Dr Jani Basho: Anshtajni ka qenë në vendin tonë dhe është pajisur me pasaportë shqiptare!

2655
Sigal

Në vazhdim të shkrimit “Drejtoresha e Arkivit të Izraelit: Ajnshtajni nuk ka qënë asnjëherë në Shqipëri”, të zotit Dritan Spahiu. Reagon Jovan Basho

Zoti Dritan Spahiu!

Të martën në mëngjes më thanë për shkrimin tuaj me titull: “Drejtoresha e Arkivit të Izraelit: Ajnshtajni nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri”. Mendova se a do të ishte e udhës të shkruaja një përgjigje për ju, sepse nuk arrij dot ta kuptoj dot se kujt i vlejnë këto replika dhe etiketime pa kuptim, aq me tepër kur shkruhen nga një profesor! Përgjigja fillestare ndaj vetes ishte: jo! Por kur lexova pastaj shkrimin tuaj dhe pashë gjëra që unë nuk i kam thënë e nuk janë të vërteta, shoqëruar edhe me pasaktësi, ia ndjeva vetes për detyrë të sqaroj sa më poshtë: Ne jemi takuar bashkë, pikërisht ju më keni kërkuar dhe kemi biseduar për çështjen në fjalë, e unë ju kam thënë ato që dija. Madje, më keni dhuruar edhe një libër tuajin për historinë e jetës së Ajnshtajnit, gjë për të cilën ju kam falënderuar.

Kam qenë i pari që kam botuar një shkrim për vizitën e fshehtë të Ajnshtajnit në Shqipëri në pranverën e vitit 1931 (më vjen keq që ngatërroni datat). Ato që dija unë, mi kishte thënë babai (Kozma Basho, 1927-1994, i cili në vitet 1950-1954 ka qenë i emëruar në Institutin e Shkencave, sot Fakulteti i Shkencave të Natyrës, pikërisht në godinën ku ju keni punuar). Ai i kishte mësuar prej xhaxhait të tij Dr. Jani Bashos. Pastaj Prof. Skënder Koja më tregoi për ngjarjen me Ajati Begën (shih shkrimin tim më poshtë) e situata filloi të qartësohej veçanërisht edhe pas deklaratës së Mbretëreshës Geraldina para mbërritjes në Shqipëri, dhënë një gazetari anglez (botuar prej tij), se i shoqi (dmth Mbreti Zog) i kishte thënë, që ashtu si shumë hebrejve të tjerë, i kishin dhënë pasaportë shqiptare edhe Ajnshtajnit. Këto tre dëshmi janë të pavarura e këta tre persona nuk janë takuar ndonjëherë më njëri tjetrin. Shkova në Arkivin e Shtetit Shqiptar (me ndihmën e pakursyer të Prof. Shaban Sinanit, që ka shkruar shumë mbi temën e hebrenjve) dhe botova sa më poshtë. Edhe unë i kam shkruar Muzeut Hebre të Jeruzalemit dhe kam marrë përgjigje negative nga Zonja Barbara Wolf. Pra, në atë muze nuk ka të dhëna për sa më sipër! Por kjo gjë nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhje përfundimtare e problemit. Kjo është si të kërkosh Deklaratën e Pavarësisë në Arkivin Qendror të Shtetit dhe po nuk e gjete të thuash se nuk ka ekzistuar një e tillë. Por, për këtë të fundit fatmirësisht kemi kopje, në sajë të arkivistit të madh Lef Nosi, bërë më 1937. Edhe për vizitën e Ajnshtajnit kemi tre dëshmi. Eshtë detyra jonë të përpiqemi ti vërtetojmë, se kjo nuk është më çështje individi, as inati, as mohimi, as ballabanpashizmi, as personash! Eshtë çështje e madhe e shtetit shqiptar dhe krenari kombëtare po u vërtetua.

Pas shkrimit tim të vitit 2008, shkruan, komentuan, përvetësuan, falsifikuan, përkthyen, shtuan dhe gënjyen edhe shumë të tjerë. Midis tyre edhe gazetari Bardhyl Berberi që shkroi një artikull të gjatë, bazuar mbi ato që unë kisha shkruar më parë dhe mbi një sajesë të tij, për gjoja gjetjen e një dokumenti në një regjistër të vjetër inekzistent bashkiak. Më vjen keq që ju e përmendni këtë shkrim të tij, se kushdo që ka formim intelektual normal dhe ka pasur kohë ta lexojë, e ka kuptuar lehtë që është një gënjeshtër. Pastaj, kur për të, pyetet edhe Zonja Wolf!? Ç’të thuash! “Ky është Atdheu ynë i dhembshur”!, i pat shkruar Lasgushi, Dr. Bashos në vitin 1929.

Duke qënë krejt i bindur që shkrimi juaj nuk është bërë me qëllim të keq, as me nxitim e as i nxitur nga të tjerë, do të isha i lumtur ta jetoja atë ditë, kur kjo histori të vërtetohej e të dy bashkë të krenoheshim që kemi kontribuar në një nga të paktat rrethana që e ngre lart emrin e të qenit shqiptar.

Sinqerisht,

Jovan BASHO

P. S. Më poshtë po paraqes të dhëna nga shkrimi im i vitit 2008.

Jovan BASHO*

AJNSHTAJNI NË SHQIPËRI

(Të dhëna rreth udhëtimit të fshehtë të tij në pranverën e vitit 1931)

A ka qënë Albert Ajnshtajni në Shqipëri? A kemi fakte të dokumentuara për këtë gjë? Kushdo që do të lexojë këto rreshta mund të bëjë pyetjen: kush është ky zotëri që shkruan për një temë të tillë, të përfolur vitet e fundit, por pa mundur të objektivizohet në mënyrë të dokumentuar? E ndërmora këtë iniciativë për dy arsye:

1. Për të dëshmuar me rastin e përkujtimit të Holokaustit dhe 60 vjetorit të shtetit të Izraelit, se Shqipëria është bërë faktor i rëndësishëm në shpëtimin nga kthetrat e nazizmit të hebreut dhe njeriut më të njohur të shekullit XX, Albert Ajnshtajnit, dhe,

2. Si mirënjohje për të parët e mijë, të cilët kanë luajtur një rol kyç në këtë histori. Për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme duhet të kthehemi shumë vite prapa, e pikërisht në fillim të viteve 30të të shekullit që sapo kaloi. Në lidhje me këtë temë, unë dij tri dëshmi:  Dr. Jani Basho (vëllai më i vogël i gjyshit të autorit të këtyre rreshtave) u diplomua në Vjenë në vitin 1921. Pas disa specializimesh atje (mjekësi interne, kirurgji, obstetrikë-gjinekologji) ai u kthye në Shqipëri në tetor 1927 (edhe për disa muaj gjatë kohës që qeverimit të Imzot Fan Nolit). Gjatë qëndrimit 14 vjeçar në Vjenë Dr. Basho ishte kryetar i Shoqatës së studentëve shqiptarë “Albania” dhe kryeredaktor i revistës së tyre “Dialëria”. Fill pas kthimit në atdhe, u emërua në detyrën e shefit të Seksionit të Shëndetësisë në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, Drejtorit të Spitalit Ushtarak dhe mjekut personal të Mbretit Zog (1928 – 1935). Dr. Basho ka luajtur një rol shumë të madh në mjekësinë shqiptare. Me emrin e tij lidhet ndërtimi i spitaleve moderne në Shqipëri (Civil e Ushtarak më 1932, projektet e të cilave ai i solli nga Vjena më 1927 e që janë projektuar nga arkitekti vjenez Köhler), organizimi i Mjekësisë Shqiptare (1928 – 1932), themelimi i Mjekësisë Spitalore Ushtarake (1932) dhe shërbimit të Obstetrikë- Gjinekologjisë (1935). Ato që unë dij në lidhje me temën e sipërtreguar ai ia kishte treguar babait tim Kozma Bashos (1927 – 1994) që e kishte nip dhe e trajtonte si djalin e tij, në fillim të viteve 50të, kohë kur babai punonte në sektorin e Ihtiologjisë të Institutit të Shkencave të Natyrës dhe Dr. Basho ishte drejtor i Maternitetit të Tiranës. Babai më kishte treguar se Dr. Basho i kish thënë atij që Ajnshtajni kishte ardhur në Shqipëri në fillim të viteve 30të, kishte qëndruar 3 ditë dhe kishte marrë pashaportë shqiptare. Dr. Basho kishte ndërhyrë te Mbreti, e kishte shoqëruar gjatë qëndrimit në Shqipëri, kohë kur e kishte pritur edhe vetë Mbreti Zog. Madje Dr. Basho kishte shkëmbyer edhe disa letra me të, ku Ajnshtajni e falenderonte për mirësinë e treguar dhe i tregonte për vështirësitë e jetës së tij. Mjerisht ne na mungojnë këto letra të cilat u dogjën në shkurt të vitit 1945 (bashkë me shumë libra e dokumente të tjera) gjatë shtetëzimit të shtëpisë dhe klinikës së Dr. Bashos, dy shtëpive pranë njëra-tjetrës në qendër të Tiranës, midis Postës Qendrore dhe ish-Gjykatës së Lartë.

Si është njohur Dr. Basho

me Ajnshtajnin? Në ç’kohë?

Këtyre pyetjeve unë nuk di t’u përgjigjem se nuk mbaj mend të mi kenë thënë, por, do ti kthehem përsëri më poshtë këtij diskutimi.

2. Dëshmia II: Gelardina APPONYI-ZOGU (Nëna Mbretëreshë) (1915-2002)

Para se të rivinte në Shqipëri në qershor 2002, Nëna Mbretëreshë i dha një intervistë një gazetari anglez, intervistë e cila u botua në atë kohë në revistën angleze “Style” nën titullin “Kthimi i Mbretëreshës”. Ajo i deklaroi gazetarit se Mbreti Zog i kishte thënë që: “Ajnshtajni ka ardhur në Shqipëri, është takuar me të dhe ka marrë pasaportë shqiptare”. Ajo nuk përcaktoi datë, por shtypi shqiptar i asaj kohe (2002) shkroi se kjo kish ndodhur më 1938, duke e lidhur gabimisht me vitin e martesës së saj në Shqipëri. Historikisht dihet që Ajnshtajni udhëtoi për të fundit herë nga Southemptoni (Angli) në Amerikë në tetor të vitit 1933.

3. Dëshmia III: Ajati BEGA, ish bankieri i mirënjohur i Bankës Kombëtare Shqiptare, histori e treguar nga Prof. Dr. Skënder KOJA, ish Drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore (1971 – 1987). Prof. Koja më ka treguar se në kohën kur ai ishte drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, një punonjës i Institutit i përsëriste vazhdimisht se një fqinji i tij e pikërisht Zoti A. Bega e kishte takuar Ajnshtajnin në Tiranë. Prof. Koja bisedoi vetë me të dhe dëshmia e A. Begës ishte sa më poshtë: “E kam takuar Ajnshtajnin në Tiranë në fillim të viteve 30të kur ky erdhi në Bankë e më kërkoi veprime të Bankës Shqiptare me një bankë të shtetit gjerman, veprime që banka jonë nuk i kishte kryer ndonjëherë, për shkak të mosekzistencës së lidhjeve me bankat gjermane në atë kohë. Më tha emrin, të cilin nuk e kisha dëgjuar deri atëherë. Atëherë m’u desh të pyes dhe dola në mjediset e pasme të bankës, ku pashë që dera e drejtorit (i cili ishte italian) ishte e hapur. Trokita dhe hyra duke i thënë që një i huaj me emrin Albert Ajnshtajn kërkonte një veprim bankar që nuk e kishim bërë ndonjëherë. Drejtori shtangu dhe më tha, që ky ishte një nga emrat më të mëdhenj të botës. I thashë se ai ishte tek sporteli. Atëherë drejtori la punët që kish, e priti me nderime dhe unë nuk di të them ç’ bëri me të, se nuk më ngeli mua të merrem me problemin për të cilin ky njeri i ishte drejtuar Bankës Shqiptare”. Atëherë përpara këtyre tri dëshmive ç’do njeri prej nesh ka të drejtë të bëjë pyetjen: A ka ardhur Ajnshtajni në Shqipëri për të marrë një pasaportë?

Përgjigja ime është:

– Po, se të tri dëshmitë janë serioze dhe të pavarura nga njëra-tjetra.

– Po, pse në Shqipëri?

Së pari përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në vendimet e Lidhjes së Kombeve të viteve 1921 dhe 1926 të cilat e ngarkonin Shqipërinë për të dhënë dokumentacion identifikimi për hebrenjtë. Nuk duhet të harrojmë se një nga problemet kryesore që diskutohej në Lidhjen e Kombeve në atë kohë ishte problemi i hebrenjve, problem i cili u zgjidh pastaj vite më vonë e pikërisht me 1948 kur u themelua “de facto” shteti i Izraelit. Pyetjes pse u zgjodh pikërisht Shqipëria unë nuk di ti përgjigjem, por këto vendime ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar dhe Prof. Dr. Shaban Sinani ka mbajtur një kumtesë të suksesshme në Izrael lidhur me këtë temë.

Së dyti ishte lidhja me Dr. Bashon, i cili mund ta bënte këtë punë pa problem duke ruajtur fshehtësinë, për shkak të pozicionit të tij në atë kohë, pozicion që u përmend më sipër. – A e ka përmendur Ajnshtajni apo biografët e tij “historinë e tij shqiptare” ?

Nga sa kam lexuar dhe mundur të hulumtoj unë: – Jo, veç duhet ditur që jeta e tij ka kaluar nëpër vështirësira të shumta, ndaj jo më kot, vetë ai ka shkruar: “Më duhen shekuj që të përshkruaj peripecitë e pafund të jetës sime”.

Po pse ne sot nuk kemi një dokumentacion të plotë për këtë gjë?

Mendoj se arsyet janë dy:

1. Vizita u bë në fshehtësi të plotë.

2. Nuk kemi kërkuar sa duhet, në kohën dhe në vendin e duhur.

Atëhere ku duhet kërkuar? Mendoj se ka disa drejtime për këtë e pikërisht:

1. Arkiva e Shtetit Shqiptar

2. Dokumentacioni i Bankës Kombëtare

– Ajnshtajni shkoi në bankë për t’u interesuar për pasurinë e tij në Gjermani (dihet historikisht që ajo u bllokua) apo për të “thyer një çek” që ia dha Mbreti?

3. Dokumentacioni për lëshimin e pasaportave. Veç dihet mirë që nga administrate e shtetit shqiptar që merrej me lëshimin e pasaportave në atë kohë emrat e hebrenjve ndryshoheshin (mbase për arësye sigurie) e ishte e zakonshme që Mosheja të shkruhej Musa, Zaharia, Zafir etj. Dëshmi të tilla, për ndryshimin e emrave të hebrenjve ka plot në Arkivin e Shtetit Shqiptar.

4. Arkiva e Ajnshtajnit në Jeruzalem, ku mund të kërkohen:

-Letrat e Dr. Bashos drejtuar Ajnshtajnit

– Dokumentacioni i bërë për të në Shqipëri

Për hir të diskutimit të mësipërm le të hyjmë pak më thellë e të kërkojmë në të dhënat e Arkivis së Ajnshtajnit në Jeruzalem dhe të mundohemi të gjejmë pashaportat e tij të kësaj kohe. Nga të dhënat e arkivës së mësipërme rezulton se pasaportat e Ajnshtajnit të kësaj kohe kanë qënë dy:

1. Database record for Call Nr. [29-165.00] Einstein, Albert Ministerialpass (Diplomatic Passport) issued for AE as member of the International Commission for Intellectual Cooperation of the league of Nations by the German Foreign Office (HD) 11/18/1930

2. Database record for Call Nr. [29-166.00] Einstein, Albert Sëiss Consul General in New York Schëeizer Pass (Sëiss Passport) AE; issued by Sëiss Consul General in New Y. (HD) 11/08/1932

Pra, Ajnshtajni ka pasur një pashaportë diplomatike gjermane, marrë më 18.11.1930 si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Bashkëpunimin Intelektual të Lidhjes së Kombeve dhe një tjetër zvicerane, lëshuar nga konsulli zviceran në Neë York më 08.11.1932. Biografët e tij shkruajnë se Ajnshtajni nuk e ka përdorur pasaportën e tij gjermane e cila ka qenë anuluar, ndërkohë që pashaportën zvicerane e ka marrë në 08.11.1932. Atëherw, a ka lëvizur përgjatë këtyre dy viteve dhe ku? Ose, me ç’ pasaportë ka shkuar në New York për të marrë pasaportën zvicerane? Të dhënat e së njëjtës arkiv na tregojnë se Ajnshtajni gjatë kësaj periudhe ka shkuar dy herë në Amerikë (në fund të vitit 1931 dhe në fund të vitit 1932 kur edhe ka marrë pasaportën zvicerane) dhe nga Berlini në Londër, nga prilli në qershor 1931. Mendoj se me siguri në këto udhëtime ai ka përdorur pasaportën e tij shqiptare (se nuk kish tjetër), që mund të ketë qenë mbase me emër të ndryshuar. Duke u bazuar sa më sipër kam të drejtë të supozoj: Profesorët hebrej të Universitetit të Vjenës i kanë kërkuar Dr. Bashos në fillim të vitit 1931, kur ky ishte në Vjenë me Mbretin e sëmurë ta ndihmojë Ajnshtajnin për t’u pajisur me pasaportë shqiptare në bazë të vendimit të Lidhjes së Kombeve të vitit 1926 e ky sa është kthyer në Shqipëri ka ndërmjetësuar në dërgimin e një shkrese për konsullatën shqiptare në Gjermani e cila do ti ketë akorduar atij një lloj anagrame për të bërë të mundur udhëtimin drejt vendit tonë (prill 1931). Pastaj Ajnshtajni ka udhëtuar fshehtazi drejt Shqipërisë, është pritur nga Dr. Basho, ka takuar Mbretin dhe ka marrë pasaportën shqiptare të cilën pastaj e ka përdorur në udhëtimet e tij në Londër dhe Amerikë ku më 08.11.1932 mori pasaportën zvicerane me të cilën u largua përfundimisht nga Europa në tetor 1933. Hulumtimet e mëtejshme do të bëjnë të mundur që të kemi një ide më të dokumentuar të kësaj historie të vërtetë, për të cilën vendi ynë me të drejtë duhet të krenohet para botës se ka shpëtuar, ashtu si jetët e qindra hebrenjve të thjeshtë, edhe jetën e njeriut më të madh të shekullit XX, Albert Ajnshtajnit. Si përfundim: a kemi të drejtë të besojmë në vërtetësinë e të gjitha këtyre fakteve që u thanë më sipër? Me plot gojën PO! Historia ka provuar se edhe Shlimanit i thanë të mos besonte në “përrallat” e Homerit, por ai bazuar në to, zbuloi Trojën dhe thesarin e Priamit.

Prof. Dr. Jovan BASHO

 Universiteti Mjekësor i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Shërbimi Hepatologji/ Gastroenterologji, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë. P. S. Këto ishin të dhënat që dija unë, të cilat i kam botuar botuar tek gazetat: “SOT” (03.02.2008), “STANDARD” (04.02.2008), “ALBANICA’ (vjeshtë 2008), etj. Edhe Prof. Shaban SINANI dhe Prof. Petrit ZORBA (kryetar i Shoqatës Izrael-Shqipëri), janë marrë e vazhdojnë të hulumtojnë për këtë çështje. Duhet kërkuar edhe në SHBA, nga ku vjen një informacion prej Prof. Ahmet OSJA. Le të presim e të shpresojmë të gjejmë dokumentacion, për ta vërtetuar shkresërisht këtë krenari kombëtare. Vetë Dr. Basho e kishte si lajtmotiv shprehjen e vjetër latine: “Sa kam shpirt, kam shpresë”.