Vrasja e 28-vjeçarit, flet daja: Mario u kthye para 5 ditësh në Tiranë, ku dyshojmë

722

Mario Majollari, 28- vjeçari që u ekzekutua të martën pranë shtëpisë së tij në Tiranë, kishte vetëm 5 ditë që ishte kthyer nga Suedia, ku kishte qëndruar afro 3 vjet në pritje për të fituar azilin.

Sigal

Kur ishte fare pranë marrjes së statusit të azilantit, pasi autoritetet suedeze e kishin pranuar kërkesën e tij, përgjigja e mbërritur nga Shqipëria, si vend i sigurt, ku nuk i rrezikohej jeta, ka përmbysur gjithçka. Kështu shprehet Edmond Nela, daja i Mario Majollarit.

Gjatë një bashkëbisedimi që patëm me të, pranë vendit ku ndodhi ngjarja, Nela na tregon se nipi i tij nuk kishte marrë kërcënime konkrete, por familja i frikësohej ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Kjo ishte arsyeja pse ai ishte larguar nga Shqipëria një vit pasi u arrestua babai i tij, Avni Majollari, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Kur ishte kthyer Mario në Shqipëri?

Gati një javë kishte që kishte ardhur, 5 ditë. Qëndroi në Suedi duke pritur të fitonte azilin dhe kur nuk e mori, u kthye këtu.

Ia refuzoi Suedia?

Në fakt, me aq sa kishim biseduar me Marion, Suedia e kishte pranuar kërkesën e tij, por refuzimi ka ardhur në momentin që i ka kthyer përgjigje Shqipëria. Siç duket janë procedura që ndiqen andej për të vërtetuar nëse i rrezikohet apo jo jeta në vendin e tij. Përgjigja që i është kthyer nga këtu, sikur këtu jemi vend i sigurt dhe nuk i rrezikohej jeta, bëri që ta refuzonin.

A kishte marrë ndonjëherë kërcënime nipi juaj?

Kërcënime konkrete nuk ka marrë. Të paktën ne nuk dimë të ketë marrë. Por normalisht i frikësoheshim një hakmarrjeje të mundshme. Për këtë arsye edhe kishte ikur.

Me kë jetonte këtu?

Më të ëmën dhe me motrën.

Në momentin që ndodhi ngjarja, po kthehej në shtëpi apo po dilte?

Ka qenë duke u kthyer në shtëpi.

Keni ndonjë dyshim për autorët e ngjarjes?

Dyshimet tona dihen, janë ato që përfliten edhe nga ju, edhe nga Policia. Mario nuk kishte probleme me njeri, ishte djalë i shkolluar, që punonte, i qetë dhe i dashur me të gjithë.

Ka kamera sigurie këtu, që mund të kenë filmuar autorët?

Kamera mund të ketë, por nuk kanë filmuar asgjë. Personi që ka kryer vrasjen, e ka studiuar mirë zonën, e ka ditur se ku ka dhe ku nuk ka kamera. Pastaj ju e shihni vetë si është kjo zonë këtu. Ka me dhjetëra rrugica të errëta, nga ku mund të largohesh dhe nuk merr vesh gjë askush.

Me çfarë merrej nipi juaj?

Ai kishte mbaruar shkollën e lartë dhe punonte në kuzhinë. Ishte shef kuzhine. Aktualisht nuk punonte se sa ishte kthyer në Shqipëri. Por ka punuar që kur ka qenë fëmijë.