Shqipëria nuk i jep “llogari” Sekretariatit të Energjisë për inceneratorët

120
Sigal

 

Shqipëria nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me prodhimin e energjisë nga inceneratorët pranë Komunitetit të Energjisë. Ky i fundit ka publikuar raportin e Progresit për Zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Energjinë e Rinovueshme për vitet 2020 dhe 2021, të paraqitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vetëm pak kohë më parë, ku jepen të dhëna me zhvillimet që ka patur në këtë drejtim.

Por, në pyetjen ku Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kërkon informacion se si vlerësohet përdorimi i mbetjeve të biodegradueshme për prodhimin e energjisë dhe çfarë hapash janë ndërmarrë për të përmirësuar dhe verifikuar këto vlerësime, përgjigja e dhënë është se nuk ka informacion. Për periudhën raportuese inceneratori i Elbasanit ka qenë funksional, teksa fuqia e instaliar e impiantit është 2.85 MW.

Përveç akuzave dhe procesit gjyqësor që është duke u zhvilluar, nga pikëpamja energjetike ka patur një sërë zhvillimesh për këtë impiant dhe kryesisht me hartimin e një metodologjie për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë, që prodhohej nga djegia e mbetjeve.

Gjithsesi, Ministria e Infrastrukturës nuk ka përfshirë asnjë informacion në raportin e depozituar pranë Komunitetit të Energjisë…, teksa për shumë projekte të tjerë, sikurse është centrali diellor në Karavasta, ai i Spitallës apo ankandi i hapur për parqet e prodhimit të energjisë nga era është dhënë informacion i detajuar. Pjesë e progresraportit të paraqitur janë edhe centralet e vegjël të burimeve të rinovueshme të energjisë, si dhe të dhënat për energjinë nga biomasa e transporti.