Fshati Gryksh i Madh në Peqin që prej ditësh është ‘mbërthyer’ nga dhimbja, ndërsa nesër do t’i jepet lamtumira e fundit 4 anëtarëve të familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht në Itali si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit. Mësohet se ceremonia e varrimit do të mbahet nesër në orën 13:00, ndërsa trupat e tyre do të prehen në varrezat e fshatit. Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 43 vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola dhe Xhesika Kola, 22 dhe 15 vjeç, do të prehen në tokën ku nisën jetën e tyre, në Gryksh të Madh, aty ku lanë kujtime, familjarë e miq përpara se të emigronin drejt Italisë për një jetë më të mirë.
Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe mbarë opinionin publik në Shqipëri. Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se shkaku i tragjedisë ishte rrjedhja e monoksidit të karbonit nga një kaldajë e re, e sapo instaluar nga pronari shqiptar i banesës. Prokuroria e Luccas vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së katër anëtarëve të së njëjtës familje. Këtë të enjte, Gryksh i Madh do të bashkohet në dhimbje për t’i dhënë lamtumirën e fundit një familjeje që u nda nga jeta në mënyrë tragjike, por që do të prehet përgjithmonë në vendin e saj. Në heshtjen e rëndë të varrezave të fshatit, mes lotëve dhe lutjeve, katër arkëmortet do të përcillen me nderime, ndërsa komuniteti do të përqafojë njëri-tjetrin në një dhimbje të përbashkët që kapërcen kufijtë.




















