Studentja vrau babain dhe e groposi në oborrin e shtëpisë, dëshmitë: Pëllumbi martoi me zor edhe vajzën e madhe

25
Sigal

“Pëllumbi e martoi me zor dhe vajzën e madhe”. Kështu deklarojnë fqinjët e 49-vjeçarit që dyshohet se u vra nga vajza e tij, Hygerta Meta. Fqinjët e familjes Meta tregojnë se 49-vjeçari vite më parë kishte martuar me zor edhe vajzën e tij të madhe, në Derven të Krujës.

Sipas tyre, Meta ishte shumë autoritar dhe se nuk donte që askush në familje ta kundërshtonte. Siç duket këtë plan ka pasur edhe për vajzën e vogël, Hygertën, e cila ishte në vitin e parë studente për Ekonomik-Biznes në Universitetin e Tiranës.

Ai kishte dashur që ta fejonte të bijën me një djalë nga fshati i tyre Shanavlash, që ishte emigrant në Itali. Por duket se nuk gjeti konsensus te e bija, e cila kundërshtoi. Madje ajo shkoi deri aty sa e vrau babain me pistoletën e tij pa leje, ndërsa më pas fshehu krimin dhe e varrosi trupin e tij në oborrin e banesës.

Ngjarja u zbulua sot, ndërsa Meta ishte shpallur prej 13 shkurtit i zhdukur nga djali i tij. Por pas shumë hetimesh, rezultoi se 49-vjeçari ishte vrarë nga vajza e tij, ndërsa ishte groposur në oborrin e banesës.

Krimi i rëndë u zbulua pas hetimeve, ndërsa vajza gjatë dëshmisë, Hygerta Meta, pranoi krimin, ndërsa pohoi se e kishte vrarë babain se ky i fundit donte që ta fejonte pa dëshirën e saj.