Zija Çela: Një atlas me njëqind libra në shpinë

611
Sigal

NJË ATLLAS ME NJËQIND LIBRA NË SHPINË

Zija Çela
Po si kështu, nga më vinte ajo tërheqje, nga më vinin ato kumte prej teje, Moikom Zeqo?!..
Vetëm pak ditë më parë rigjeta në sirtare letrën tënde entuziaste, shkruar 36- vjet më parë, atë që më dërgoje nga Vlora, kur u botua tregimi “Eklips”. E ç’ishte ky përmallim, ç’ishte kjo nostalgji?!..
Po si kështu, Moikom, parmbrëmë m’u shfaqe në ëndërr, kishe një dorëshkrim në dorë dhe erdhe drejt e në shtëpine time. Sa e freskët ishte boja e shkrimit! Pastaj çfarë, do të ma dhuroje pastaj, do të ma lexoje me zë dhe do të bisedonim së bashku?! E po të them pra, nuk isha as krejt në gjumë, as krejt esëll, isha në atë trashedencën misterioze, kur dy kolegë mund të komunikojnë shpirtërisht me njëri-tjetrin në çfarëdo distance.
Ti po nesesh tashmë… Por i shkurtë do të jetë eklipsi yt, kalimi nga bota e këtejme në të përtejmen. Dhe menjëherë do të bëhet dritë. Dritë prej poetit, prozatorit, eseistit, studiuesit, piktorit, përkthyesit, shqiptarit të flaktë të historisë dhe arkeologjisë, madje deri edhe kërkimeve me zhytje nënujore.
Moikom Zeqo, të shoh si një Atlas në llojin e vet. Natyrishit, ti nuk mbaje qiellin, por mbaje 100 libra autoriale mbi shpatullat e tua. Ne do ta kujtojmë këtej Moikomin me kujtesën borgesiane, ndërsa ti andej do të vazhdosh të na gjykosh. Sepse scripta manent, do të thoshe në këtë rast. Dhe ashtu është, Letrat mbesin e flasin.
E tash, tash Zoti po të pret për t’u prehur. Ndërkaq edhe zemra jonë është e gatshme për amshimin tënd. Për amshimin e për kumtet e tua, Moikom, për kryemotivin e librit tënd të dashur “Anima Mundi”.
Patjetër, Shpirti i Botës kurrë nuk vdes, i ndjeri ynë, i paharrueshmi ynë!