Prof. Dr. Kristaq Kume: Reforma territoriale, dy momente që nuk duhet të anashkalohen

354
Sigal

“Opozita theksoi edhe faktin se harta e miratuar në 2015 nuk ju jep mundësi të njëjta përfaqësimi të gjithë komuniteteve, që bashkëjetojnë në të njëjtën njësi vendore, në organet që zgjidhen për pushtetin vendor.”

Komisioni parlamentar për reformën territoriale administrative, pas përfundimit të dëgjesave me grupet e ndryshme të interesit dhe specialistë të fushës ka filluar punën për hartimin e dokumentit që do t`i shërbejë Kuvendit të Shqipërisë për vendimin ai që do të marr për hartën territoriale administrative, sipas së cilës do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor. Kërkesa për rishikimin e hartës territoriale administrative u artikulua nga opozita me argumentin se harta aktuale nuk i plotëson kushtet për të mundësuar një qeverisje efektive në nivelin vendor dhe as nuk garanton një shërbim sa më të mirë në plotësim të interesave të komunitetete lokale. Krahas kësaj, në mbështeteje të kërkesës së saj, opozita theksoi edhe faktin se harta e miratuar në 2015 nuk ju jep mundësi të njëjta përfaqësimi të gjithë komuniteteve, që bashkëjetojnë në të njëjtën njësi vendore, në organet që zgjidhen për pushtetin vendor. Mazhoranca ju përgjigj pozitivisht kërkesës së opozitës. Kuvendi vendosi dhe tashmë është i angazhuar për të gjetur një zgjidhje të re për hartën territoriale administrative. Nevoja për ndryshime në hartën sipas së cilës organizohet në territor pushteti vendor është artikuluar edhe nga faktorë të ndryshëm jo politik të vendit. Përfaqësues dhe organizata të shoqërisë civile, që janë të angazhura në trajtimin e problemeve, që lidhen me organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, në jo pak raste kanë argumentuar këtë nevojë. Ndër to mund të përmëndet edhe puna e bërë nga një grup organizatash të mbështetura nga Lëvizja Albania dhe Agjensia Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim.

“Është e rëndësishme të theksohet se ndërhyrjet, që mund të bëhen në këtë hartë duhet të kenë si objektiv kryesor të tyre krijimin e kushteve dhe mundësive për rritjen e efektivitetit në funksionimin e pushtetit vendor.”

Në përfundim të një procesi intensiv komunikimi me grupe dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme lokale, qytetarë që banojnë në zonat urbane e rurale, të rinj, gra e vajza, komunitete akademike në universitete të ndryshme të vendit, të zgjedhur vendor dhe punonjës në organet e qeverisjes vendore. Këto organizata kanë arritur në përfundimin se është koha kur duhet të kryhet një reformë e thellë në të gjithë systemin sipas të cilit është i organizuar dhe funksionon pushteti vendor në vendin tonë. Pjesë e natyrshme e këtij procesi reformues është edhe ndërtimi i një harte të re territoriale administrative. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se ndërhyrjet që mund të bëhen në këtë hartë duhet të kenë si objektiv kryesor të tyre krijimin e kushteve dhe mundësive për rritjen e efektivitetit në funksionimin e pushtetit vendor. Çdo zgjidhje tjetër dhe akoma më shumë  zgjidhjet nëpërmjet të cilave synohet që vendimmarrësit, që do të jenë edhe garuesit në zgjedhjet e ardheshme vendore, nëpërmjet hartës të arrijnë të maksimizojnë rezultatin zgjedhor, nuk është zgjidhje që shpie në realizimin pritshmërive të deklaruara për t`u arritur nga kjo reforme që është duke u kryer. Suksesi në procesin për ndërtimin e hartës territoriale administrative, në një masë të konsiderueshme, varet prej faktit se sa dhe se si palët që kanë detyrim dhe të drejtën për ta kryer do të arrijnë të gjejnë zgjidhje që plotësojnë kërkesat e parimeve dhe standarteve të gjithëpranuara për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Ndërkohë është shumë e rëndësishme që këto zgjidhje të jënë sa më të përshtatura me kushtet konkrete të vendit tonë. Ato duhet të jenë të harmonizuara dhe të plotësojnë kërkesat e legjilacionit tonë. Duhet të jenë zgjidhje të gjithpranuara dhe sa më shumë të pandikuara nga veprimi dhe efekti i faktorëve të ndryshme ekonomik e social, që ndryshojnë gjatë rrjedhjes së viteve. Në procesin e kryerjes së kësaj reformë mund të veçohen dy momente që, për mendimin tim është e rëndësishme dhe konsiderohen. Momenti i parë është një moment  me natyrë sociale e ekonomike. Dihet se gjatë të gjithë periudhës pas reformës së fundit territoriale administrative lëvizja demografike, brenda vendit me drejtimin nga zonat rurale në zonat urbane dhe emigrimi jashtë vendit, kanë sjellë pasoja të ndjeshme në largimin e popullatës nga zonat rurale dhe rritjen e fondit të forcës aktive të punës të specializuar. Ndërkohë duke ju referuar kuadrit ligjor aktual, ligjit 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’ organet e qeverisjes vendore kanë një numër të konsiderueshëm fuksionesh dhe detyrash, që duhet të kryejnë. Ato janë përgjegjëse për të trajtuar dhe zgjidhur probleme, që lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet publike dhe sociale në të gjithë territorin dhe për të gjithë komunitetet, që banojnë në njësinë vendore përkatëse.

“Çdo zgjidhje tjetër dhe akoma më shumë zgjidhjet nëpërmjet të cilave synohet që vendimmarrësit, që do të jenë edhe garuesit në zgjedhjet e ardhëshme vendore, nëpërmjet hartës të arrijnë të maksimizojnë rezultatin zgjedhor, nuk është zgjidhje, që shpie në realizimin e pritshmërive të deklaruara për t`u arritur nga kjo reformë.”

Këto organe kanë detyra që lidhen me probleme në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve argëtuese, për mbrojtjen e mjedisit, për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për ruajten dhe mirëadministrimin e fondit pyjor dhe kullotave publike, natyrës dhe biodiversitetit, për zhvillimin ekonomik vendor etj. Plotësimi i të gjithë këtyre detyrave dhe funksioneve të parashikuara në ligj mund të arrihet vetëm nëse organi vendor ka kapacitetet e nevojshme në burimet njerëzore, veçanërisht në punonjës të specializuar si janë ekonomistët, punonjësit social,  inxhinierë, agronomë e veterinerë etj… Për rrjedhojë, kur trajtohet problemi për konfigurimin e hartës për ndarjen territoriale administrative është e domosdoshme që vendimi për shtrirjen në territor të njësive vendore të caktuar, të merret duke mbajtur në konsideratë edhe mundësitë dhe kapacitete në burimet njerëzore që ka në dispozicion njësia. Momenti i dytë është moment me natyrë ligjore, kushtetuese. Si dihet në Kushtetutën tonë përcaktohet se çdo ndryshim në kufijtë e njësisë vendore duhet të bëhet vetëm pas marrjes së mendimit të qytetarëve. Kjo kërkesë e Kushtetutës duhet të plotësohet, sepse, në të kundërtën çdo ndryshim, që mund të bëhet në hartën territoriale administrative do të jetë i ekspozuar nga kundërshimi i tij në GjykatëN kushtetuese, si një ndryshim i bërë pa plotësuar kërkesën e Kushtetutës. Plotësimi i kësaj kërkese kushtetuese nuk do të thotë se për të duhet të organizohet dhe të zhvillohet referendum lokal, ku qytetarët të pyeten nëse janë apo jo dakort me ndryshimin që propozohet të bëhet. Referendumi lokal është një rrugë nëpërmjet të cilës arrihet të merret mendimi i qytetarëve, por, duke patur parasysh kuadrin ligjor aktual, që rregullon çështjet që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e referendumit lokal dhe kohën mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, kjo rrugë është e pamundur që të ndiqet. Rrugë tjetër është ajo që u ndoq në rastin e reformës territoriale administrative të kryer në vitin 2015. Në atë kohë mendimi i qytetarëve u mor nëpërmjet pyetjes që ju bënë të zgjedhurve të tyre, këshillave bashkiakë. Aktualisht kjo rrugë nuk është e këshillueshme të ndiqet përsa kohë që këshillat aktual janë rezultat i zgjedhjeve atipike të zhvilluara në vitin 2019. Në këto kushte, për të marrë mendimin e qytetarëve për ndryshimet, që mund të bëhen në kufijtë e njësive vendore mund të përdoret mundësia që ofron organizimi dhe zhvillimi i peticionit me qytetarët, që banojnë në njësinë ose njësitë vendore, kufijtë e të cilave propozohet të ndryshohen.