“Rilindja” rrit çmimet e ujit të (pa)pijshëm për familjarët dhe bizneset në Gjirokastër, Berat, Kuçovë

625
Përparim HALILI
Bashkitë kanë kërkuar që vendimi të konsultohej me konsumatorët, por Enti Rregullator i Ujit nuk e ka pranuar këtë detyrim
– Rritje çmimesh janë bërë edhe për largimin e përpunimit të ujërave të ndotura për çdo kategori konsumatorësh, por furnizimi vazhdon të jetë me grafik dhe i ndotur 
Duke nisur nga data 1 prill 2017, banorët e disa zonave do të përballen me një tjetër rritje çmimi për ujin e (pa)pijshëm që ujësjellësit u çojnë nëpër banesa e biznese. Po kështu, do të paguajnë rritje të re çmimi edhe për largimin ujërave të ndotur, ë depozitohen në rrjetin e kanalizimeve. Përveç faktit, që uji u çohet me ndotje, me masë të lartë klorinimi dhe me orare vetëm 3 herë në ditë, tashmë do t’u shoqërohet edhe me çmime të larta, të vendosura arbitrarisht jo nga bashkitë e qyteteve, por nga Enti Rregullator i Ujit. Nga data 1 prill 2017, faturat e ujit dhe largimit të ujërave të ndotura, do të hartohen e arkëtohen me tarifat e reja. Pas njohjes me vendimin e Entit Rregullator të Ujit (ERU), të publikuar në “Fletore Zyrtare” nr. 82, datë 19 prill 2017, kontaktuam me disa nga këto bashki e njësi administrative në Berat e Gjirokastër, lidhur me praktikën e ndjekur dhe bazën ligjore të vendosjes së tabelave të reja të çmimeve të ujit, sipas llojeve dhe kategorive të konsumatorëve, por na thanë se është ky vendim i marrë direkt nga Enti Rregullator i Ujit (ERU), mbështetur nenet 14 dhe 21 të Ligjit Nr. 8102, datë 28. 03. 1996 (të azhornuar me ligjin nr. 9352, date 3.3.2005; Ligjin Nr. 9584, datë 17.07.2006 dhe Ligjin nr. 9915, date 12.05.2008) “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”. Banorët ende nuk janë njohur me këtë vendim të publikuar dje në “Fletore Zyrtare” e të futur në fuqi me efekt prapaveprues, duke nisur nga data 1 prill 2017. Nuk e dimë se si do të jetë reagimi i tyre ndaj këtij vendimi të Entit Rregullator të Ujit që është marrë pa përfillur bashkitë, por dihet fakti që familjeve u shkon ujë i ndotur nëpër familje e po kështu edhe bizneseve, institucioneve e shërbimeve publike, sidomos në çerdhe e kopshte fëmijësh! Që uji është i qelbur, ky është fakt, por është e papranueshëm rritja e çmimeve për një produkt që nuk ka ndryshuar as si sasi, as si cilësi dhe as si siguri! 
Gjirokastra, me çmime te reja uji
Për banorët e Gjirokastrës, çmimet e ujit të (pa)pijshëm dhe të largimit të ujërave të ndotura nëpërmjet kanalizimeve, rezulton se është bërë me Vendimin Nr. 12, datë 30. 03. 2017 të Entit Rregullator të Ujit (ERU), me objekt: “Mbi tarifat e ujit, për konsum publik për shoqërinë UK Gjirokastër-Qytet sha”. Cilat janë çmimet e reja të ujit për banorët, bizneset, shërbimet publike dhe institucionet në Gjirokastër, duke nisur nga data 1 prill, të cilëve fatura e muajit që do t’u hidhet poshtë dres, do të jetë më tarifa të ndryshuara, natyrisht me rritje. Këtë rritje çmimesh, Enti rregullator i Ujit e ka bërë, duke shfuqizuar Vendimin e KKRR nr. 44, datë 27.12.2013 “Për miratimin e tarifave të ujit për konsum publik për sh.a. UK Gjirokastër-Qytet”! Po cilat janë çmimet e reja të ujit dhe të largimeve të ujërave të ndotura për banorët, bizneset, shërbimet publike dhe institucionet e Gjirokastrës, duke nisur nga data 1 prill 2017, të cilat do tu dërgohen me faturën e muajit që do t’u hidhet poshtë derës?


Ja tarifat e reja

Furnizimi me ujë
1. Konsumator familjar: 43 lekë/m3
2. Konsumator publik: 125 lekë/m3
3. Konsumator privat” 130 lekë/m3
Largimi i ujërave të ndotura 
1. Konsumator familjar: 10 lekë/m3 
2. Konsumator publik: 16 lekë/m3 
3. Konsumator privat 16 lekë/m3 
Tarifa fikse për ujë dhe largime uji
1. Konsumator familjar: 80 lekë/muaj/klient 
2. Konsumator publik: 80 lekë/muaj/klient 
3. Konsumator privat: 80 lekë/muaj/klient 
Ja 10 mashtrimet e Entit Rregullator të Ujit, për të justifikuar rritjen e çmimeve në Gjirokastër

Performanca për vitin 2017 
1. Uji pa të ardhura (humbjet) 64 % 
2. niveli i matjes 76% 
3. Kohëzgjatja e furnizimi 6 orë/ditë 
4. Efiçenca e energjisë 0.6 kwh/m3 
5. Efiçenca e stafit 6.7 p/000/lidhje 
6. Mbulimi me ujë 100 % 
7. Mbulimi me kanalizime 65 % 
8. Norma e arkëtimit 93 % 
9. Cilësia e ujit (klor+koliform): Me standarde 
10. Pagesa rregullatore vjetore: 0.6% e të ardhurave të llogaritura
Berati dhe Kuçova, do të kenë këto tarifa uji
Ashtu si në Gjirokastër, tarifat e ujit të (pa)pijshëm dhe evadimit të ujërave të ndotura, kanë ndryshuar edhe për banorët e Kuçovës e Beratit. Konsumatorët në këto qytete, që prej datës 1 prill, do t’i kenë faturat e konsumit të ujit me çmime të tjera më të larta. Këtë dhuratë, nuk u kanë bërë bashkitë e qyteteve të tyre, por “Rilindja” nëpërmjet Entit rregullator të Ujit (ERE), i cili nuk i ka përfillur fare kundërshtimet e krerëve të bashkive, duke përdorur nenet 14 dhe 21 të Ligjit Nr. 8102, datë 28. 03. 1996 (të azhornuar me ligjin nr. 9352, date 3.3.2005; Ligjin Nr. 9584, datë 17.07.2006 dhe Ligjin nr. 9915, date 12.05.2008) “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, që i jep të drejtën këtij enti, të vendos vetë për çmimet, licencimit dhe çdo gjë tjetër, që ka lidhje me ujësjellësit. Ky ndryshim çmimesh është me Vendimin Nr. 13, datë 30. 03. 2017 të Entit Rregullator të Ujit (ERU), me objekt: “Mbi tarifat e ujit, për konsum publik për shoqërinë UK Gjirokastër-Qytet sha”. Këtë rritje çmimesh, Enti rregullator i Ujit e ka bërë, duke shfuqizuar Vendimin KKRR nr. 10, datë 21.5.2014 “Për miratimin e tarifave të ujit për konsum publik për Sha UK Berat-Kuçovë”. Po cilat janë çmimet e reja të ujit dhe të largimeve të ujërave të ndotura për banorët, bizneset, shërbimet publike dhe institucionet e rretheve Berat-Kuçovë, duke nisur nga data 1 prill 2017, të cilat do t’u dërgohen me faturën e muajit që do t’u hidhet poshtë derës?
Ja tarifat e reja

Furnizimi me ujë
4. Konsumator familjar: 48 lekë/m3
5. Konsumator publik: 130 lekë/m3
6. Konsumator privat” 130 lekë/m3
Largimi i ujërave të ndotura 
4. Konsumator familjar: 13 lekë/m3 
5. Konsumator publik: 22 lekë/m3 
6. Konsumator privat 22 lekë/m3 
Tarifa fikse për ujë dhe largime uji
4. Konsumator familjar: 100 lekë/muaj/klient 
5. Konsumator publik: 200 lekë/muaj/klient 
6. Konsumator privat: 200 lekë/muaj/klient 
Ja 10 mashtrimet e Entit Rregullator të Ujit, për të justifikuar rritjen e çmimeve në Berat-Kuçovë

Performanca për vitin 2017 
1. Uji pa të ardhura (humbjet) 70% 
2. niveli i matjes 88.7% 
3. Kohëzgjatja e furnizimi 6 orë/ditë 
4. Eficienca e energjisë 14 këh/m3 
5. Eficienca e stafit 5.3 p/000/lidhje 
6. Mbulimi me ujë 92 % 
7. Mbulimi me kanalizime 80 % 
8. Norma e arkëtimit 90% 
9. Cilësia e ujit (klor+koliform): Me standarde 
10. Pagesa rregullatore vjetore: 0.6% e të ardhurave të llogaritura
Sigal