Flet Nako Petro, ish-Drejtori i UPTHN-Ballsh
Shqipëria nuk është e varfër, është e keqmenaxhuar dhe “dorëzuar”, që po qeveriset si territor shfrytëzimi, jo si shtet zhvillimi. Një vend me naftë, minerale, ujë, tokë pjellore dhe pozicion strategjik nuk ka asnjë justifikim të jetë importues dhe pa industri. Rafineritë u shkatërruan dhe shteti u dorëzua. Shesim naftën bruto jashtë me ccmim qesharak dhe e blejmë si karburant më të shtrenjtin në Europë. Pa industri përpunuese, shërbimet ushqehen nga importet: TEC-i i Vlorës monument i paaftësisë, turizmi sjell valutë, por është sezonal, ndërtimi qarkullon parat, por nuk jep zhvillim afatgjatë.

Shqipëria, një vend që shet pasuritë kombëtare dhe blen varfërinë, qeveriset si territor shfrytëzimi, jo si shtet zhvillimi
Shqipëria nuk është e varfër, është një vend i keqmenaxhuar dhe “dorëzuar.”
-Një vend me naftë, minerale, ujë, tokë pjellore dhe pozicion strategjik nuk ka asnjë justifikim të jetë importues dhe pa industri.
-Por kjo është zgjedhja politike e këtyre 30 viteve: të nxjerrësh, të mos përpunosh dhe të mos ndërtosh asgjë që prodhon.
-Nafta shqiptare është shembulli më brutal i kësaj marrëzie, nxirret bruto, shitet lirë dhe kthehet si karburant i shtrenjtë.
-Rafineritë u shkatërruan dhe shteti u dorëzua. Një vend prodhues nafte sillet si vend pa naftë
– TEC-i i Vlorës është monument i paaftësisë, ndërsa projektet diellore e eolike nuk lidhen me zhvillim industrial prodhues te vendit
-Turizmi sjell valutë, por është sezonal, i brishtë dhe i varur nga faktorë të jashtëm.
-Ndërtimi krijon qarkullim parash, por jo zhvillim afatgjatë.
-Pa industri përpunuese, shërbimet ushqehen nga importet dhe thellojnë deficitin tregtar

Nako Petro
Shqipëria nuk është e varfër, është një vende i keqmenaxhuar dhe dorëzuar. Një vend me naftë, minerale, ujë, tokë pjellore dhe pozicion strategjik nuk ka asnjë justifikim të jetë importues dhe pa industri. Por kjo është zgjedhja politike e këtyre 30 viteve: të nxjerrësh, të mos përpunosh dhe të mos ndërtosh asgjë që prodhon.
Ne nxjerrim naftë, por importojmë karburant. Nxjerrim krom, por blejmë çelik të shtrenjtë. Kemi lumenj, por s’kemi industri që prodhon. Kemi tokë bujqësore, por raftet e marketeve janë plot me produkte serbe, greke e italiane. Ky është dështim ekonomike.
Pasuritë kombëtare janë kthyer në plaçkë koncesionesh. Kontrata të errëta, të pafavorshme për shtetin, ku Shqipëria merr thërrime dhe kompanitë private marrin fitimin. Asnjë detyrim real për përpunim, asnjë investim serioz në teknologji, asnjë zinxhir vlere. Lënda e parë ikën jashtë, ndërsa papunësia dhe varfëria mbeten këtu.
Nafta shqiptare është shembulli më brutal i kësaj marrëzie.
Nxirret bruto, shitet lirë dhe kthehet si karburant i shtrenjtë. Rafineritë u shkatërruan dhe shteti u dorëzua. Një vend prodhues nafte sillet si vend pa naftë.
Edhe energjia është mashtrim i bukur në letër. Hidrocentralet prodhojnë, por industria nuk ekziston. TEC-i i Vlorës është monument i paaftësisë, ndërsa projektet diellore e eolike nuk lidhen me zhvillim industrial prodhues të vendit. Energjia shitet, por nuk shndërrohet në vende pune dhe prodhim.

Industria e lehtë?
Fasone dhe këpucë për të tjerët. Paga të ulëta, pa marka shqiptare, pa vlerë të shtuar. Një ekonomi që mbahet në këmbë nga dërgesat e emigrantëve dhe nga importet nuk është ekonomi, është iluzion statistikor.
Problemi nuk është mungesa e pasurive. Problemi është mungesa e vizionit dhe vullnetit politik. Shqipëria qeveriset si territor shfrytëzimi, jo si shtet zhvillimi. Pasuritë nuk shihen si bazë për sovranitet ekonomik, por si burim fitimi afatshkurtër për pak njerëz.
Pa industri, pa përpunim dhe pa strategji kombëtare, Shqipëria do të vazhdojë të eksportojë pasuri dhe të importojë varfëri. Dhe ky është model i qëllimshëm.
Ekonomi shërbimesh për një vend me pasuri natyrore , strategji apo justifikim?
Fakti që qeveria shqiptare nuk e ka në axhendë përpunimin e pasurive natyrore, por e ka zhvendosur gjithë fokusin tek shërbimet, turizmi dhe ndërtimi, nuk është rastësi. Kjo zgjedhje ngre një pyetje thelbësore: a është kjo një strategji që i shërben interesit publik apo një maskë për paaftësi dhe interesa të ngushta? Në letër, qeveria flet për “ekonomi moderne shërbimesh”, për turizëm elitar dhe për integrim europian. Por Shqipëria nuk është Zvicër dhe as Singapor. Është një vend me naftë, minerale, ujë, tokë bujqësore dhe energji, pra me të gjitha kushtet për të ndërtuar industri përpunuese. Të injorosh këtë realitet do të thotë të ndërtosh një model ekonomik të shkëputur nga baza reale e vendit.
Shërbimet janë sektor konsumues, jo prodhues.
Turizmi sjell valutë, por është sezonal, i brishtë dhe i varur nga faktorë të jashtëm. Ndërtimi krijon qarkullim parash, por jo zhvillim afatgjatë. Pa industri përpunuese, shërbimet ushqehen nga importet dhe thellojnë deficitin tregtar.
Ky nuk është zhvillim, është qarkullim i varfërisë.
Përpunimi i pasurive natyrore kërkon ,investime afatgjata, teknologji, rregulla të forta,shtet të aftë negociator, përballje me interesa të mëdha. Industria nuk prodhon fitime të shpejta politike, nuk jep inaugurime të shpeshta dhe nuk lejon kontroll klientelist. Ndryshe nga koncesionet, ndërtimi apo shërbimet, industria kërkon shtet serioz dhe politika të qëndrueshme. Prandaj, shmangia e përpunimit nuk është vetëm paaftësi teknike, por zgjedhje politike. Një ekonomi shërbimesh lejon kontrata të shpejta, importe të kontrolluara, pak transparencë dhe përqendrim të fitimit në pak duar.
A i shërben kjo interesit publik?
Jo. Interesit publik i shërben puna e qëndrueshme, paga të larta, eksport me vlerë të shtuar dhe sovranitet ekonomik. Këto nuk vijnë nga kamarierë sezonalë dhe beton, por nga industri përpunuese dhe teknologji.
Në fund, përgjigjja është e hidhur , nuk kemi të bëjmë me strategji zhvillimi, por me një model të thjeshtuar qeverisjeje që i shmang përgjegjësitë e vështira. Shqipëria nuk po ndërton ekonomi për qytetarët, por ekonomi të lehtë për pushtetin. Dhe kjo, në plan afatgjatë, i kushton shtrenjtë vendit.



















