“Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh?!

634
Sigal

Nga Gjon BRUÇI

-Një etyd humoristik për Veteranët e LANÇ, Familjet e Dëshmorëve dhe Utopistët Socialistë-

Ceremonia shtetërore e rivarrimit të Kryeballistit Mit’hat Frashëri, në Panteonin e Rilindësve tanë në Tiranë, është “vepra” më e fundit e socialistëve, subjekti politik që në këta 28 vjet ka pasur në mbështetje shumicën e shqiptarëve. Gjatë këtyre afër tri dekadave, nuk kanë munguar zërat realistë, të cilët kanë shpjeguar se Partia Socialiste, që doli si kopilicë e nomenklaturës së lartë e tradhtare të PP në vitin 1991, nuk është gjë tjetër, veçse simotra e PD-së, subjektit që prej tri dekadash ka mbërthyer e mban flamurin e neofashizmit. Ndryshimi i vetëm midis këtyre dy kopilicave të agjenturës ndërkombëtare e antishqiptare, ka qenë “boja” me të cilën janë kallajisur. Boja e PD-së, që në krye ishte e zezë sterrë, dhe e tillë mbeti e do të mbetet gjer në varr. Ndërsa PS, e nisi me bojë të kuqe, por me kalimin e kohës u bë mavi dhe vijoi të nxihet gjer sa arriti parametrat e simotrës së saj, PD-së. Nëse, në fillimet e veprimtarisë politike, PS-ja ka manovruar për të mbuluar me sa të mundet hilen e saj, duke u hequr si mbrojtëse e flaktë e LANÇ, Dëshmorëve të saj dhe vlerave të Socializmit, në dekadën e fundit, “virgjëria e saj e shprishur” nisi të dilte sheshit. Lideri i saj aktual, me emrin Rama, ndonëse pati firmosur e botuar postulatin e tij: “Komunistët në litar e veteranët në hanxhar”, arriti që në vitin 2005 të akaparonte Partinë Socialiste, kontingjenti kryesor i së cilës ishin pikërisht ish-komunistët, veteranët dhe familjet e Dëshmorëve. Këta të fundit, postulatin “Ramian” të vitit 1992, e konsideruan një shaka trotuari, nga ato që autori këmbente dikur me “manarët e vegjël të ish-bllokut”. Por disa ditë më vonë, Ramoja (jo Ramboja), nuk hezitoi të deklaronte e shkruante se ai “ishte përtej të majtës dhe të djathtës”. Kjo “përtej të majtës dhe të djathtës, nuk ishte tjetër veçse fashizmi. Por mbështetësit e tij, përsëri e kaluan si shaka dhe aq, të sigurt se fashizmi nuk mund të kthehej, mbasi mungonin helmetat e hirta, me pupla të zeza e kryqe të thyera të Luftës së Dytë Botërore, që ata, apo baballarët e tyre, i patën groposur në vigjilje të 29 Nëntorit të viti 1944. . . Kur Rama erdhi në pushtet, në vitin 2013, veprat e tij gjithnjë e më tepër ngjanin e po ngjajnë me ato të Musolinit e të Hitlerit. Por mbështetësit e tij përsëri heshtën e po heshtin, sepse duke pasur përballë e të pacenuar Hitlerin shqiptar me emrin Sali, hitlerizmi i Ramës dukej e duket si një lodër fëmijësh. . . Me këtë ngushëllim apriori, Veteranët, Familjet e Dëshmorëve dhe Utopistët Socialistë, mbërritën sot tek ceremonia e Kryetarit të Ballit, Mit’hat Frashërit, alias Lumo Skëndo, çka do t’i detyrojë të nisin nga e para shkrimin dhe leximin e historisë, që ata vetë patën realizuar. A do të pranojnë Veteranët, Familjet e Dëshmorëve dhe Socialistët Utopistë ta rishkruajnë dhe ta rilexojnë historinë, që ata dhe baballarët e tyre realizuan në shtatë dekada e gjysmë? Po, jam i sigurt që do ta pranojnë. Do ta pranojnë si një “taktikë” e përkohshme e PS-së dhe liderit të saj (e përkohshme prej tri dekadash!!!), për të hedhur hallin e integrimit evropian, dhe jo si një kataklizmo të paparë në të vërtetat e historisë së tyre. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e Veteranëve, të Familjeve të Dëshmorëve, të ish-komunistëve të konvertuar në socialistë, dhe të socialistëve fringo e mbështetësve të tyre, ndonëse kanë plot shembuj të tradhtisë së socialdemokracisë, nuk mund ta besojnë se Partia e tyre e zemrës, me emrin modern Parti Socialiste, përforcuar me titullin “Rilindje”, të ketë shkarë kaq djathtas, sa të rivalizojë edhe Partinë Demokratike, strehën e kontingjenteve më të errëta të popullit shqiptar. Për të ilustruar me pak humor këtë fenomen që ka ngjarë me Veteranët e Luftës, Familjet e Dëshmorëve, ish-komunistët e thjeshtë dhe socialistët fringo e mbështetësit e tyre, po tregoj këtu më poshtë subjektin e një skeçi, të luajtur nga Estrada e Shkodrës në vitet e socializmit: “Punëtori mekanik kishte dalë në komision për të rritur kategorinë e punës. Ishte mekanik i mirë, por shumë i dobët teorikisht, ngase kishte vetëm shtatëvjeçaren, madje dhe atë, mbaruar natën. Ngaqë përgjigjet e tij nuk arrinin në vlerësim për rritje kategorie, njëri nga komisioni, duke dashur që punëtori ta kalojë “klasën” e të marrë kategorinë, i bën këtë pyetje shtesë:

-Shoku mekanik, po të bëj një pyetje jashtë tezës, ndaj kujdes, duam përgjigje të saktë. . . Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh”? Punëtori mekanik, rrotulloi sytë dhe mendjen, dhe pas pak u përgjigj:

– 82 dhëmbë!

-Kujdes, mos u habit, – ndërhyri anëtari i komisionit. – Po ta përsëris edhe njëherë pyetjen, se mbase nuk e dëgjove mirë: Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh? Punëtori mekanik, kësaj radhe më i sigurt, iu përgjigj pa rrotulluar as sytë e as kokën:

– 65 dhëmbë! Anëtarët e komisionit ngrinë. Nuk ishin të zot, as të qeshnin, e as të qanin. Ndërsa spektatori shpërtheu në gaz, çka ishte dhe objekti i skeçit në fjalë. Veteranët e LANÇ, familjet e Dëshmorëve dhe Socialistët Utopistë, nuk e kanë ndërmend të kuptojnë thënien e Ramës se ai “është përtej të majtës e të djathtës”, me gjithë materializimin konkret të këtij postulati. Kur kam parë skeçin e mësipërm në skenën e Estradës së Shkodrës, doemos kam qeshur. Por nga ana tjetër kam menduar se autori i skeçit e kishte ekzagjeruar e hiperbolizuar. Sot, duke parë se ç’po ndodh me utopistët socialistë dhe mbështetësit e tyre, vërtetova, se autori i skeçit paska qenë një Nostradamus i vërtetë!