por faktikisht nuk veprohet në këtë mënyrë. Dhe shtetit i vidhet një sasi që në fund të vitit llogaritet në miliona euro. Kësaj masakre po t’i shtohet edhe çmimi 500% i fitimit nga shteti dhe privati i djeshëm (CEZ), atëherë kjo përbënë një tjetër skandal, ku një pakicë si rrugë të vetme kanë dhe duhet të kenë, të mos paguajnë dhe të biem rehat të gjithë. Kjo për t’i treguar gangësterve të shtetit dhe atyre që lyejnë flokët me xhel se, të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe jo ca të nënës dhe ca të njerkës. Ka edhe problem të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën se si dhe kush e bënë matjen e prodhimit të energjisë nga hidrocentralet. Kush dhe si bëhet matja e energjisë që eksportohet dhe importohet etj.. Për këto dhe shumë të tjera bashkë me përllogaritjet e çmimeve dhe fitimeve do jemi prezent në numrat e tjerë.