Prag lufte Greqi-Turqi, 2 F-16 turq të armatosur luftë në qiellin e Rodosit me avionët grekë

548
Sigal

Dy avionë
luftarakë turq shkelën hapësirën ajrore greke ditën e mërkurë, duke shkaktuar
reagimin e forcave ajrore greke dhe nisur një luftë të vërtetë në ajër. Ky
është incidenti i parë i këtij lloji që prej dështimit të tentativës për grusht
shteti në Turqi më 15 korrik. “Dy F-16 turq shkelën hapësirën ajrore greke në
juglindje të ishullit të Rodosit dhe në jug të Kastelorizos përpara orës 16:00.
Menjëherë në ndjekje të tyre u vendosën dy avionë luftarakë grekë që u nisën
nga baza e Gjirit Souda”, sipas zyrtarëve të ministrisë greke të Mbrojtjes. Një
çift tjetër avionësh turq shkelën sërish hapësirën greke dhe nisën një luftë të
vërtetë duke kryer manovra të rrezikshme. Avionët turq, gjithnjë sipas
zyrtarëve grekë të mbrojtjes, ishin të armatosur. Marrëdhëniet Athinë-Ankara
janë tensionuar së tepërmi këto javët e fundit pas komenteve të presidentit
turk, Rexhep Taip Erdogan dhe zyrtarëve të tjerë turq, që vunë në diskutim
traktatet ndërkombëtare të kufijve mes dy vendeve. Megjithatë, një
keqinterpretim i komenteve të fundit të Erdoganit, të cilat u interpretuan, se
ai kishte bërë thirrje për një referendum në rajonin grek të Thrakës, e
agravuan në mënyrë të panevojshme situatën. Pas kësaj gafe, shefi i zyrës së
shtypit të ambasadës greke në Turqi është urdhëruar të kthehet në Athinë.