Një burrë nga Myzeqeja

1754
Sigal

Nga Kozma GJINI

Si e burgosën  legjendën e Semanit, Llaqi Janko. Intrigat e hetuesve, prangosja, dosja me shpifje, leja krijuese e Ismail  Kadaresë  

 

…Atij ia bënë “varrin” për së gjalli në pikën kulmore të lulëzimit të suksesit. Nuk ishte se i ra dikujt më qafë. Nuk ishte se shkeli ndonjë ligj. Por ai, me vizionin e tij të drejtimit të ekonomisë së Semanit  të Fierit, duke notuar kundër rrymës…, e shkeli në kallo “elitën”. Doemos keqdashësit e prenë në besë, ia shtrydhën inteligjencën dhe ia ngulën thikën pas shpine. Trimi,  ky burrë i rrallë nga Myzeqeja, sot është një gjysmë njeriu. Shumë e dhimbshme. I sajuan një mijë akuza (gati të gjenin gjilpërën në kashtë) vetëm e vetëm që ta fundosnin. Dhe kë? Atë, që e nxori në dritë ekonominë e Semanit, duke rritur vlerën e ditës së punës. Atë, që ndërsa fshatarëve u kishte “mbirë” misri në stomak, u dha bukë gruri gjithë vitin. Atë, që u gjendej fshatarëve në çdo rast nevoje…”. Por ekonomia …duhej të mbillte edhe misër e pambuk me kubikë, paçka se kostoja e lartë binte mbi kurrizin e fshatarëve. “S’e përtypte dot nëpërkëmbjen Llaqi, më thoshte një ditë kolegu Pandeli Zaka. -Karakteri i tij nuk u vinte dot pas avazit  shefave…të rrethit apo të Tiranës”. Atëherë, si guxoi ky djalë i ri, Llaqi Janko, të bënte “vetadministrimin e ekonomisë” si Titoja? Llaqi kishte mbaruar arsimin e lartë për agronomi, kur rektor i Universitetit ishte Gaqo Tashko. Pas mbarimit me sukses të shkollës, nëse studentët e tjerë ishin në ethet e emërimeve (pra, do të shkonin ku të kishte nevojë atdheu), Llaqit i buzëqeshi fati dhe u emërua në fshatin e tij, Seman. Si ndodhi? Naunka Bozo, atëherë kryetare e kooperativës, rriskoi në një mbledhje t’i kërkonte  përballë Enver Hoxhës kuadro të rinj duke përmendur emrin e studentit Llaqi Janko. Kështu, pasi Llaqi mbaroi arsimin e lartë, u paraqit në rreth, ku, Piro Dodbiba  (Sekretar i Parë i KP) i tha:“Ti, Llaqi, e ke marrë emërimin… Që nesër të paraqitesh te Naunka dhe të fillosh punën në Seman”. Kooperativa e Semanit kishte 6 fshatra dhe në 1300 ha tokë merrte rendimente minimale. Studenti i ri iu përvesh punës si kryeagronom, së bashku me kuadrot e  tjerë. Me vizionin e tij bëri një revolucion në prodhimin e gjerë bujqësor e blegtoral dhe brenda vitit u përmbysën rezultatet. Në grurë: nga 12 kv/ha, mori 26 kv/ha; në misër: nga 15 kv/ha mori 40 kv/ha. Kur N. Bozo shkoi në rreth, Llaqin, unanimisht e zgjodhën kryetar të Semanit. Fshatarët, nën drejtimin e tij, po hanin gjithë vitin bukë gruri. S’ishte parë e dëgjuar në historinë e fshatit kjo gjë. Po kjo ishte thikë me dy presa për kohën, sepse direktiva…ishte që vetëm klasa punëtore të hante bukë gruri(!). Llaqi s’u mjaftua me kaq, por u hoqi edhe bukën me racion fshatarëve. Po përmirësohej dukshëm  jetesa në fshat. Semani u bë kështu vend pelegrinazhi për turistët dhe për kokat e institucioneve shkencore si: Mentor Përmeti, Themie Thomai, Skënder Gozhita, Alfred Xhoma, Adriatik Skënderi, Hysen Laçej nga Shkodra, Andon Papingji e Lutfi  Isufi etj. Në 1975 arriti shifrën rekord në grurë duke marrë në gjithë sipërfaqen  prej 800 ha grurë, 43,2 kv/ha. Shkurtimi i oborrit të fshatarit, kufizimi i bagëtive të trasha, heqja e së drejtës për të mbajtur disa lloje shpendësh, i “famshmi” tufëzim etj… e kishin rrënuar jetën në fshat. Në 1975 në Seman shkoi për “leje krijuese” shkrimtari Ismail Kadare. Ai qëndroi 15 ditë në Seman, por Llaqi e trajtoi shumë njerëzishëm gjë që ra në sy të hafijeve. Atëhere Kadarenë e hoqën që këtu dhe e çuan në fshatin “Agimi” të Libofshës. Atmosfera mbytëse e smirëzinjve punonte nëntokë. Për Llaqin u gjet një “zgjidhje”. “Ta ngremë në përgjegjësi, pastaj ta hetojmë me anën e…krimit ekonomik”.”Mjeti të justifikojë qëllimin”….Ndërkohë “gjuetia e shtrigave” krenohej me zbulimin e grupeve armiqësore. Llaqi Janko emërohet Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Bujqësisë. “Ta gradojmë… pastaj ta rrëzojmë!”. Ndërsa ai vazhdonte punën në ministri, “revizorët” hetonin të gjenin gjilpërën në kashtë në Seman që të kryqëzonin ish-kryetarin “rebel” të vetadministrimit, Llaqi Janko. Me paturpësinë më të madhe, Dega e Punëve të Brendshme i kurdisi një provokacion që ta fuste në lak. Ndërsa ai qëndronte në kinoteatër, i çuan një…që ta kapnin në flagrancë. Por Llaqi Janko nderin e kishte të shenjtë. Si u kopsit mirë e bukur “rrjeta e merimangës”… (dosja me shpifje), thirret për herë të fundit më 24 shkurt 1980. Duhej të pranonte dhe të firmoste: “Ke dëmtuar unitetin parti-popull”, “Ke përdorur praktika revizioniste në ekonomi”, “Ke bërë raportime fiktive në qeveri”, “E ke përdorur fondin sipas preferencave vetjake”, “U ke ndarë fasule fshatarëve më shumë se porosia”, “U ke dhënë fshatarëve bukë gruri gjithë vitin”…etj.  Për 6 muaj u terrorizua nga hetimi në gjendje të lirë e po ndiqej këmba-këmbës nga sigurimi. Erdhi dhe dita më e zezë e jetës. 27 qershor 1980. Ora 14:00. Bie telefoni i zyrës në ministri: “Jam …! -Po të pres poshtë…përpara ministrisë!” E nuhati Llaqi, por prapë s’e besoi të ishte kurth. Dezhurn te dera ishte Viktor Puka. Në asfalt, e priste hetuesi…“Do vish me mua  deri te “Teatri i Kukullave”! i tha ky, e futi në “BÇ” dhe…: “Në  emër të popullit je i arrestuar!”.U bë bujë e madhe në Tiranë. Arrestohet në mes të sheshit një funksionar i lartë i Ministrisë së Bujqësisë. Paraburgim në Tiranë, pastaj në Fier…I komunikohet akuza…sipas nenit 55/1, për agjitacion e propagandë…”. Po afronte dita e gjyqit. “Hë qen, firmose!”, i thotë hetuesi. Llaqi qe gati ta pështynte në fytyrë .Ishte katandisur kockë e lëkurë nga shëndeti. Arriti në 40 kg peshë. Ndonjëherë nga depresioni kishte menduar të vetësakrifikohej. U vendos që gjyqi të bëhej në Shtëpinë e kulturës të Semanit. Salla mbante 400 veta, ndërkohë populli jashtë shtrëngonte dhëmbët para kordonëve të  policëve. Më 21 janar duarlidhur me zinxhirë, e dërguan në Seman. Një gjyq “maskaradë”. Para këmbëve të tij kaloi gjykatësi: “Nëse do që të lehtësohesh, është mirë të pranosh akuzën!” i tha në “konfidencë” Llaqit ky, para se të fillonte seanca. Po përgjigja e Llaqit? “Ti ke ardhur të më gjykosh, apo të më bësh moral?” Filluan pyetjet:  Për çdo akuzë Llaqi përgjigjej: “Nuk është e vërtetë! Mashtrim! Nuk jam dakord! Gënjeshtër! E kundërshtoj! Pse nuk e lini popullin të hyjë në sallë e të flasë? I akuzuari po kthehej në akuzues. Kjo s’durohej dot. Në datën 22  janar vazhdoi seanca e dytë e gjyqit. Ja dhe PRETENCA: “Llaqi Janko dënohet me 15 vjet burg!” Jashtë derës së Shtëpisë së Kulturës populli protestonte për të hyrë në sallë. Po ç’ndodhi, kur do të dilte Llaqi nga salla? Veneracion i paparë. Mirënjohje dhe keqardhje. Fshatarët, burra e gra që fshinin lotët, i hidhnin çokollata e biskota në ajër, ndërsa policët i kapnin e i shkelnin me këmbë. E përplasën në qelinë nr.8, të DPB Fier. Më 8 mars  1981 dërgohet në burgun 313 në Tiranë. Gjatë 8 viteve burg nuk bëri asnjë ankesë, veçse e brente ndërgjegja: “Pse duhet të ndodhin të tilla gjëra në Shqipërinë tonë të vogël?” Kaloi si në pasqyrë jetën tij në birucë: “Çfarë kam bërë që të dënohem 15 vjet burg? Çfarë kam bërë, që mbi 7 muaj s’lejojnë të shoh me sy fëmijët, gruan, prindërit, vëllanë, motrat?” Sukseset, lavdërimet, emisionet televizive, shkrimet në gazeta, gjithë përvoja e Semanit u përmbys kokëposhtë. Në një kohë që mbante dekoratën për “Punë të Shquar në Ekonominë Bujqësore të Klasit I”, akorduar më 25.11.1976. “Pas një jave më çuan në Martanesh për të nxjerrë krom, tregon Llaqi.

-U sëmura rëndë në një kapanon ku flinin 40 veta. Më vizitoi mjeku  Agron Belishova, vëllai Liri Belishovës. Fshatarët që më vizitonin në birucë, më mbanin me kurajë dhe me bukë. Mos ki merak për shpenzimet, më thoshte vëllai kur vinte në takim- “Kontribuojnë të gjithë fshatarët me lekë për udhëtimin tim deri këtu. Dhe normën time në fshat, ata e bëjnë”. Konsideratat e fshatarëve i dhanë forcë Llaqit. Më në fund: Pas 8 vjet burg, më 14 janar, lirohet pas një amnistie. Në vitin 2001 u hap një panair libri në Tiranë. Vajti edhe Llaqi. Atje, sapo e pa Ismail Kadareja, u çua në këmbë, u përqafuan si miq të vjetër dhe e ftoi në shtëpi. Piu një kafe në shtëpinë e Kadaresë, kujtuan ato vite dhe shkrimtari i dhuroi librin “Pesha e kryqit” me këtë autograf:  “ Llaqi Jankos, kujtim nga vitet e errëta që përshkruhen në këtë libër, në shenjë miqësie dhe mirënjohjeje për mikpritjen në Seman, në prag  të kalvarit tënd. Ismail Kadare.8 Nëntor 2001”.