U shprehën pro Procesit të Berlinit/ Meta përshëndet qëndrimet e Osmanit dhe Gjukanoviçit: Duhet të qëndrojmë besnikë ndaj këtij projekti

144
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur qëndrimet e homologëve Vjosa Osmani dhe Milo Gjukanoviç kundër “Ballkanit të Hapur”.

Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se në këtë periudhë me sfida për sigurinë e Europës, rajoni duhet të qëndrojë besnik ndaj “Procesit të Berlinit”.

Sipas Metës, Procesi i Berlinit siguron bashkëpunimin e hapur rajonal drejt Bashkimit Europian.

Postimi i Ilir Metës:

I përkrah plotësisht qëndrimet e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për ta çuar përpara bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, i vendosur më së miri në shtratin europian të Procesit të Berlinit. Në këtë periudhë plot sfida për sigurinë dhe paqen në Europë duhet të qëndrojmë me vendosmëri besnikë të projektit strategjik të integrimit europian, duke refuzuar çdo shteg që del jashtë kësaj rruge. Procesi i Berlinit siguron bashkëpunimin e hapur rajonal drejt BE, duke mbetur të pandikuar ndaj projekteve që duan ta minojnë apo rivalizojnë këtë perspektivë. Sa më shumë Europë mes nesh, aq më shumë siguri, paqe dhe begati do të sjellë e ardhmja!