Shpërndante drogë dhe iu gjetën 3 pistoleta në shtëpi, pranga shoferit të një institucioni të rëndësishëm shtetëror

159
Sigal

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas arrestimit të Klaudio Malajt, në kuadër të operacionit “Doses”. Me detyrë shofer në një institucion të rëndësishëm shtetëror, Malaj merrej dhe me veprimtari kriminale në shpërndarjen e drogës.

31-vjeçari u arrestua nga Policia e Tiranës mbrëmjen e 18 shtatorit, pasi në mjetin e tij luksoz ‘Audi’ A6 u gjet dhe sekuestrua një sasi kokaine, e ndarë në 34 doza të gatshme për t’i shitur.

Fillimisht ai ka tentuar t’i shmanget kontrollit të forcave Shqiponja, duke u prezantuar si punonjës i një institucioni të rëndësishëm shtetëror. Por, uniformat blu, kanë insistuar sërish dhe ai  pranuar më pas se në makinë kishte vetëm doza droge për përdorim vetjak. Policia ka ushtruar kontroll dhe ka gjetur 34 doza droge.

Pas arrestimit të tij, policia ushtroi kontroll në banesën e të dyshuarit dhe gjeti 3 pistoleta dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. Shoferi i institucionit me rendësi shtetërore, ndodhet aktualisht nën masën e arrestit me burg për akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”.