Tahiri në Prishtinë: Interpoli të rishikojë urdhër-arrestet e Serbisë

502
Ministria e Brendshme shqiptare i ka kërkuar Interpolit të rishikojë të gjitha urdhër arrestet e Serbisë, përfshi këtu dhe rastin e arrestimit të Ramush Haradinajt, të cilin minsitri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka quajtur të tepërt dhe të paligjshëm.
“Unë kam pasur rastin të diskutoj me të gjithë aktoret ashtu si mbetet një çështje në agjendën tonë edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol gjë që do ta bënte shumë më të mundur dhe një zë shumë më të fortë nevojën për zgjidhjen definitive të këtyre çështjeve. Pra unë besoj se nuk është çështje procedurash por mbetet një çështje për tu adresuar nëpërmjet procedurave në Interpol. Është kjo arsyeja pse i kam kërkuar Interpolit të rishikoj dhe të filtrojë dhe të mos konsideroj në vijim çdo urdhër arresti, si bënë edhe në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj. Nga ana tjetër ne besojmë shumë fortë te dialogu. Ndaj jam besim plotë dhe kam besim se nuk ka nevojë për asgjë më shumë se sa besimi ynë te institucionet e Kosovës për procesin e dialogut dhe stabilitetin në rajon”, është shprehur ministri Tahiri.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë ai është takuar me homologun kosovar Skënder Hyseni. Sfida që mbeten prioritet në agjendën e përbashkët është ajo e lëvizjes së lirë dhe qëndrimit të shtetasve në të dy anët e kufirit. “Ashtu siç e theksoi dhe kolegu, ka sfida që mbeten prioritet në agjendën tonë, nga kjo anë dhe ajo anë e kufirit, lidhur me lëvizjen e lirë dhe qëndrimin e shtetasve. Megjithatë unë shpresoj dhe besoj se me dëshirën e mirë dhe vullnet mund të tejkalohen dhe pengesa që mund të jenë ligjore apo të akteve normative”, ka thënë z. Tahiri.
Sigal