“Syrit të Kaltër” i ka mbetur e kaltër vetëm tabela, babëzia dhe ligësia e “Kurum” e ka kthyer në “moçal”

783
Në kujtesën e turistëve vendas e të huaj, në bisedat e banorëve të zonës, në dosjet e Institutit të Monumenteve të Kulturës, në letrat e fondeve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të Ministrisë së Kulturës e të Ministrisë së Mjedisit, të Prefekturës Vlorë, të Ndërmarrjes Pyjore Delvinë që e ka në ruajtje fizike dhe në tabelën orientuese të ngulur anës rrugës nacionale e në hyrje të kompleksit natyror, kjo qendër turistike quhet “Syri i Kaltër”! Po a është më kjo perlë natyrore “Sy i Kaltër”?! Këto ditë u rikthyem përsëri atje, por në vend të “Syrit të Kaltër” gjetëm një “sy të verbër”, të turbullt, të qelbur me gjithçka. Nga kaltërsia e “Syrit të Kaltër” kishte mbetur vetëm tabela me ngjyrë të kaltër me emërtesën “Syi i Kaltër” edhe kjo e shtrembëruar, ashtu parmakët e urëzave mbi rrjedhat e ujit. “Bebja” e ujit të “Syrit të Kaltër” nuk dukej më, mbasi ishte mbuluar me mbeturina deri edhe kanoçe, plastika, letra, myshqe, alga, drurë plehra, dërrasa të kalbura ndërtimi, goma makine, copëra llamarinash, kavo çeliku, kafshë të ngordhura, rrejta e fije telash dhe gjithçka! Vetëm “Sy” të kaltër nuk shikon.


 Në vend të “ëndrrës” për një orë çlodhje magjepsëse tek “Syri i Kaltër”, rikthimi ynë dhe i shumë të tjerëve në këtë “oaz” të veçantë rezultoi në trishtim e zhgënjim që pavarësisht mikpritjes “perlë” të atyre që e administronin, përfundoi në “ikje me vrap” prej kësaj perle me gjelbërim e ujë në 12 gradë celsius, me simfoni çlodhëse zogjsh, me hije e dekor natyror si “të skalitur me dorë”, por të masakruar barbarisht prej një biznesi turk mostër, i cili në pazare të pista e deri kriminale me shtetarë shqiptar të këtyre 25 viteve ka “pushtuar”, kështu si “Syrin e Kaltër” ka shkatërruar e ka qelbur me ndotje shumë sektorë të ekonomisë, të turizmit dhe qendra banimi në Shqipëri! Në “moçal” e ka tjetërsuar “pushtuesi” turk me emrin “Kurum” edhe kryeveprën turistike natyrale të jugut me emrin dhe realitetin natyror “Syri i Kaltër”. Është një pikë shumë piktoreske natyrale që nuk e ka bërë shteti, por e ka krijuar “Zoti”. Por që po lihet të tjetërsohet një “moçal”! Përballë kësaj masakre shteti hesht, Agjencia e Zona të Mbrojtura nuk e mbron. Pyjorja “fle” në hije dhe kur shkojnë kontrolle formale nga zyrat e shtetit, del e mbledh shkarpat e rëna nga rrapet për t’u dukur sikur kujdeset, ndërkohë që turistët vendas e të huaj, por edhe banorët e zonës po e braktisin përditë e për vit, aq sa kur u kujton dhe u propozon të shkosh atje, të thonë: “Nuk ia vlen, është qelbur”! Shteti po lejon të shkatërrohet nga barbari turk “Kurum”, i cili po me korrupsion ka blerë HEC-et “Bistricë 1 e 2”, por që me ndotjen e krijuar po shkatërron “Syrin e Kaltër”! Shteti po qëndron si “pulë” përballë ndotësit turk me emrin “Kurum”, prej barbarizmit të të cilit perla e jugut “Syri i Kaltër” e ka humbur shkëlqimin, kaltërsinë, pastërtinë e ujit të saj prej plehrave që nuk pastrohen kësaj firme, babëzia dhe ligësia e të cilës po zhduk edhe vlerat e kësaj pike turistike! 

Përparim HALILI

Sigal