Prof. Pëllumb Xhufi/ Pavarësi e fituar dhe pavarësi të humbura

679
Sigal

Për të fituar simpatitë e Londrës, si ballistët ashtu edhe zogistët, nuk mëtuan të zvarriteshin edhe pas projektit britanik për krijimin e një federate ballkanike

Është fakt i njohur, se për arsye historike të njohura, në gatimin e shtetit shqiptar në 1912 u përfshinë pak a shumë të gjithë: u përfshinë vetë shqiptarët, por u përfshinë gjithashtu edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat shtetin e ri shqiptar e prenë sipas masës dhe sipas interesave të tyre e të klientëve të tyre ballkanikë. Për rrjedhojë, shteti shqiptar i njohur në Konferencën e Ambasadorëve, në Londër 1913 dhe i rikonfirmuar në Lidhjen e Kombeve në 1921, ishte një shtet me territor dhe me sovranitet të cunguar. Duke luftuar, e më në fund duke eliminuar qeverinë kombëtare të patriotëve demokratë të udhëhequr nga Ismail Qemali, në 1914, Fuqitë u kujdesën t’i japin shtetit shqiptar një organizim monarkik. Për këtë qëllim, ricikluan e sollën në pushtet parinë e vjetër otomaniste, e cila kishte dhënë prova se nuk e kishte për gjë të bënte pazar me interesat e vendit.  Esad Pashë Toptani dhe Ahmet Zogu arritën ta dominonin skenën politike shqiptare nga viti 1913 deri në 1939, pikërisht falë lidhjeve të dyshimta e falë marrëveshjeve antikombëtare të nënshkruara me qeveritë serbe, greke e më vonë edhe me qeverinë fashiste të Musolinit. Marrëveshje, që cenonin pikërisht sovranitetin dhe integritetin tokësor të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, pushtimi fashist në 7 prill 1939 ishte akti i fundit i një tragjedie të paralajmëruar. Ahmet Zogu dhe shpura e tij në pushtet, kishin bërë gjithçka që 7 prilli i vitit 1939 të bëhej pa zhurmë e pa bujë.

Pavarësia e Shqipërisë

Në 29 Nëntor të vitit 1944, bashkë me lirinë, u vu në vend edhe pavarësia e Shqipërisë, e asgjësuar nga pushtuesit italianë e gjermanë. Por pavarësia e rifituar në 1944 kishte vlerë e ngarkesë tjetër në krahasim me atë të para vitit 1939.  Ajo erdhi si rezultat i një lufte të ashpër, që si asnjëherë më parë përfshiu mbarë popullin shqiptar, duke e rreshtuar atë me dinjitet në frontin e përbotshëm antifashist. Mbi bazën e sakrificave dhe të atributit të gjakut të derdhur për çlirimin e atdheut dhe fitoren e përbashkët mbi nazifashizmin, FNÇ dhe udhëheqja e PK e bëri të qartë qysh gjatë luftës se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti i shtetit shqiptar ishin të panegociushme. Mbi këtë bazë, dhe pavarësisht lidhjeve dhe bashkëpunimit të ngushtë që u vendosën gjatë luftës me aleatët anglo-amerikanë, ata nuk hezituan të përplasen, veçanërisht me Londrën, sa herë që konsideronin se ajo synonte të zbatonte politika që konsideroheshin ndërhyrje në punët e brendshme dhe që, sipas tyre, cenonin pavarësinë e sovranitetin e Shqipërisë. Sigurisht, këtu zinte një vend të rëndësishëm çështja e pushtetit që do të vendosej pas luftës dhe udhëheqja e FNÇ e dinte fort mirë se anglo-amerikanët, veçanërisht të parët, nuk e donin kurrsesi ardhjen në pushtet të komunistëve dhe për këtë qëllim përpiqeshin të faktorizonin të ashtuquajturit “nacionalistë”, legalistë e ballistë. Por, konfliktet e udhëheqjes së Frontit e të PK veçanërisht me britanikët kishin të bënin gjithashtu me çështjen e kufijve të Jugut të Shqipërisë. Për E. Hoxhën, ashtu si dhe për udhëheqësin e Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashërin dhe për vetë Ahmet Zogun në mërgim, ishin të qarta bisedimet e ujditë e arritura në Londër midis qeverisë greke në mërgim dhe qeverisë britanike, lidhur me korrektimin e kufijve të jugut të Shqipërisë në favor të Greqisë, gjë që ishte shprehur botërisht nga deklarata e Sekretarit Jashtëm Eden në dhjetor 1842, të rikonfirmuar një vit më vonë edhe nga Kryeministri Winston Churchill.

 Misioni anglez në Shqipëri

Nisur nga ky fakt, Shtabi i UNÇ dhe vetë E. Hoxha, nuk i mirëpritën aksionet komando që britanikët ndërmorën në bregdetin e Jonit në korrik e në shtator 1944. Vetë oficerët e misionit anglez të atashuar pranë këtij shtabi, vërenin se shqiptarët druheshin, dhe jo pa të drejtë, se këto aksione mund të ishin preludi i një operacioni të përbashkët anglo-grek për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Për këtë arsye, në 30 tetor 1944, ende pa u çliruar Shqipëria, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, urdhëronte Shtabin e Divizionit III të Ushtrisë që të dislokonte në vijën e kufirit me Greqinë, nga Konispoli në Peshkopi dhe nga Vlora, Himara e deri në Sarandë, forcat e Brigadave XIX e XVI me detyrë mbrojtjen e kufirit.  Edhe në fjalimin e mbajtur në 28 Nëntor 1944, E. Hoxha nuk mëtoi t’i kushtojë një paragraf të fortë marrëdhënieve me Greqinë. Pasi denoncoi atë, që ai e quajti “martirizim i minoritetit shqiptar nga bandat shoviniste e reaksionare të Zervës, që po i grabitin atij pasurinë dhe po nxjerrin jashtë truallit të tyre”, Hoxha, për herë të parë publikisht ngriti zërin për “pretendimet aneksioniste të deklaruara nga Kryeministri grek Papandreu në drejtim të krahinave tona të Korçës e Gjirokastrës”. “Kufijtë tanë”, kërcënoi ai, “janë të padiskutueshëm, se brenda tyre nuk ka përveçse toka tonat, që na i kanë lënë stërgjyshërit dhe që i kemi vaditur me gjakun tonë: askush nuk do të guxojë të na i prekë, se ne do të dimë ti mbrojmë”. Kjo deklaratë e fortë e Hoxhës, që paralajmëronte vendosmërinë e komunistëve për të hyrë, po të qe nevoja, në një luftë tjetër për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit, tërhoqi vëmendjen e të huajve, e mes tyre të korrespondentit të agjencisë së lajmeve “Associated Press”, Sid Feder, i cili ia shpërndau atë menjëherë agjencive dhe shtypit të huaj.

Ndërkohë duhet thënë, se qysh gjatë luftës, por në mënyrë të veçantë pas luftës, FNÇ dhe PK u gjendën, objektivisht, në krah e në bashkëpunim me LNC jugosllave e më tej me qeverinë jugosllave. Kjo marrëdhënie, nëse formalisht nuk e rrezikonte integritetin tokësor të Shqipërisë, siç e rrezikonte Greqia, mori formën e ndërhyrjeve të hapura në punët e brendshme dhe, me projektin titist të një federate ballkanike, apo edhe shqiptaro-jugosllave, vinte në rrezik sovranitetin e shtetit shqiptar. Megjithatë, siç venë në dukje oficerët e misioneve britanike, gjatë luftës emisarët jugosllavë nuk e patën të lehtë të impononin vijën e tyre në LANÇ e në vetë PK. Këtë e provon pozicioni që në mënyrë të veçantë E. Hoxha mbajti ndaj çështjeve të tilla siç ishte çështja e Kosovës, ajo e federatës ballkanike apo kontradiktat mes tij dhe emisarëve jugosllavë lidhur me vijën politike të ndjekur nga PKSH gjatë luftës, që dolën hapur gjatë Plenumit të Beratit. Nuk është për të rehabilituar figurën e Enver Hoxhës, por thjesht për të thënë një të vërtetë historike, që të huajt e kanë thënë qysh më parë, se duhet pranuar që E. Hoxha, shpesh herë i vetëm, ka qenë më i ndërgjegjshëm se çdokush tjetër në udhëheqjen e PKSH për rrezikshmërinë që paraqiste politika e Titos ndaj Shqipërisë, gjë për të cilën ai iu ankua edhe vetë Stalinit gjatë vizitës që bëri në Moskë në vitin 1947.

Radhët e BK e Legalitetit

Ndryshe nga FNÇ, ajo pjesë e elitës së vjetër politike e rreshtuar në radhët e BK e Legalitetit (këtu nuk do bëjmë fjalë për qeveritë kuislinge të Sh. Verlacit, M. Krujës, R. Mitrovicës etj.), tregoi se ishte e gatshme të bënte edhe kësaj here kompromis me pavarësinë, integritetin e sovranitetin e vendit për të ruajtur pushtetin e vet të pamerituar. Në gjurmët e marrëveshjeve të fshehta të  Esad Pashës e të Ahmet Zogut me Beogradin e me Athinën, përfaqësues të Zogut dhe të Muharrem Bajraktarit u përpoqën, qysh në vitin 1941, të binin në marrëveshje me gjeneralin çetnik serb Drazha Mihajlloviç, lidhur me një aleancë, që pas luftës parashikohej të përfundonte në një federatë jugosllavo-shqiptare. Një aleancë të ngjashme, të pagëzuar si “aleanca pellazgjike greko-shqiptare” me frymëzim antikomunist, Muharrem Bajraktari ia propozoi në mars 1944 Ministrit të Jashtëm Britanik, i bindur se ai vetë do luante një rol parësor në projektet britanike të pas-luftës. Ndonjë muaj më vonë, edhe Mit’hat Frashëri, nga BK, dhe Koço Kota nga Legaliteti, tentuan të fitojnë simpatitë e Londrës dhe të përfshiheshin në planet britanike, duke tentuar një marrëveshje me përfaqësuesit e qeverisë greke në mërgim e të forcave të djathta të EDES-it, që komandoheshin nga xhelati Napoleon Zerva. Termat e marrëveshjes së propozuar pikërisht nga Mit’hat Frashëri, dikur denoncues i palodhur i nacionalizmit e shovinizmit grek, ishin të turpshme: Greqia e Shqipëria do bashkoheshin në një federatë, duke ruajtur kufijtë e paraluftës. Hiqej dorë, kështu, nga Kosova e Çamëria, nga projekti i “Shqipërisë etnike”, të cilin BK e Legaliteti e kishin përdorur pafundësisht në propagandën e tyre kundër FNC e PK. Për më tepër, në federatën greko-shqiptare, ushtria do të ishte nën urdhrat e Shtabit të Ushtrisë greke. Nëse kjo marrëveshje antikombëtare, e cila po qe se realizohej do sillte shkrirjen e Shqipërisë në shtetin grek, nuk u nënshkrua, kjo erdhi sepse përfaqësuesi grek, Chrisoidou, kërkoi shumë më tepër nga ç’ ofronin të ashtuquajturit “nacionalistë” shqiptarë. Për të fituar simpatitë e Londrës, si ballistët ashtu edhe zogistët, nuk mëtuan të zvarriteshin edhe pas projektit britanik për krijimin e një federate ballkanike, porsa morën vesh se për të po punohej në Ministrinë e Jashtme britanike. Në vazhdën e këtyre marrëveshjeve, që nëse realizoheshin e cenonin rëndë pavarësinë, sovranitetin dhe vetë ekzistencën e shtetit shqiptar, nuk është pa interes të përmendim edhe përpjekjet e ethshme, që qarqet ballisto-zogiste të emigracioni bënë për t’u afruar me Titon pas prishjes së marrëdhënieve të regjimit të Tiranës me Beogradin, në 1948. Duke “harruar” antikomunizmin e tyre, në letrat e shumta që individë e grupe të caktuara të emigracionit politik shqiptar i dërguan aso kohe udhëheqësit komunist jugosllav, i ofronin atij ndihmën e tyre për rrëzimin e qeverisë së Tiranës dhe i premtonin se me ata në pushtet, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave do të njihnin një zhvillim të panjohur.

Çështja e Kosovës

Edhe përsa i përket çështjes së Kosovës, qeveritë kuislinge të Tiranës dhe organizatat nacionaliste mbajnë një përgjegjësi të madhe historike, sepse në vend të propagandonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së vetëvendosjes mbi bazën e luftës kundër pushtuesit nazi-fashist, gjë që përputhej edhe me Kartën e Atlantikut, ushqyen iluzionin e rrezikshëm të realizimit të “Shqipërisë etnike” si dhuratë e pushtuesit nazifashist. Akoma më keq, ato nxitën rekrutimin e shqiptarëve të Kosovës në krah të ushtrive pushtuese dhe i përdorën ato kundër luftës antifashiste, sa në Kosovë, aq edhe në Shqipëri. Formacionet pro-fashiste “Kosova” e “Skënderbeg” dhe reprezaljet e kryera prej tyre kundër luftëtarëve të lirisë, ishin një hipotekë e rëndë për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi. Nëse në Kosovë propaganda nazifashiste zuri vend më shumë, dhe nëse aty nuk pati një lëvizje çlirimtare antifashiste masive, gjë që do ta kishte forcuar pozitën e popullit të Kosovës pas luftës, kjo erdhi sigurisht për kushtet specifike të vendit, por erdhi edhe për faj të ndikimit të dëmshëm që ushtruan aty rrethet kuislinge e kolaboracioniste të Tiranës.

 Fronti Nacional Çlirimtar dhe Partia Komuniste

Në të kundërtën, Fronti NÇ dhe Partia Komuniste që e drejtonte atë, zgjodhën të vetmen rrugë të mundshme që i jepte një shans bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Në letrën e KQ të PKSH drejtuar Komitetit Qarkor për Vlorën, në 17 gusht 1943, citohen kushtet që FNC i kishte vënë BK në vështrim të një bashkimi: “Respektim i Kartës së Atlantikut, i Traktatit të Londrës e të Washingtonit në mes URSS, Anglisë e Amerikës dhe në lidhje me të, çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhet pas luftës dhe vetë popujt e Kosovës e të Çamërisë, sipas dëshirës së tyre, do të vendosin për fatin e tyre. Ne do t’i japim të gjitha mundësitë që të krijohet situatë e atillë që çështja të zgjidhet me drejtësinë e plotë. Derisa fashizmi të zhduket, detyra jonë kryesore patriotike është të frymëzojmë dhe të ndihmojmë që popujt e Kosovës e të Çamërisë të hyjnë në luftë kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij, se vetëm në këtë mënyrë ata do të sigurojnë jetën e tyre dhe të drejtën e vetëvendosjes”[1]. Në këtë optikë, Fronti NÇ dhe PKK bënë përpjekje serioze për të inkurajuar luftën partizane sa në Çamëri, aq edhe në Kosovë. Ato, në bashkëpunim me komunistët kosovarë, organizuan edhe Konferencën e Bujanit, ku komunistët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, në prani edhe të përfaqësuesve serbë, artikuluan shkoqur vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim kombëtar mbi bazën e kontributit në luftën e madhe antifashiste. Nga ana tjetër, kalimi i formacioneve të ushtrisë Nacional Çlirimtare në veri të Shqipërisë e më tej në Kosovë, nga qershori 1944, pati një rëndësi të jashtëzakonshme për ndryshimin e raportit të forcave edhe në këtë krah të territoreve shqiptare. Popullsia e tyre u bashkua në masë me formacionet partizane. Njëherësh, u tronditën e u shthurën bazat e pushtetit e të autoritetit të krerëve e bajraktarëve, që deri atëherë kishin qenë bartës të antiligjit dhe të destabilitetit politik të vendit, kurse gjatë luftës iu bashkuan pushtuesit. Me hyrjen e divizioneve partizane në Kosovë, me qindra e mijëra të rinj kosovarë, një pjesë e të cilëve deri atëherë kishin bërë pjesë në radhët e divizionit famëkeq “Skënderbeg”, iu bashkuan atyre, duke formuar 4 brigada të reja partizane. Fakti që fundi i luftës i gjeti këta të rinj të armatosur, jo më si ushtarë të regjimentit SS “Skënderbeg”, por si luftëtarë të brigadave partizane, evitoi ose reduktoi mundësinë e përplasjes e të reprezaljeve të ushtrisë jugosllave kur kjo hyri në Kosovë. Sigurisht, problemi i Kosovës do duhej t’i hynte një rruge të gjatë, në kushtet po aq të vështira të luftës së ftohtë dhe të marrëdhënieve tejet të acaruara shqiptaro-jugosllave. Megjithatë, përvoja e Luftës II Botërore i kishte mësuar shqiptarët e Kosovës se liria nuk dhurohet, aq më pak nuk dhurohet nga një pushtet i tiranisë, por fitohet me qëndresë e luftë.