Ministri Mete në takimin BE-Ballkani Perëndimor në Malin e Zi: “Brenda verës miratojmë instrumentat e Planit të Rritjes në Parlament”

16
Sigal

Ministri i Financave, Ervin Mete mori pjesë sot në takimin e Ministrave të Financave dhe atyre te Çështjeve Evropiane të Ballkanit Perëndimor në Kotor të Malit të Zi, “Një rajon, vizion i përbashkët”. Në këtë takim i cili mbahet një ditë para Samitit të Liderëve Rajonalë u diskutua për Planin e Rritjes dhe masat konkrete që synojnë përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.

Ministri Mete në fjalën e tij u shpreh se procesi i miratimit të Planit të Rritjes brenda BE ka ecur me ritme të shpejta dhe se tani do të kontribuojë për të përshpejtuar reformat dhe rritur konvergjencën mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

“Plani i Rritjes ka krijuar një moment reformash. Tashmë jemi në fazën e dakordësimit final të masave të këtij Plani dhe instrumentat financiare qe lidhen me të priten të kalojnë në Parlament brenda verës.”

Ministri theksoi se Shqipëria është në një fazë të përparuar sa i përket anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), ku rezulton ndër vendet e para në rajon që ka dërguar tashmë para-aplikimin dhe po përgatitet të aplikojë zyrtarisht në muajin qershor. Gjithashtu, Ministri Mete vlerësoi mundësitë e ofruara nga BE përmes Planit të Rritjes, ku qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të përfitojnë një sërë lehtësish dhe masash konkrete, përpara se të behen anëtare te BE-së.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Zgjerimit në KE, Gert Jan Koopman, vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se Plani i Rritjes përfshin një set reformash ambicioze dhe sfiduese për rajonin. Ai inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor të vijojnë me ritmin e lartë të reformave, duke theksuar edhe njëherë mbështetjen e Komisionit në procesin e integrimit.