Parajsa e padijes/ Qeveria e pa orientuar nga kriza social-ekonomike. Show me diasporën dhe italianët, por shqiptarët ikin

594
Sigal

EDITORIAL I ‘MONITOR’ / Shqipëria në krizë sociale-ekonomike, largimin e trurit dhe plakje të popullatës,t

Parajsa e padijes

Disa vite më parë, veçanërisht kur Greqia ishte në valën e madhe të krizës, qeveria shqiptare nxitoi të bëjë një ligj që të ndihmonte emigrantët e kthyer të adaptoheshin me vendin e tyre pas viteve të gjata në emigracion. U mendua që atyre t’ju krijohej një mjedis nxitës investimi dhe mikpritës social, por përpjekja nuk rezultoi siç pritej.

Tani që është mbërthyer nga një valë e zgjatur emigracioni, pararendëse e një krize komplekse sociale dhe ekonomike, pak lindje, largim i kapitalit human me dije të thelluara dhe plakje të popullatës, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz që të punojnë, madje të kualifikuar e shkolluar mirë.

Megjithëse shenjat janë të dukshme dhe thërrasin për ndërhyrje emergjente, ende nuk shikojmë veprime energjike. Qeveria, e cila është e para që duhet të marrë nismën, duket e paorientuar. Ajo dyzohet herë me diasporën dhe thërret “kongrese” të mëdha por që nuk prodhojnë ndonjë produkt, herë lëvdohet me italianët që kanë gjetur “parajsën” në Shqipëri, duke tentuar t’u mbushë mendjen shqiptarëve të mbetur se vendi i tyre është më mikpritës sesa mendojnë ata që janë larguar.

Një mungesë e tillë orientimi duket se ka në themel faktin se qeverisja aktuale nuk e ka kuptuar ose nuk do ta kuptojë se jemi goditur nga vala e parë e bjerrjes së kapitalit human për shkak të cilësisë së ulët të arsimit dhe largimit të madh të “trurit” dhe se ky vend ka nevojë për dije sa solide, po aq edhe bashkëkohore. Por po aq e rëndësishme duket të jetë edhe faktori rritjes së mirëqenies së popullatës që duket prej kohësh në stanjacion e që është drejtpërdrejt i lidhur me shpresën për përmirësim të qëndrueshëm të nivelit të jetesës. Shqiptarët, që këtë nivel jetese e pretendojnë evropian, tashmë pas 30 vitesh tranzicion postkomunist, vërejnë veçanërisht që pas lëvizjes së lirë në zonën ‘Schenghen’, se distanca me Evropën e zhvilluar rritet në vend që të ngushtohet.

Jo se është keq të ketë plane konkrete veprimi, si për të nxitur “kuzhinierët” apo pensionistët italianë të vijnë të jetojnë e punojnë në Shqipëri. Po ashtu nuk do të ishte keq nëse arrijmë të tërheqim diasporën. Përkundrazi, një studim i vitit 2017 nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Sociale tregoi se Shqipëria sot rreshtohet e 15-a në botë me emigracionin më të lartë të individëve që kanë doktoraturë. Jemi në vendin e parë në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e personave me grada shkencore që kanë studiuar dhe jetojnë jashtë.

Askush nuk do të kundërshtonte edhe nëse “importojmë” fuqi punëtore të kualifikuar në nivel teknikësh, qofshin këta edhe emigrantët sirianë. Por të gjitha këto nisma duhet të unifikohen në një qëllim të vetëm: si të vjelim prej tyre dijen “knowhow”, eksperiencën e jo thjesht të popullojmë për propagandë këtë vend që po braktiset nga shqiptarët. Me mjaft shembuj kemi treguar shpesh se emigrantët, e posaçërisht edhe shqiptarët, janë kthyer në një vlerë e shtuar dhe të sinkronizuar për shoqëritë dhe ekonomitë e vendet ku ata punojnë.

Të njëjtën vlerë do të duhet të pretendojmë të marrim edhe ne. Vendi ynë sot mund të reklamohet se është parajsa për të huajt por, nga ana tjetër, mbetet ishulli ynë i padijes çka e dëshmon produktiviteti i ulët në ekonomi, investime të pakta në teknologji, orë të gjata pune pa rendiment dhe me paga të ulëta.

Ndaj, nëse thërrasim për ndihmë, duhet të dimë se çfarë kërkojmë e ku duam të mbërrijmë. Për momentin shumë vazhdojnë të ikin, së fundmi kanë nisur të largohen edhe fermerët!!