Shifrat e gabuara krijojnë panik… Bëni testimet!

438
Sigal

Nga Kastriot Islami

Mungesa e testimeve masive sipas këshillave të OBSH çon në një shifër të ulët jorealiste të të prekurve nga COVID-19 dhe për rrjedhojë në një shifër të lartë, në përqindje të vdekjeve. Kjo do të krijonte panik në publik. Pra, mungesa e testimeve adekuate jo vetëm pengon menaxhimin e saktë të situatës apo rrit shanset për përhapjen e virusit, por në mënyrë indirekte ndikon edhe në krijimin e panikut te publiku.

Nga një vëzhgim i shifrave statistikore që raportohen te OBSH, për rastin e Shqipërisë vihet re mungesë të paktën koherenca. Duke pasur parasysh se shifrat e ndryshme kanë korrelacionin e tyre, sa herë që ndërhyhet në to për të zbukuruar apo fshehur/ulur ndonjë parametër, me ose pa dashje, natyrisht që prishen/rriten të tjerat.

Por në tabelën e dhënë në këtë shkrim jam i detyruar të shqyrtoj të dhënat për Shqipërinë të prezantuara në faqen e OBSH si të pranueshme për raportin mes numrit të vdekjeve dhe numrit total të të infektuarëve për Shqipërinë. Ky mund të duket një përfundim jo fort i pëlqyeshëm e deri panikues për publikun, por kjo vjen nga statistikat që janë dërguar nga Shqipëria drejt OBSH dhe natyrisht përgjegjësia për këtë aspekt bie mbi autoritetet shqiptare. Jam i sigurt se nëse do të kishte testim adekuat të të prekurve, atëhere edhe ky përfundim do të ishte ndryshe, e me shumë gjasa më optimist.

Raporti i numrit të vdekjeve me numrin total të të prekurve, i shprehur në përqindje, në rastin e Shqipërisë rezulton nga shifrat e autoriteteve shqiptare i barabartë me 5,4 përqind. Më të lartë sesa vendi ynë këtë shifër e kanë ndër të tjera Italia (10,6 %), Spanja (7,8%). Irania (7,1%) dhe Franca (6,1%).

Shqipëria e ka këtë shifër më të lartë edhe sesa të gjithë vendet e rajonit, konkretisht më të lartë se Bosnja (1,6%), Serbia (1,5%), Sllovenia (1,4%), Maqedonia e Veriut (1,4%), Kosova (1,3%) dhe Mali i Zi (1,2%).

Shifrën më të ulët të këtij raporti e kanë Izraeli (0,3%), Gjermania (0,7%), Austria (0,9%), Turqia (1,6%) dhe SHBA (1,6%) dhe të gjithë vendet e rajonit tonë.

Si përfundim: Autoritetet shqiptare mbajnë përgjegjësi për statistikat e dërguara në OBSH për Shqipërinë, të cilat çojnë në përfundime jo fort optimiste e deri shqetësuese për publikun. Për rrjedhojë, nisur edhe nga ky aspekt, gjykoj se është më kriminale të mos bëhet testimi masiv sipas sugjerimeve të OBSH. Të gjithë argumetat për të mos e kryer këtë testim do të klasifikoheshin nga paaftësia, kaosi në organizim apo mania për të mos treguar të vërtetën për numrin e të infektuarve. Për më tepër që kjo mungesë e testimit masiv ndikon jo vetëm në përhapjen e edpidemisë, por edhe në saktësinë e shifrës totale të të infektuarve, por edhe në koherencën e kësaj shifre me shifrat e tjera. Ritheksoj më shumë që edhe ky përfundim do të ishte ndryshe më “optimist” e më pak panikues, nëse do të ishte bërë testimi masiv dhe shifra totale e të infektuarve do të ishte më afër realitetit.