Shtohen të sëmurët me tumore, shteti “lan duart” me ilaçet

549
Sigal

Gazeta Telegraf/


Të sëmurët trajtohen me barna që i blejnë vetë dhe
që vijnë kontrabandë

 

Shtohen të sëmurët
me tumore, shteti “lan duart” me ilaçet


Numri i të
sëmurëve me kancer po arrin shifra të frikshme. Në fakt, sipas mjekëve, pritet
që së shpejti kanceri të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri, duke
kaluar edhe sëmundjet kardiovaskulare që tashmë janë në vend të parë.
Pavarësisht këtij alarmi, të sëmurët me kancer janë ata që vuajnë më shumë nga
mungesat në trajtimin e tyre dhe që pothuajse gjithmonë duhet t’i blejnë vetë
ilaçet. Investigimet kanë treguar, se këta të sëmurë trajtohen zakonisht me
ilaçe të cilat i blejnë vetë dhe që shpesh janë sjellë në Shqipëri kontrabandë.
E kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana
Toma, deklaroi se futja kontrabandë e ilaçeve nxitet pikërisht nga mungesat që
shteti ka në plotësimin me medikamente të spitaleve. Nisur nga kjo deklaratë,
gazeta iu drejtua Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për trajtimin që
u bëhet të sëmurëve me kancer, duke kërkuar një informacion të plotë për
gjashtë vitet e fundit 2011-2016.

Pacientët: Na mungojnë ilaçet

Hysni Zhuli, i
cili ka bashkëshorten të sëmurë me kancer gjiri thotë: “Kemi nisur të bëjmë
kimioterapinë dhe problemi fillon pikërisht tani. Medikamentet qenkan hall më
vete. Që kur erdhëm për të bërë ciklet e kimioterapisë, na kanë thënë, që disa
prej ilaçeve nuk gjenden në QSUT. Na thanë, se duhet t’i blejmë vetë. Kemi
pyetur pacientët e tjerë se si t’ia bëjmë dhe na kanë orientuar ata, se ku
duhet t’i blejmë. A na dhanë faturë për ilaçet?! As që bëhet fjalë. Shkojmë
atje dhe e kërkojmë si të kërkojmë drogë, fshehurazi, sepse me sa dimë futen
fshehurazi. Po edhe ne ku t’i gjejmë ndryshe? Kimioterapia duhet bërë”. Hysniu
mban në dorë ilaçin “Adrimisin”, i cili është pa pullë, i blerë në një nga
farmacitë që e kanë adresuar të tjerët. Xhuljana Elmasllari, 19 vjeçe, është
nga Pogradeci. “Më kanë thënë se kam gjendra turbekulare në mushkëri. Pasi bëra
dy kimiot e para, ndjeva goxha përmirësim. Por kimion e parafundit nuk e bëra
dot të plotë, pasi nuk kishte medikamente. Edhe kimion e sotme nuk e bëj dot,
pasi në onkologjik nuk ka ilaçe. Mjekët më dhanë një recetë dhe më thanë se,
nëse dua ta bëj kimion, duhet t’i blej vetë këto medikamente, pasi spitali nuk
ka. Recetën mund ta shikoni. Familja ime e ka të pamundur t’i blejë këto ilaçe.
Një cikël kushton 1.5 milion lekë (të vjetra). Dëshmia e babait të Ornela
Dervishit: “Ilaçet e kimios i kam blerë të gjitha vetë nga Turqia. Një cikël
shkon rreth 4 milionë lekë (të vjetra) kosto, pasi ilaçet për një seancë janë
rreth 700 mijë lekë dhe janë pesë seanca kimio-je për çdo cikël. Por nuk fillon
dhe as nuk mbaron çdo gjë këtu. Kjo për faktin se nuk flitet thjesht për ilaçet
e kimios. Të ishin vetëm ato, do të kishim gjetur derman. Por vajza ka edhe një
numër i madh analizash, të cilat është dashur t’i bëjë disa herë. Dhe analizat
duhen kryer në privat, sepse këtu në shtet nuk bëhen. Dhe mjekët kur t’i japin
për të bërë analizat, i duan që të dalin të gjitha nga një laborator dhe jo
pjesë-pjesë, se kështu arrijnë të përcaktojnë më mirë problemet. Unë këto
analiza që ju shikoni tani, i kam bërë të pjesshme, pasi, nëse do t’i bëja të
gjitha, shkojnë një milion e dyqind e gjashtëdhjetë mijë lekë. Nuk mundem ta
përballoj. Është shumë shtrenjtë. Bashkë me ilaçet e kimios, janë aq shumë sa
nuk dimë ku të përplasemi”.

Numri i të sëmurëve me kancer rritet në mënyrë
drastike

Informacionet e
siguruara nga drejtoria e QSUT-së pasqyrojnë një shifër të frikshme të
kancerit. Tabela në vijim, e cila është zyrtare, flet për një rritje shumë të madhe
të kancerit vitet e fundit. Ndërsa vitet 2011-2013 përfshijnë shifrat edhe të
spitaleve të tjera të Tiranës, përveçse QSUT-së, vitet 2014 dhe 2015 tregojnë
vetëm shifrat në Spitalin Onkologjik. Kështu, rezulton që nga viti 2014 në
vitin 2015 ka një rritje prej 56,9% të të sëmurëve me kancer, ndërsa numri
shkon nga 3286 në 5158, duke treguar kështu nevojën urgjente për shtimin e
buxhetit për këtë kategori.

Rastet në rritje drastike, ilaçet në rritje
qesharake

Lidhur me uljen
e buxhetit për vitin 2015, drejtoria e QSUT-së është justifikuar me faktin se
“në dy vitet e fundit (çka nënkupton edhe vitin 2016 për të cilin nuk
disponojmë shifra), bazuar në reformën e bërë nga Ministria e Shëndetësisë
lidhur me uljen e çmimeve të barnave dhe heqjen e TVSH-së së barnave, është
rritur ndjeshëm sasia e barnave citostatikë të prokuruara dhe vënë në
dispozicion të këtij shërbimi për trajtimin e sëmundjeve tumorale”. Për të
treguar se është rritur “ndjeshëm” sasia e prokuruar e barnave, drejtoria e
QSUT-së në përgjigjen e saj ka ofruar një shembull: “Bari Transuzimab
(Herceptinë), medikament i përdorur si terapi në Kancerin e gjirit me përdorim
në Shërbimin Onkologjik në rrugë venoze, në njësi flakon me dozë 150 mg, në
përdorim nga pacientë të diagnostikuar me tumore malinje, kryesisht të kancerit
të gjirit, për vitin 2013 ishte në sasi 833 flakonë, në vitin 2014 në sasi 2300
flakonë, në vitin 2015 në sasi 2400 flakonë dhe në vitin 2016 sasia e barit
është rritur në 3100 flakonë ose me 3.6 herë më shumë se viti 2013”. Duke marrë
të mirëqenë atë çka thotë drejtoria e QSUT-së, do të rezultonte që kishte
rritje të ilaçeve për çdo të sëmurë. Ndërkohë nga shifrat e dhëna rezulton, se
të pacientët me kancer në Shërbimin Onkologjik nga viti 2014 në vitin 2015 janë
rritur me 56.9% (nga 3286 në 5158), ndërkohë që sasia e flakonëve për
herceptinën (përkatësisht barin transuzimab) është rritur me vetëm 4,34%, (nga
2300 flakonë në 2400 flakonë). Një gjë e tillë nënkupton, se në fakt ka një
rënie të theksuar të sigurimit të barnave nga viti 2014 në vitin 2015 për të
sëmurët me kancer. Ndërkohë, rritja e vitit 2016, që sipas drejtorisë është 3,6
herë më shumë se viti 2013, pretendohet t’i përgjigjet një numri shumë herë më
të lartë se ai i vitit 2013, çka ashtu si dhe në rastin e vitit 2015, në fakt
nuk rezulton të jetë rritje, por rënie. E thënë në gjuhë shifrash, siç i pëlqen
të shprehet QSUT-së, ndërsa në vitin 2014 sigurohej ky ilaç për rreth 70% të të
sëmurëve, në vitin 2015 ilaçi sigurohet për vetëm 46,5% të të sëmurëve. Pra një
rënie me mbi 20% e sigurimit të ilaçit Herceptinë.