Pas shëndetësisë edhe uji do jepet me koncesion

Qeveria nuk tërhiqet, bën gati projektligjin ku edhe ujësjellësat, sektor jetik për qytetarët do i jepen privatit pas falimentit të UK nga borxhet, ku në çdo fushatë u fry me patronazhistë. Zbardhet mënyra e furnizimit, shitjes së ujit të pijshëm dhe kostot e fshehura do t’iu faturohen sërish shqiptarëve

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që të zgjidhë ngërçet e ujësjellës-kanalizimeve me anë të koncesionit. Në projektligjin e hedhur së fundmi për konsultim publik “Për sektorin e furnizimit me ujë dhe largimin, grumbullimin e trajtimin e ujrave të ndotura urbane”, MIE parashikon në nenin 25 edhe këtë alternativë.“Dhënia me koncesion, apo me një marrëveshje të partneritit publik privat, e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe aktet nënligjore, që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse”, -shkruhet në dokument duke theksuar se procedurat do të bazohen në ligjin për PPP-të dhe se konfirmimin e jep ministria bashkë me Entin Rregullator të Ujit.

NOA

Operatori, që do të marrë këtë përgjegjësi, do të mundësojë furnizimin dhe shitjen e ujit të pijshëm, trajtimin e ujërave të ndotura si edhe mirëmbajtjen e sitemeve. Ai do të licencohet nga ERRU për aktivitetin.

Ministria parashikon dhe dy forma të tjera të menaxhimit të këtij sektori; kontratat e performacës dhe ‘operatori i alternativës së fundit’.

Forma tjetër e bashkëpunimit mes dy pushteteve për furnizimin me ujë të pijshëm kur ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve dështojnë do të jetë edhe nëpërmjet kontratave të perfomancës.

Kontratat e performancës do të lidhen midis njësisë të pushtetit lokal dhe ministrisë përgjegjëse, dhe do të quhen SKP, Subjekt i Kompetencave të Përbashkëta. Në këtë kotratë përcaktohen treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore nga operatorët. Kontratat e performancës nënshkruhen nga agjencia kombëtare për furnizimin me ujë të pijshëm, largimin, grumbullimin dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse

Operatori i alternativës së fundit është operatori, që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të largimit, grumbullimit e trajtimit të ujërave të ndotura urbane për një, ose më shumë zona shërbimi, në rast të mosperformancës nga operatori i licencuar.

Operatori i alternativës së fundit mund të jetë me kapital shtetëror, ose privat dhe në çdo rast i nënshtrohet licencimit nga ERRU-ja për të ushtruar veprimtarinë në përputhje me kohëzgjatjen e përcaktuar në licencën e lëshuar prej tij.

Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë qenë prej kohësh dhimbje koke për bashkitë dhe qeverinë, duke u bërë një barrë financiare e konsiderueshme. Shumë prej tyre janë në prag falimenti për shkak të keqmenaxhimit financiar, mosarkëtimet dhe shpenzimet e larta.

Qytetet probleme me ujin, por UK-të 14 miliardë lekë borxhe

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, rezulton se UK-të kanë çuar në mbi 14 miliardë lekë detyrimet e papaguara, me një rritje prej 2 miliardë lekësh në raport me vitin 2021.

“Për periudhën deri në dhjetor 2022, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) pas rakordimit të të dhënave me OSHEE Group Sh.a, raporton se detyrimet e akumuluara (principal pa kamata) të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën 14.01 miliardë lekë kundrejt rreth 12 miliardë lekë që ishin në fillim të vitit 2022”,- thuhet në raport.

Qeveria ka mjelë UK si lopë elektorale

Në çdo fushatë, edhe më 14 maj 2023, PS e ka përdorur UKD për qindra punësime elektorale në këmbim të votës së familjeve të të punësuarve dhe kryerje investimesh si arnime sipas orientimit të patronazhistëve për të blerë votat e një rrugice apo lagjeje. Po të mos kishte zgjedhje nuk kishte investime/arnime.

Kostot e fshehura

Me ligjin e propozuar nga qeveria duke dhënë me koncesion shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve, kostot shtesë do t’iu faturohen sërish qytetarëve. Banorët përveç faturës zyrtare të UKT-së për ujin e pijshëm, paguajnë edhe një faturë shtesë, atë për blerjen e ujit që konsumojnë, pasi uji i çezmës nuk është  i pijshëm.