Rritja e çmimeve boshatisi xhepat e qytetarëve, mbushi arkën e shtetit

148
Sigal

Shtrenjtimi i çmimeve të produkteve të ushqimore por edhe rritja e konsumit gjatë sezonit turistik ka mbushur arkën e shtetit.

Treguesit e Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë muajit korrik të ardhurat në dogana kanë kapur nivelin rekord të regjistruar në 30 vite. Janë arkëtuar rreth 170 milionë euro ose 19.6 miliardë lekë vetëm në muajin që sapo lamë pas.

Krahasuar me planin e rishikuar janë realizuar rreth 775 milionë lekë më shumë ndërkohë që krahasuar me Korrik 2021 janë realizuar rreth 2,5 miliardë lek më shumë ose me rritje me rreth 14,4%.

Ndër arsyet kryesore të shtimit të ardhurave doganore, vlerësohen rritja e zhdoganimeve të mallrave të akcizës gjatë korrikut. Nga të dhënat konstatohet se në vendin tonë kanë hyrë sasi rekord e cigareve prej 277 ton, kafesë rreth 600 ton, birrës rreth 12,250 mijë litra.

Kërkesa për këto produkte është më e lartë gjatë sezonit të verës e ndikuar nga turistët e huaj por edhe ata vendas.

Ndërkohë nëse e krahasojmë si periudhë 7 mujore, doganat kanë realizuar 122,7 miliardë lekë të ardhura ose rreth 5,5 miliardë lekë më shumë se plani I rishikuar. Në krahasim me 7 mujorin 2021 janë realizuar rreth 20,8 miliardë lekë më shumë ose rreth 20,4% më shumë.

Gjatë këtij viti për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve buxheti i shtetit ka arkëtuar më shumë të ardhura, ndërsa qytetarët janë përballur me kosto të larta jetese.