Teatri Shëtitës “Çajupi” sjell shfaqjen teatrore për fëmijë “Të shpëtojmë luginën”. Shkruar dhe me regji nga Kristi Serani, vepra teatrore luhet nga tre aktorë. “Të shpëtojmë luginën” do të jetë të shtunën dhe të dielën në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Humanët janë vendosur në luginë. Plani i tyre është të ndërtojnë një hidrocentral, duke dëmtuar rëndë ekosistemin. Kafshët organizojnë një kryengritje për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Një keqkuptim i bën që përballë kësaj situate të gjenden të vetëm dy nga më të brishtët. A do t’ia arrijnë ata vallë ta shpëtojnë luginën? Këto dhe të tjera do të tregohen në shfaqjen “Të shpëtojmë luginën” në sallën e muzeut gjatë fundjavës në orën 11:00. Përpara se të vinte në Tiranë shfaqja ishte dhe në Roskovec e Patos. Autor i veprës dhe regjisor Kristi Serani tregon se kjo është vepra e parë e tij në publik. Regjisori Kristi Serani thotë se shfaqja që do të jetë për fëmijët përcjell mesazhe. Serani thotë se frymëzimi për të shkruar këtë pjesë teatrore për fëmijë ishte nga ajo që ndodhi me luginën e Vjosës, në vendin tonë. “Pjesa për fëmijët “Të shpëtojmë luginën” do të jetë në Tiranë në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar. Një pjesë teatrore, që sigurisht përcjell dhe mesazhe. Në thelb të saj, të qëndrojmë së bashku dhe ti shkojmë gjërave deri në fund për të realizuar qëllimet tona. Për ta shkruar pjesën për fëmijë jam inspiruar dhe frymëzuar dhe nga protestat dhe iniciativat, që kanë bërë njerëzit për të mbrojtur luginën e Vjosës”, tregon Kristi Serani, autor dhe regjisor i pjesës teatrore.

Puna me shfaqjen
Pjesa teatrore për fëmijë “Të shpëtojmë luginën” do të jetë çdo të shtunë dhe të diel në sallën e muzeut. Në role janë Greta Baçi, Ergi Hasani dhe Kevin Rrapaj. Muzika Ergi Hasani dhe kostumografia Ersa Kana. Regjisori Kristi Serani vlerëson dhe bashkëpunimin, që është bërë me aktorët për këtë pjesë teatrore. “Nga aktorët dy janë për aktrim në studime dhe një për regji”, thotë ai. Kjo është premiera e parë si autor dhe regjisor i Kristi Seranit, një nga të rinjtë e talentuar të Teatrit Shëtitës. Vetë ai tregon se më parë ka qenë asistent regjisor te një projekt i regjisorit Kiço Londo, që më pas e ftoi për një pjesë teatrore. “Projekti i parë që kam bashkëpunuar me Kiçon në aktivitetin tim që sapo kam filluar ka qenë shfaqja me titull “Kur ikën macja”, ku unë isha si asistent regjisor. Duke parë këtë Kiço me ftoi si për hapa të parë të nisja një shfaqje, ku do isha unë regjisori dhe më shtyu më tej në punën time. Ta krijoja unë një shfaqje nga fillimi me aq sa do të mundesha. Më besoi këtë si shfaqje dhe më shtyu të nisja një punë të re”, tregon regjisori Kristi Serani. Teatri Shëtitës “Çajupi” këtë sezon artistik do të sjellë premiera të ndryshme teatrore, por nuk mungojnë dhe shfaqje repertori. Këtë sezon artistik nga Teatri Shëtitës “Çajupi” përzgjedhja e regjisorëve është po aq e larmishme. Sipas teatrit bëhet fjalë për krijues të rëndësishëm, regjisorë të brezit të ri që tashmë kanë bërë një rrugë shumë interesante, artistë që firmosin drejtimin e tyre dhe regjisorë të rinj në hapat e tyre të parë.




















