Skandali te burgu 313, deputetit Balliu i ndalohet hyrja te Meta: Drejtori nuk i bindet as kryetarit të kuvendit, gati kallëzimi

Deputetit Klevis Balliu i është ndaluar të martën të kryejë një inspektim në ambientet e burgut 313 dhe në qelinë ku mbahet ish-presidenti Ilir Meta. Në një deklaratë për mediat pas incidentit, Balliu e cilësoi burgosjen e Metës si politike dhe akuzoi se ndalimi i tij ishte një urdhër i ardhur direkt nga kryeministria për të fshehur kushtet dhe presionin politik ndaj ish-kreut të shtetit.Sipas deputetit, ai kishte njoftuar një ditë më parë drejtorinë e burgut për vizitën inspektuese, por pavarësisht konfirmimit fillestar, në momentin që u paraqit, iu bllokua hyrja. Drejtori i burgut i ka kërkuar një autorizim nga Kryetari i Kuvendit, një praktikë që sipas Balliut nuk ekziston dhe është në kundërshtim me statusin e deputetit.Për të zgjidhur situatën, Balliu deklaroi se ka telefonuar Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, në prani të drejtorit të burgut. Sipas tij, Peleshi i ka konfirmuar drejtorit se deputeti ka të drejtë të kryejë inspektime pa pasur nevojë për autorizim. Megjithatë, edhe pas kësaj ndërhyrjeje nga zyrtari i dytë më i lartë i shtetit, drejtori i burgut ka refuzuar sërish, duke thënë se zbatonte urdhrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. “Kryeparlamentari i shpjegoi se nuk është një punë që e zgjidh parlamenti, por drejtori iu referua sërish Drejtorit të Përgjithshëm,” tha Balliu.Duke e cilësuar ngjarjen si një shkelje të hapur të ligjit dhe mohim të detyrës së tij kushtetuese, Balliu tha se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.

NOA