AMA dhe falimentimi i TV Lokale

1251
Sigal

Nga Kozma GJINI

“Të kam lajmëruar se do të të vras!”

Qyteti dhe fshatrat e nënprefekturës së Lushnjës janë aktualisht në terr mediatik.
Lushnja, nga java e kaluar, është pa media vizive. Kjo sëmundje po kërcënon edhe qarkun Fierit e më tej. Televizionet lokale ndjehen të penalizuar nga ligji i medias. AMA, në kuadrin e digjitalizimit u ka hyrë me sëpatë të madhe shkurtimeve… Rrjedhojë e disa kritereve, jashtë mundësive të tyre financiare, s’u mbetet rrugë tjetër veçse të dorëzojnë çelësat. Mbylli një TV në Fier dhe tani të vetmin televizion që kishte Lushnja. Tarifa mujore që TV i detyrohen TVSH-së, për qarkun e Fierit është 2000 euro. Kjo është një shifër e papërballueshme dhe e qëllimshme, që bëhet si presion ndaj TV lokale që të bjerë shi në arën e të madhit. Në këtë mënyrë, AMA, me një të rënë të shkopit po tenton të mbikëqyrë dhe më pas t’ i fundos mediat lokale, duke i hedhur hi syve publikut, duke i mbyllur komunitetit të vetmen dritare të afërt për t’ u shprehur. AMA nuk e ka testuar me ekspertë të mirëfilltë mundësinë dhe gjendjen financiare të mediave lokale. Ajo nuk e njeh fuqinë blerëse të tregut të rretheve. Në mbështetje të ligjit për digjitalizimin e mediave, AMA, ishte entuziaste se ky ligj do t’i shtonte mediat, por ndodhi e kundërta. E shqetëson kjo dukuri AMA-n? A rëndon kjo në kurriz të taksapaguesve, në kurriz të popullit i cili nëse deri më sot, sipas mundësisë paguese, ka marrë informacionin e mundshëm prej medias lokale, kurse tani ndodhet në terr? Kujt i leverdis kjo masë shtrënguese ndaj televizioneve lokale? “Digjitalizimi si proces është i mirë, por forma se si po ndiqet nga AMA është vrastare për mediat lokale. Po dhunohet liria e shprehjes dhe kjo rëndon mbi xhepat e qytetarëve, shprehet presidenti i TV Apollon të Fierit, z. Artur Rustemi, i cili ka 15 vjet që operon në tregun mediatik. 2000 euro në muaj për një media lokale është një shifër shumë e lartë, e cila s’ka asnjë bazë ekonomike dhe thjesht është për t’i mbyllur gojën popullit, shtresës së ultë e të mesme. Ne e njohim fuqinë ekonomike të trevës sonë, prandaj operojmë me logjikën e tarifave të arsyeshme, kurse ngritja e tarifave ia mbyll derën popullit. Kushdo qoftë, nëse deri tashti kishte një dritare ku të qante publikisht hallin,nga nesër e tutje, nuk do të këtë mundësi. Ku do të informohet qytetari mbi vendimet e pushtetit lokal, mbi aktivitetet shkencore, intelektuale, kulturore, bujqësore, shëndetësore, shoqërore e artistike, në mungesë të medias lokale? Ligji i medias nuk ka dalë si rezultat i një studimi të mirëfilltë financiar mbi të ardhurat e TV lokale në shkallë kombëtare. Vërtet AMA ka bërë takime me përfaqësues nga OSBE, por ana financiare nuk ka qenë objekt diskutimi. Ne e kemi përkrahur digjitalizimin, por me atë mendim që do të zgjeroheshin mushkëritë informative, ku me një frekuencë do të transmetoheshin 10 a 12 kanale dhe kjo në aparencë dukej pozitive, por në praktikë po ndodh e kundërta. Kjo është e qëllimshme, sepse jo vetëm nuk u zgjerua hapësira e shprehjes së shoqërisë civile, por u zvogëlua, sepse tregu nuk u liberalizua. Kjo lë shteg të aludohet se këtu luhet një korrupsion i madh…”peshku i madh e ha të voglin”…është një lojë e hapur për të dalë të fituar të mëdhenjtë.”Kërkojmë takim me ekspert kompetent të fushës televizive ndërkombëtare. Jam perfekt me të gjitha detyrimet ligjore, shprehet z. Astrit Hoxha, pronar “Radio Star”.Me ligjin e medias po bëhen dallavere që së pari prekin interesat e publikut. Këto bëhen për të sulmuar mediat lokale, se vetë ligji ka parashikuar që qarku të ketë 1 frekuencë për transmetimin digjital gjë që e kanë lënë në heshtje. Zgjidhja për mendimin tim është që televizionet lokale të kenë platformën e tyre në qarqet e tyre, pra të mos centralizohen nga qendra. Nuk na kanë marrë mendim për tarifat. Gjendja sot është agravuar, kështu që mediat do të dalin në protestë para AMA-s, në datën 8 tetor ora 11. Vërtetë kemi marrë takime me AMA-n, por kjo është njëlloj si të thuash: Të kam lajmëruar, se do të të vras! Po kush është viktima? Populli, publiku.