Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për procesin e bashkimit në Partinë Demokratike. Në një intervistë në Vizion Plus, Meta deklaroi se bashkimi i shqiptarëve kundër regjimit është më i lehtë se bashkimi që po përpiqet të bëjë Berisha në Partinë Demokratike.
Ai theksoi njëherë e mirë se PL njeh vetëm PD-në e drejtuar nga Berisha, duke e cilësuar zgjedhjen e tij në krye të partisë vullnet të lirë të demokratëve.
Ndalur te zgjedhja e kandidatëve, Meta u shpreh se PL do të mbështesë çdo kandidat të Partisë Demokratike duke e nxitur atë të nxjerrë sa më parë emrat që do të jenë në garë.
“Është shumë e rëndësishme të ecë sa më shpejt zoti Berisha në zgjedhjen e kandidatëve në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Ne nuk do të nxjerrim asnjë kandidat në të gjithë Shqipërinë pa pasur një rakordim me Partinë Demokratike. Nuk do të vëmë asnjë kusht që nuk i shërben unifikimit.
Është momenti për t’i dhënë ndëshkimit më të fortë këtij regjimi. Ne do të mobilizojmë çdo qytetar kundër kandidatëve të Rilindjes. Do mbështesim kandidatët e Partisë Demokratike. Nëse do kem një kandidat dhe vjen e më thotë dua të kandidoj unë do shkoj ta zgjidh me PD, por për të nxitur probleme brenda frymës opozitare, kjo nuk do të vijë kurrë nga Partia e Lirisë”, u shpreh ai.