Skandal, KM rishpërndan fondet e Energjetikës, ia merr sigurisë në miniera dhe ia jep rrogave në ministri

571
Sigal


 Këshilli i Ministrave ka vendosur dje se më të rëndësishme janë pagat e punonjësve të ministrisë, (që janë inkuadruar në Programin e menaxhimit, planifikimit dhe administrimit), sesa siguria e në miniera. Kështu qeveria me anë të një vendimi ka shtuar në llogari të këtij programi shumën prej 3 600 000 lekësh, duke ia hequr këtë shumë mbikëqyrjes së standardeve teknike të hidrokarbureve dhe minierave. Edhe  pse kohët e fundit në vend po shtohen aksidentet në miniera duke lënë pas jetë të humbura, këshilli i Ministrave vlerëson se nuk është aq e rëndësishme kërkesa për standarde teknike nëpër miniera dhe hidrokarbure.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave, vendosi:

1. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:

 a) Në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime kapitale të brendshme”, shtohet fondi prej 3 600 000 (tre milionë e gjashtëqind mijë) lekësh.

b) Në programin “Mbështetje për mbikëqyrjen e standardeve teknike të hidrokarbureve dhe minierave”, zëri “Shpenzime kapitale të brendshme”, pakësohet fondi prej 3 600 000 (tre milionë e gjashtëqind mijë) lekësh.

 2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.