Rreshqitja e dherave, aksi Elbasan Tiranë i bllokuar, Gjika: Po punojmë

542
Sigal

Rrëshqitja e dherave si pasojë e rreshjeve intensive të ditëve të fundit në fshatin Ibë ka bllokuar sërish aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Këtë njoftoi vetë Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shqiptar Rrugor, Dashamir Gjika teksa bëri të ditur se po punohet për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë. 

“Kishim thënë edhe më parë që në rast përkeqësimi të situatës klimaterike sidomos të reshjeve të shiut do të bënim bllokimin e këtij aksi rrugor për të garantuar sigurinë e të gjithë atyre drejtuesve që kalojnë në këtë aks. Qarkullimi ka disa ditë që është i bllokuar dhe do të mbetet i tillë deri në një njoftim të dytë nga ana e autoritetit rrugor shqiptar”, deklaroi Gjika.

Gjatë 2 muajve të fundit, ky aks rrugor është bllokuar disa herë për shkak të shembjes së një masivi dheu në dalje të Tiranës, në fshatin Ibë. Sa i takon familjeve të bllokuara nga përmbytjet, Gjika bëri me dije se autoriteti i rrugëve ka marë të gjitha masat duke vënë në dispozicion automjete dhe ambulanca.