Rruga eArbrit/ARRSH 20 mln euro shtesë “Gjokës” për skarpatat

184
Sigal

 

Rruga e Arbrit, megjithëse e inauguruar rreth 10 muaj më parë, vijon të gllabërojë miliona euro fonde publike nga gabimet në ndërtim

 

Krahas 20 milionë eurove, ARRSH ka hapur edhe dy tendera për supervizion punimesh

Rruga e Arbrit, megjithëse e inauguruar rreth 10 muaj më parë, vijon të gllabërojë miliona euro fonde publike. Gabimet në projektim dhe ndërtim kanë sjellë shpërdorime masive të fondeve, teksa vetëm për tunelin e Murrizit, janë akorduar rreth 20 milionë euro shtesë. Por, a mjaftojnë?! Natyrisht, nëse bëhet fjalë për abuzim, rrugët janë një gangrenë e madhe, pasi me të drejtë janë quajtur “rrugë të arta”. Koncesionin e kësaj rruge e ka fituar firma “Gjoka”, me një vlerë rreth 250 milionë euro. Kontrata e ndërtimit nisi në vitin 2018 dhe përfundon në vitin 2031, gjatë të cilit do të realizohet edhe gjithë pjesa e financimit nga qeveria. Aktualisht, paratë janë të firmës “Gjoka”. Por, megjithëse në koncesion është shkruar mjaft qartë se pagesa do të bëhet deri në vitin 2031, Autoriteti Rrugor Shqiptar bën herë pas here tendera në “ndihmë” të firmës “Gjoka”. Rregullon tombino, studion tunelin apo edhe për sinjalistikë. Ndërkohë, në muajt në vijim, ARRSH-ja do të bëjë dy tendera të majmë për skarpatat.Dokumentet e dy tenderave që do të kryejë Autoriteti Rrugor Shqiptar që do t’i vijnë në ndihmë firmës “Gjoka”. Tenderi i parë është me objekt “sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Plani i Bardhë”.

Bëhet fjalë për aksin nga Ura e Vashës në drejtim të Qafës së Buallit, aks i cili nuk është prekur me dorë për vite me radhë. Aktualisht, automjetet lëvizin në aksin e vjetër Klos-Qafë e Buallit. Në dokumente shkruhet se fondi limit i skarpatave në këtë aks shkon në plot 1.170.833.333 lekë. Ose, plot 10 milionë euro. Hartuesit kanë parë edhe kursin e këmbimit të auros, për ta rrumbullakosur këtë fond.

Ndërkohë, objekti i dytë i procedurës së prokurimit do të jetë “sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Shkallën e Tujanit”. Edhe ky aks është pjesë e Rrugës së Arbrit, ndërsa bazamenti te Shkalla e Tujanit është bërë vite më parë dhe aktualisht automjetet lëvizin me vështirësi, si pasojë e gropave dhe asfaltit tepër të dobët.

Në dokumente shkruhet se fondi për këto skarpata është 1.125.000.000 lekë, ose pak më pak se 10 milionë euro. Pra, të dyja kontratat, do t’u kushtojnë shqiptarëve plot 20 milionë euro. Por, a nuk u dha me koncesion kjo rrugë?! Përgjigjen mund ta japë i pari Evis Berberi i ARRSH-së, Belinda Balluku, ministrja e Infrastrukturës dhe i treti, “lartmadhëria” e tij, kryeministri Edi Rama. Nëse kjo rrugë është inauguruar 10 muaj më parë dhe do të ndërtohej nga privati, përse po vijon të marrë para publike?Madje, sipas dokumenteve të mësipërme, krahas 20 milionë eurove për skarpatat, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur edhe dy tendera për supervizion punimesh. Në dokumentet e siguruara shkruhet se ARRSH-ja ka gati letrat për tenderin “supervizion punimesh, sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Plani i Bardhë”, me vlerë 18.333.333 lekë dhe “supervizion punimesh, sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Shkallën e Tujanit”.Tenderi i fundit ka një vlerë 16.916.667 lekë. Të gjitha këto shifra janë nga taksat. Apo më saktë, nga taksat apo TVSH-të e çmimeve që janë rritur kohët e fundit.

Më 29 nëntor 2021, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, aktualisht edhe zv.kryeministre, inauguroi hapjen e Rrugës së Arbrit. Madje, Rama përdori këngë dhe daulle. Megjithatë, vepra kryesore, që e bën funksionale, tuneli i Murrizit, ende nuk ka përfunduar.“Pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një by-pass-i 8.8 kilometra, është provizor. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe ne do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur”, – tha Balluku. Por, 2022-shi po përfundon dhe ende rruga nuk është bërë funksionale. Vëzhgim në By Pass-in e famshëm të Ballukut, i cili përshkohet nga mijëra automjete është kthyer në makthin e shoferëve, pasi janë bërë me dhjetëra aksidente dhe janë shkatërruar me qindra automjete. Siç edhe e shikoni, rruga është copë-copë, madje duket si një rrugë lagjeje e një fshati dhe jo rrugë që lidh qarkun e Tiranës me Dibrën.