Unioni i Gjyqtarëve: Angazhim në luftën kundër fenomeneve antiligjore në punën e gjyqtarëve

400
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit, që kanë lidhje me procesin e reformës në drejtësi dhe nisjen e procedimeve penale, kundër disa gjyqtarëve, të dyshuar për kryerjen e veprimeve korruptive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Unioni përshëndet nismën e ndërmarrë nga politika për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ftesën për të dhënë kontributin e tij në këtë proces, i cili ka si qëllim kryesor rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së dhënies së drejtësisë për qytetarin. Jemi të bindur se në këtë mënyrë do të forcohet dhe rritet besimi i publikut tek organet e drejtësisë në përgjithësi dhe gjykatat në veçanti. 
Që nga dita e themelimit të tij Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë nuk ka rreshtuar se theksuari se,mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve, punës së tyre, performancës dhe sjelljes së tyre brenda dhe jashtë zyrës. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë distancohet me forcë nga çdo fenomen antiligjor dhe inkurajon organet ligjzbatuese që të veprojnë fuqimisht dhe të ndërmarrin veprimet e duhura, në respekt të parimeve themelore të një procesi të drejtë penal, ndaj çdo fenomeni korruptiv, të konstatuar në çdo nivel të sistemit gjyqësor. Por, me keqardhje të thellë konstatojmë se, kohët e fundit përfaqësues të lartë të politikës po bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, duke anatemuar në mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim gjithë gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. 

 Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë për këtë fenomen dhe bën thirrje për ndaljen e tij pasi, nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend. Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal në luftën kundër çdo fenomeni antiligjor dhe jo etik të vërejtur në punën dhe jetën e përditshme të gjyqtarëve, sikurse dëshiron të theksojë edhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend.
Sigal