Shëndeti mendor i punonjësve shëndetësorë

112

Nga Gentian Çala

Megjithëse ka shumë të panjohura për ndikimin e Covid-19 në shëndetin mendor, i referohemi atyre studimeve që janë bërë deri më tani. I publikuar në JAMA në 23 Mars, një studim i bërë në 34 spitale të Kinës, nga data 29 Janar deri më 03 Shkurt (periudhë kur kishte 10000 të infektuar me koronavirus). Studimi u bë në 1257 punonjës shëndetësorë, prej të cilëve 61% infermierë, 39% mjekë. Nga këta 61% në Wuhan dhe 42% në linjën e parë të kujdesit ndaj Covid-19. Për këtë studim u përdorën 4 pyestësorë (PHQ-9; Shkalla e Çrregullimit të Ankthit të Gjeneralizuar-7; Indeksi i Rëndesës së Pagjumësisë-7 dhe Shkalla e Ndikimit të Ngjarjes-22).

Përfundimet e studimit te punonjësit shëndetësorë ishin: niveli i depresionit ishte 50% (14% e mjekëve dhe 16% e infermierëve kishin depresion nga mesatar në të rëndë), niveli i ankthit 45%, niveli i pagjumësisë 34% dhe niveli i distresit psikologjik 72%.
Më të rrezikuarit ndër punonjësit shëndetësorë ishin: infermierët, punonjësir e gjinisë femërore, ata që punonin në Wuhan dhe profesionistët senjorë.
Mbrojtja e punonjësve shëndetësorë duket se është komponent i rëndësishëm i masave që duhet të merren për menaxhimin e epidemisë, ku neglizhimi i pasojave në shëndetin mendor të punonjësve shëndetësorë ka pasoja jo vetëm për mirëqënien e tyre, por edhe për efikasitetin e angazhimit të tyre profesional.

Situata me të cilën përballen profesionistët shëndetësore, posaçërisht ata të linjës së parë të kujdesit ndaj Covid-19, sigurisht që shoqërohet me nivele më të larta stresi dhe ankthi, nivel i cili ndihmon në marrjen e masave dhe në vetëmbrojtje, por nëse rëndesa e tyre është kritike dhe e zgjatur, kjo mund të ndikojë në shëndetin e tyre mendor.
Profesionistët e shëndetit mendor sugjerojnë kryesisht përfshirjen e vetë-ndihmës në vëmendjen e profesinistëve shëndetësorë, si p.sh.:
– pushime ndërmjet punës prej 20-30 minuta në ambiente shplodhëse, të cilat ndikojnë në uljen e niveleve të kortizolit;
– mirënjohja nga eprorët, kolgët apo të tjerët, mund të ketë efekt pozitiv;
– përdorimi i frymëmarrjes së thellë që shoqërohet me vetë-kontrolle të shpeshta të emocioneve dhe të ndjenjave.
Në disa raste mund të jetë i nevojshëm kërkimi i ndihmës te profesionistët e shëndetit mendor, ku roli i kolegëve apo familjarëve mund të ndihmojë për rë zgjidhur hezitimin apo stigmën. Në situatën aktuale mund të jetë e dobishme atashimi i profesioniatëve të shëndetit mendor pranë ekipeve të punonjësve shëndetësorë në linjën e parë ose shfytëzimi i telepsikiatrisë (konsultat on line, të cilat aktualisht kanë zëvendësuar konsultat për pacientët ambulatorë).