Unë të kam dashur siç duhet jeta:
me lumturi, me hare dhe gëzim,
por mbi të gjitha me kaq vuajtje,
net pa gjumë e shumë nostalgji.
E kërkova portretin tënd në çdo
petal trëndafili e në çdo pasqyrë
uji të kthjellët; zemërimin në një
det të zhurmshëm dhe të paqetë,
zërin në një heshtje pafund e të
thellë, qeshjen tek ylberi në qiell.
Tanimë kam mbetur me gërmat
e thërrmuara të emrit tënd mes
gishtave, me një histori tonën
që s’e di nëse ka mbaruar, me
shpirtin e plasaritur nga pritjet
e gjata e me hapat e ngadalta
nga druajtja se mos rrëzohem.
Ende të pres me mijëra rrudha
të shpërndara në lëkurën time,
me vështrimin e lagur me lot,
me shpirtin transparent e plot
dritë, si një pikë e kthjellët me
vesë që do të ëndërrojë gjer në
amshim, e dashuruar me ty.
Ne kishim detin pranë
Ne kishim detin pranë: të gjerë, të pafund, të paanë,
që me zemërimin e tij përpiqej të hynte në bisedat
tona. Ne kishim detin pranë, na mjaftonte fare pak
që në duar të mbanim një dallgë. Mjaftonte një hap
dhe nëpër gishtërinj do të depërtonte rëra e bardhë.
Por unë të kisha ty pranë shpirtit tim dhe zhurmat,
dallgët shuheshin tej në muzg, thërrmijëzat e rërës
tkurreshin e fashiteshin diku. Mbetej vetëm zëri yt
që, si një djep me butësi vale, më përkundte në gjumë.