Taksimi i ri i pronës me vlerën e tregut rrit barrë për qytetarët

78
Sigal

Qeveria ndyshon formulën e taksimit të pronave në 61 bashki. Sfidat kryesore të procesit, nga kolapsi në kadastrën fiskale, ku janë hedhur vetëm të dhënat për gjysmën e ndërtesave. Ndarja e taksave në zonat urbane, në bregdet dhe si do bëhet llogaritja mbi bazën e tregut të shtëpive të ndërtuara këto vite. Qytetarët paguajnë 248 milionë euro detyrime “në terr”, për 23 taksat dhe tarifat

Pse kadastra fiskale e financuar vazhdimisht nuk po e përmbush objektivin e pritur për të populluar bazën e të dhënave në të 61 bashki për çdo pronë? Nga analiza më sipër e shtrirë në kohë dhe mbi fakte, pyetja që ngre me veten është? Pse po ndryshon pas 5 vitesh metodologjia e taksës së pasurisë?

Sa taksë për pronën do të paguajmë sipas formulës së re?

Qytetarët paguajnë sot si taksë për banesat e tyre 0.05% të vlerës së tregut, sipas çmimit referencë të zonës ku ndodhet banesa. Taksa e ndërtesës paguhet në faturën e ujit dhe shkon si zë në buxhetin e bashkisë. Bizneset paguajnë 0.2% të vlerës së tregut për ambientin ku ushtrojnë aktivitet dhe taksa për tokën bujqësore është sipas kategorive, që nënkupton varion sipas bashkive, zonave brenda bashkive, cilësisë së tokës etj. Taksimi do të bëhet me vlerën e tregut dhe jo me çmime referencë. Llogaritjet mbi bazën e tregut pa diskutim që do të thotë se do të paguajnë më shumë, ata që posedojnë prona në zonat urbane, në bregdet dhe mbi të gjitha në kryeqytet. Por ndërkohë që taksa e pronës ka nisur të llogaritet sipas vlerës së tregut në sistemin e kadastrës fiskale janë hedhur të dhënat për vetëm gjysmën e ndërtesave.

Për apartamentet e ndërtuara para vitit ‘93, mbi të cilat nuk është kryer asnjë transaksion, vlera e taksës do të llogaritet mbi 70 për qind të çmimit të shtëpisë.

Ndërsa për ato që janë ndërtuar pas vitit 1993, taksa do të llogaritet për të gjithë sipërfaqen që shfrytëzohet për banim.

Taksimi do të bëhet me vlerën e tregut dhe jo me çmime referencë. Llogaritjet mbi bazën e tregut pa diskutim, që do të thotë se do paguajnë më shumë, ata që posedojnë prona në zonat urbane në bregdet dhe mbi të gjitha në kryeqytet. Por ndërkohë që taksa e pronës ka nisur të llogaritet sipas vlerës së tregut në sistemin e kadastrës fiskale janë hedhur të dhënat për vetëm gjysmën e ndërtesave

Shembull si llogaritet sot taksa e ndërtesave

Detyrimi vjetor i taksës së pasurisë duke marrë në konsideratë çmimin e vlerësuar për një apartament llogaritet si më poshtë: Detyrimi vjetor i taksës = çmimi mesatar referues( sipas qytetit përkatës) x sipërfaqe (m²) x shkalla e taksës.

Referuar tabelës të aneksit 1 të vendimit, çmimi mesatar fiskal për zonën kadastrale 5/1 që zona e ish Bllokut dhe Librit Universitar, çmimi referencë është 190,000 lekë/m2. Vlera e një shtëpie me sipërfaqe 100 m2 është 19,000,000 lekë. Taksa është sa 0,05% e vlerës, pra 9,500 lekë në vit. Ndërsa taksa për apartamentet e privatizuara, për të cilat nuk është kryer asnjë transaksion shitblerje llogaritet se 70% e vlerës.

Për një familje që jeton në qytetin e Durrësit, në një shtëpi me sipërfaqe 100 m2, vlera e shtëpisë llogaritet 6,750,000 lekë. Çmimi fiskal për këtë qytet është 67,500 lekë/m2. Taksa do të jetë sa 0,05% e vlerës së shtëpisë, pra, 3375 lekë. Por, në rast se qytetarët kanë në pronësi një shtëpi, të cilën e privatizuan me ligjin nr.7652, datë 23.12.1992, taksa llogaritet për 70% e vlerës.

Reformimi i taksës së pasurisë ka kaluar në këto momente kohore të ndryshimit. Pas vitit 1992 deri në 2018 ka pasur ndryshime të taksimit të pasurisë ku metodologjia bazohej mbi taksimin për sipërfaqen.

Rezultati i kësaj metodologjie nuk ishte aty ku duhej përsa i përket të ardhurave nga ky model taksimi. Në vitin 2018, qeveria ndërmori me të drejtë veprime ligjore dhe institucionale për ta reformuar sistemin e taksimit të pasurisë.

Metodologjia, që u bë detyrim ligjor kishte të bënte me taksimin bazuar mbi vlerën e pasurisë sipas çmimit të referencës të përcaktuar nga qeveria për të gjitha 61 bashkitë dhe njësitë administrative dhe zona të ndryshme.

Ndryshimet ligjore dhe përcaktimet e kësaj metodologjie ishin të mira dhe u investua shumë në të gjitha aspektet. Ligji u jepte mundësi bashkive që në mungesë të të dhënave të pasurive dhe problemeve historike me kadastrën e pronave, dhe veçanërisht kadastrën fiskale, bashkë mund të bënin identifikimin dhe verifikimin e pronave, objekteve të banimit apo për veprimtari ekonomike etj.

Debati i kohës për këtë metodologji ishte vetëm fakti që kush mund të ishte agjenti që do ta mblidhte këtë taksë. U diskutua që mund të ishte OSHEE ajo që do të vilte taksën e pasurive nëpërmjet faturave të energjisë elektrike, por ky opsion u kundërshtua.

Në përfundim përgjegjësia e arkëtimit iu la njësive të qeverisjes vendore. Aktualisht pushteti vendor e mbledh taksën e pasurive të paluajtshme nëpërmjet zyrave të tij dhe ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve.

Me ndryshimin e metodologjisë në vitin 2018 pritshmëritë për arkëtimet ishin të larta nga qeveria. Parashikohej që volumi i të ardhurave nga taksa e pasurisë në tërësi të arrinte deri në 100 milion euro.

Por rezultati është krejt ndryshe. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për vitin 2022, të ardhurat nga kjo taksë nuk arrijnë as të 50% e kësaj pritshmërie (6 mld lekë) e njëjta sasi me 2021.

Nga viti 2018 dhe deri tani duhet pranuar se tregu dhe vlera e pronës ka ndryshuar në kahun e rritjes. Kjo është e dukshme për pasuritë banesa, por edhe toka, pyje apo kullotet etj. Por veç kësaj, urbanizimi dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në konsumimin e tokave bujqësore dhe sipërfaqeve të gjelbra dhe për rrjedhojë një rivlerësim është i nevojshëm, pavarësisht se kategorizimi (boniteti) i tokave bujqësore ka mbetur ai i vitit 1985.

Përsa analizuam më sipër më lindin disa pyetje për të cilat është mirë që qeveria të qartësonte qytetarët dhe publikun, për arsyen pse po i rikthehet kësaj teme.

Qeveria ka detyrimin t’i shpjegojë publikut të gjerë pse po bën këto ndryshime pas 5 vitesh, pasi po kjo qeveri i propagandoi si arritje ndryshimet e 2018 mbi taksën e pasurisë.

Çfarë nuk shkoi nga pikëpamja institucionale, administrative, financiare, teknologjike etj? Pse bashkitë nuk arritën të përmbushin objektivat mbi mbledhjen e kësaj takse?

Sipas raportit të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, referuar vitit 2022 , nga 61 bashki kanë pasur ecuri pozitive vetëm 30 prej tyre, ndërsa 31 prej tyre kanë pasur ecuri jo pozitive krahasuar me vitin 2021 në mbledhjen e të ardhurave nga taksa pasurisë.

Në shkallë kombëtare 46% e taksës së pasurisë mblidhet në Bashkinë e Tiranës, që ka një numër shumë të madh ndërtesash. Ndërsa nëse flasim për taksën e tokës bujqësore këtu kemi rezultate fare të dobëta.

Pse kadastra fiskale e financuar vazhdimisht nuk po e përmbush objektivin e pritur për të populluar bazën e të dhënave në të 61 bashkitë për çdo pronë? Nga analiza më sipër e shtrirë në kohë dhe mbi fakte, pyetja, që ngre me veten është? Pse po ndryshon pas 5 vitesh metodologjia e taksës së pasurisë?

Taksimi mbi bazën e vlerës së tregut është taksim i drejtë dhe pse kërkon shumë saktësi. Nëse qeveria është nisur thjeshtë për faktin se tregu dhe vlera e pronave ka ndryshuar pozitivisht, kjo është pozitive dhe pranohet, por a kanë ndryshuar të ardhurat e poseduesve të pasurive? Me taksimin bazuar mbi vlerën e tregut natyrshëm pritet që pasuritë e çdo lloji do të taksohen më shumë, pra pronarët do paguajnë më shumë.

Çështje tjetër që ngrihet lidhet me faktin që a do jenë në mundësi që këta pronarë që nuk po paguajnë sot taksën që është me e vogël se ajo që do paguajnë nesër, a do jenë në gjendje ta paguajnë atë?

Arsyeja tjetër se po e ndryshojmë pasi bashkitë do të mbledhin më shumë të ardhura për buxhetet lokale, nuk më bind. Kjo për argumentin se bashkitë kishin dhe kanë shanset që ta mbledhin mirë këtë taksë me ligjin aktual. Ato duhet të disiplinojnë veten për sistemin e taksave dhe tarifave dhe të evitojnë evazionin në këtë sektor.

Mendoj që reformimi i sistemit të kësaj takse do merrte një kuptim të plot institucional dhe mirëkuptim për publikun nëse do ishin ezauruar dhe përmbushur objektivat e ligjit, që janë në zbatim. Pra, nëse baza e taksa paguesve do ishte zgjeruar konsiderueshëm, madje të arrihej që të gjithë ta kishin paguar.

Kjo do ishte gjëja më e mirë. Zgjerimi i bazës së taksueshme është më e nevojshme sesa rritje e nivelit të taksës. Kultura jonë referuar historisë për të mos paguar para 1990 dhe pas 1990 deri me sot, qëndron në faktin se paguajnë ato që janë mësuar të paguajnë gjithmonë.

Rreziku është se dhe me metodologjinë e re ato që s’kanë paguar fare, do të vijojnë të mos paguajnë. Pra do të ndeshemi me forcën “status quo” ose do të kemi ndryshime dhe përmirësime jo të prekshme.

Kompleksiteti i procesit të taksimit mbi bazën e vlerës së tregut

Reformimi i taksimit të pronës në bashki do të jetë një proces kompleks dhe sfidues. Disa nga sfidat kryesore përfshijnë:

1.Çështjet e vlerësimit: Përcaktimi i vlerës së saktë dhe të drejtë të tregut të pronave. Prona të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme dhe vlerësimi i vlerës së tyre kërkon ekspertizë dhe të dhëna të përditësuara dhe transparencë.

2.Disponueshmëria e të dhënave: Qasja në të dhëna të besueshme dhe gjithëpërfshirëse të pronës është thelbësore për reformat e tatimit në pronë. Megjithatë, bashkitë mund të përballen me sfida në marrjen e të dhënave të sakta dhe të përditësuara për pronat, veçanërisht në rastet kur pronat informale ose të paregjistruara janë kudo në Shqipëri (ndërtime pa leje dhe legalizimi pa përfundim). Të dhënat e pamjaftueshme përbëjnë pengesë jo të vogël (verifikimi në terren dhe vetëdeklarimi janë të mundshme).

3.Rezistenca ndaj ndryshimit: Reformat e tatimit në pronë shpesh përballen me rezistencë nga pronarët e pronave, të cilët mund të jenë të shqetësuar për rritjen e mundshme të taksave ( kjo ngelet për t’u parë nga reagimi tyre).

4.Kapaciteti administrativ: Zbatimi i reformave të tatimit në pronë kërkon personel administrativ të pajisur mirë dhe të trajnuar me programe teknologjie dhe infrastrukturën e nevojshme. Bashkitë kryesisht të vogla dhe të mesme mund të përballen me kufizime të kapaciteteve përsa i përket personelit, teknologjisë dhe burimeve të nevojshme për të administruar në mënyrë efektive sistemet e tatimit në pronë.

5.Kuadri legjislativ dhe rregullator: Reformimi i sistemeve të tatimit në pronë mund të kërkojë ndryshime në legjislacionin dhe rregulloret ekzistuese. Dekretimi i ligjeve të reja ose ndryshimi i atyre ekzistuese mund të jetë një proces kompleks, që përfshin shumë aktorë dhe pengesa të mundshme ligjore ( shumë mirë nëse do jetë konsensual).

6.Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut: Angazhimi dhe edukimi i publikut për nevojën e reformave të tatimit në pronë është thelbësor. Çdo keqkuptim dhe rezistencë duhet të konsiderohet dhe menaxhohet drejtë.

7.Evazioni fiskal dhe Informaliteti: Reformat e tatimit mbi pronën duhet të trajtojnë çështjet e evazionit fiskal dhe pranisë së tregjeve informale të pronave. Transaksionet joformale të pronës dëmtojnë ndjeshëm efektivitetin e sistemeve të tatimit në pronë.

8.Konsiderata ekonomike dhe sociale: Reformat e taksës së pronës duhet të vendosin një ekuilibër ndërmjet gjenerimit të ardhurave për bashkitë dhe marrjes parasysh të ndikimeve ekonomike dhe sociale tek poseduesit e pronave. Adresimi i këtyre sfidave kërkon planifikim të kujdesshëm, angazhim të palëve të interesuara, ngritje kapacitetesh dhe një qasje me faza ndaj reformave të tatimit në pronë.

9.Rezistenca politike: Reformat e tatimit mbi pronën shpesh përfshijnë ndryshime në strukturat ekzistuese tatimore, normat ose vlerësimet, të cilat mund të jenë politikisht të ndjeshme. Pronarët e shtëpive dhe bizneset mund t’u rezistojnë reformave që rezultojnë në rritje të barrës tatimore ose ndryshime në mënyrën e vlerësimit të pronave (duhet arsyetuar e drejtë dhe e orientuar nga e mira publike dhe jo politike).

Vlerësimi kërkon një sistem të drejtë dhe të saktë për pronën, metodologji e qartë e kuptueshme dhe zbatueshme për çdo kategori poseduesish, pronë dhe cilindo qytetarë, duke mbajtur parasysh aspektet sociale të shoqërisë.

Qytetarët paguajnë 248 milionë euro detyrime “në terr”, 23 taksa dhe tarifa

Ndërsa qytetarët janë të paqartë se çfarë taksash e tarifash vendore paguajnë? 61 bashkitë në vend mbledhin rreth 29 miliardë lekë apo 248 milionë euro në vit detyrime nga qytetarët. Shifra i takon vitit 2021, ndërsa është në nivele thuajse të njëjta edhe përgjatë viteve të tjera, madje perfomanca në vjeljen e tyre është rritur. Të ardhurat nga burimet e veta vendore, përfaqësojnë rreth 29% të burimeve financiare të bashkive, ku peshën më të madhe e zënë taksat vendore me rreth 61 për qind dhe tarifat vendore 37 për qind.

Në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore kontribuan me rreth 18 miliardë lekë në buxhetin vendor gjatë vitit që lamë pas. Në strukturën e të ardhurave nga taksat vendore mbizotëron kontributi i të ardhurave nga dy taksa kryesore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore dhe truall). Së bashku këtu dy lloje taksash përfaqësuan rreth 87% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore.

Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan të jenë të ulëta. Nga tarifat vendore, përgjatë gjithë vitit 2021 u mblodhën rreth 10.8 miliardë lekë. Sipas zërave kryesorë, të ardhurat nga tarifat e shërbimeve përfaqësuan rreth 46% të të ardhurave totale nga tarifat, të ardhurat nga tarifat administrative dhe të tjera përfaqësuan rreth 41% të totalit dhe nga tarifa për zënien dhe shfrytëzimin e hapësirave publike rreth 13%.

Në detyrimet vendore përfshihen kryesisht, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme; taksa e tabelës; taksa e përkohshme e tregut; taksa e fjetjes në hotel; tarifa e gjelbërimit; tarifa e pastrimit dhe e largimit të mbeturinave; tarifa e plazheve private (për zonat bregdetare); tarifa për leje për përdorim strukture; tarifa e parkimit të automjeteve; tarifa e ndriçimit; tarifa për zënien e hapësirave publike etj. Mesatarisht qyetetarët dhe bizneset paguajnë afro 23 taksa dhe tarifa vendore, të cilat ndryshojnë në bazë të bashkisë.