Protesta e tregtarëve të rrobave të përdorura: Tatimet u lënë afat deri më 14 tetor

532
Qindra shitës ambulantë të tregut të rrobave të përdorura në zonën pranë spitaleve, ditën e djeshme kanë protestuar pranë Drejtorisë së Tatimeve. Mungesa e informacionit është një ndër problemet më të mëdha që ata kanë, por edhe fakti se institucionet nuk u japin informacion të detajuar në lidhje me situatën e tyre. “Në bashki na thanë që, ‘nuk ju japin ne dot zgjidhje, shkoni te Tatimet’, ndërsa sot te Tatimet, edhe pse na kanë lënë afat deri më 14 tetor që të regjistrohemi, na thanë se ‘duhet patjetër që të arrini marrëveshje me bashkinë që t’ju njohë si shitës ambulantë, në mënyrë që ju të mos trajtoheni si biznes i vogël’”, – u shpreh një prej shitësve ambulantë në zonën e Spitalit nr.5. Sipas tyre, ata shesin në tezga, nuk kanë dyqane, me qepena të mbyllur ku mbajnë mallin, edhe pse shesin në të njëjtin vend prej vitesh.

“Zhvilluam një takim me Gjergji Duron, përgjegjës i sektorit të kontrollit tatimor, i cili na sqaroi se, nëse pretendojmë se jemi ambulantë, duhet të plotësojmë një formular vetëdeklarimi, e më pas duhet që të nisin procedurat për t’u pajisur me numër nipti. Por që të mos trajtohemi si biznes i vogël duhet të bëjmë një marrëveshje me pronarin e tokës; kontratën më pas pronari duhet ta dërgojë te minibashkia dhe më pas minibashkia e dërgon në bashki të madhe. Pra, është në dorën e bashkisë nëse do të na njohë si ambulantë apo jo. Pasi, nëse do njihemi si ambulantë, nuk është e nevojshme kasa fiskale”, – tregon një prej përfaqësuesve të tregtarëve. Ditën e hënë pritet që ata t’i drejtohen sërish Bashkisë së Tiranës, për të arritur një marrëveshje që të njihen si ambulantë, dhe nëse nuk do të gjejnë zgjidhje, tregtarët shprehen se protestat e tyre nuk do të ndalen.
Sigal