Panojot Gjiknuri dhe Ermal Beqiri të përgjigjen për ndërhyrjen te tatimet

466

Vendimi i GjK për të vazhduar hetimet për serverët e Tatimeve tregon që gradimi i Gjiknurit është gabim

Ngjarja, për të cilën akuzohet Panajot Gjiknuri, ka ndodhur në datën 22 nëntor të vitit të kaluar, kur stafi i IT-së te tatimet ka parë se të dhënat për katër vitet e fundit te Drejtoria e Tatimeve nuk rezultonin të ishin në sistem. Nga pamjet filmike të publikuara nga televizioni “News 24” duket se në këto data, Panajot Gjiknuri dhe grupi i auditit ka hyrë në Drejtorinë e Tatimeve. Ky i fundit, bashkë me grupin e autorizuar për auditin, kanë shkuar në zyrën e drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve dhe më pas duken të kenë hyrë në dhomën e serverëve. Videot tregojnë më pas disa persona në që në orët e vona të natës dalin nga dhoma e serverëve me kuti e qese në duart dhe pak minuta më vonë largohen nga Drejtoria e Tatimeve. Pas këtyre ndodhive Prokuroria e Tiranës ka hapur një çështje penale ku po hetohet zhdukja e të dhënave nga regjistri i bizneseve ndërsa Gjykata e Tiranës e la të lirë ish- drejtorin e IT-së duke vendosur masën “detyrim paraqitje”, ndërkohë që hetimet vazhdojnë. Ndërkohë që u zbulua dhe u bë publik edhe dokumenti “plani i auditimit të sistemit IT”, i cili rendit vetëm bazën ligjore mbi të cilën është urdhëruar kontrolli dhe nuk parashtron nëse ka pasur shkaqe konkrete ky kontroll. Në shkresë nuk parashtrohet nëse sistemi i të dhënave ka pasur ndërhyrje, sulme, kopjim apo tjetërsim dhe as sinjalizime për sigurinë. Baza e vetme mbi të cilën është kryer auditimi ka qenë urdhri i Ministrit të Financave, duke mos përmendur ndonjë ngjarje apo incident që të ketë nxitur kryerjen e kontrollit. Pikërisht mbi bazën e kësaj shkrese të datës 12 nëntor 2013, “grupi i auditit” ka shkuar në Ministrinë e Financave në orët e vona të mbrëmjes, në datat 14-15 nëntor 2013.

Ndërsa këto ditë Gjykata Kushtetuese vendosi që të pranojë kërkesën e opozitës për të vazhduar hetimet ndaj ndërhyrjes dhe zhdukjes së të dhënave nga serverët e Drejtorisë së Tatimeve, që ndodhi më 22 nëntor të 2013. Ndaj këtyre veprimeve jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë për ndëshkimin e një fajtori, por përkundrazi ata që mendohet se kanë ndërhyrë janë shpërblyer prej qeverisë. Kështu duket se Kryeministri Rama ka shpërblyer Panajot Gjiknurin, deri dje këshilltar i Ministrit të Financave, për zbatimin e zhdukjes së të dhënave me serverët e tatimeve. Kohët e fundit ai është emëruar drejtor i IT në Ministrinë e Financave. Këto nuk janë thjesht tymnaja, por edhe fakte që i ka denoncuar opozita, me deklarata për shtyp. Kryeministri Rama ka graduar në këtë mënyrë autorët e skandalit të madh në sigurinë tatimore të shtetit shqiptar. Duke i shpërblyer këta persona, ndaj të cilëve ka edhe kallëzim penal në Prokurori, dhe, që shpërblimi është i veprim i gabuar, e tregon edhe hedhja poshtë e kërkesës së maxhorancës që hetimet të ndalohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në përfundim të shqyrtimit të çështjes me kërkues një Grup Deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt (jo më pak se një e katërta e deputetëve); dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.66, datë 24.12.2013 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore”, si shkak për lindjen e mosmarrëveshjes së kompetencës. Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi si dhe prapësimet e ngritura prej subjektit të interesuar, me vendimin e datës 03.04.2014, njëzëri, vendosi të pranojë kërkesën dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një e katërta e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu vendosi deklarimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr.66, datë 24.12.2013 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore”.